Punime infrastrukturore  në vigjilje të pelegrinazhit të gushtit në Malin e Tomorrit

Punime infrastrukturore  në vigjilje të pelegrinazhit të gushtit në Malin e Tomorrit

Në zbatim të planit të masave për të siguruar një akses sa më të mirë të pelegrinëve të cilët do të ngjiten në vendin e shenjtë në Malin e Tomorrit, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ka filluar sistemin e dy segmenteve rrugore: Bogovë – Novaj dhe Gjerbës – Ujanik.

 

 

Të gjitha mjetet dhe burimet njerëzore të sektorit të mirëmbajtjes së rrugëve ka disa ditë që po punojnë me intensitet për të bërë të mundur lehtësimin e lëvizjes së pelegrinëve dhe mjeteve motorike, të cilët këtë vit, ashtu si çdo vit tjetër, do të jenë të shumtë.

 

 

Punimet konsistojnë në sistemimin dhe pastrimin e shtresës rrugore, hapjen e kanaleve anësore, mbushje me çakull, si dhe zgjerim të rrugës atje ku është e mundur. Këto punime do të përfundojnë brenda datës 18 gusht, datë e cila shënon edhe ardhjen e pelegrinëve të parë.

 

 

Bashkia Skrapar gjen rastin të falendrojë Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, në veçanti Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj si dhe strukturat e Kryegjyshatës në Teqenë e Kulmakut, për bashkëpunimin konkret, në funksion të mbarëvajtjes së këtij pelegrinazhi.

 

Në vijim, sipas një plani të detajuar, Bashkia do të vijojë të kryejë të gjitha detyrimet e saj, me qëllim që pelegrinët e ardhur nga i gjithë vendi dhe më gjerë, të kalojnë sa më këndshëm këto ditë të shenjta festive.