Tomorrica, Hija dhe Nahija e Tomorrit në një libër

Tomorrica, Hija dhe Nahija e Tomorrit në një libër

Nga Zylyftar Hoxha

 

“Këtë libër ua kushtojmë tomorricarëve të të gjitha kohërave, të gjithë atyre që me sakrifica të jashtëzakonshme siguruan vazhdimësinë e jetës në këto troje, duke i dhënë asaj kuptim e vlera të larta fisnikërie, guximi dhe atdhetarie. Burrave kapedanë të trevës që bënë histori ndër shekuj…Të gjithë atyre që nuk e braktisën vendlindjen edhe në këto kohë të vështira e që me dinjitet e punë mbajnë gjallë shpresën e rilindjes së saj.”

 

 

Vjen këto ditë me përmasat e mirëfillta të një enciklopedie (1100faqe) libri “Krahina e Tomorricës”, i dyautorëve, at e bir, Elmaz dhe ArbenGuga.

 

 

Duhet thënë që në fillim se me këtë botim kemi të bëjmë me një vepër serioze shkencore, që jo vetëm hedh dritë mbi këtë zonë të thellë, të ashpër, mjaft interesante, por edhe mbush një vakuum, fatkeqësisht të lënë paksa të harruar, të pa plotësuar dhe të varfër nga historiografia jonë.

 

 

Duke shfetuar të dy vëllimet e librit “Krahina e Tomorricës”, kupton se a iështë produkt i një pune të gjatë dhe të thellë studimore disavjeçare, por edhe i një pune të bukur, plot pasion, dashuri, mall dhe“detyrim”ndaj vendlindjes të të dy autorëve ndaj trojeve të të parëve të tyre.

 

 

Me këtë libër ata i kanë ngritur një monument memo-historik të munguar deritani krahinës së tyre, pse jo edhe vetes së tyre. Jo se kanë bërë më të mirën dhe më të përsosurën, por se kanë hedhur një bazë të fortë, e cila mund të plazmohet lehtë nga brezat që vijnë me dokumente dhe fakte të reja.

 

 

E vërteta është se kjo krahinë e lashtë, gjithmonë ka qenë famëmadhe dhe me emër në histori. Asaj i shkonte mes për mes një ndër degët më të fuqishme të Egnatias romake (Vromi, “Rruga e Kripës”) çka e bënte një zonë të zhvilluar dhe të lakmuar. E tregon këtë regjistri Osman i vitit 1431.

 

 

Në kohën e Bizantit dhe në mesjetën e hershme e sundonin atë baronë e arhondë të lindur e jo të bërë, përfshi këtu dhe Muzakajt e njohur, që e cilësonin Tomorricën si qilarin e tyre, pasi aty kishin edhe minierën e arit (“Memorja” e Gjon Muzakës). Ndoshta është kjo një nga arsyet që Skëndërbeu në krushqi me Muzakajt u kërkoi atyreTomorricën sipas marrëveshjeve kanunore qëkishin bërë që më parë.

 

 

Tomorrica mori famë si një nga nahijet më të ndjera të pjesës ballkanike tëPerandorisë Osmane, të Rumelisë,në kohën e Sphinjve, që siç thotë kënga: “Dyzet fshatra Tomorrica/ me dymijë e ca kastriqa (gjarpërinj, trima)”. Në atë kohë qendra e saj u bë Gramshi, një qytet i lulëzuar dhe izhurmshëm për kohën, me objekte kulti dhe bamirësie si xhamia, imareti, çezma e sofate të ndërtuara nga biri i këtij fshati, Arkitekt Kasëmi, i cili më vonë u bë edhe kryearkitekt i tërëPerandorisë Osmane.

 

 

Pas shthurjes së spahillëkut, spahinjve parazitë dhe dembelë, që paguheshin si ushtrarë rezervë në kohë lufte dhe nëkohë paqe, sulltani me ferman u dha prona atyre dhe i shpërndau në pjesë tëndryshme të perandorisë. Është pikërisht kjo kohë, kur Gramshi, si qytet tipik spahinjësh, bie dhe banorët e tij shpërndahen në fshatra të ndryshëm të Tomorricës, të Skraparit, të Gramshit, madje edhe tëMyzeqesë. Këtë kohë, siç komenton edhe Sami Frashëri në veprën e tij të famshme “Kamus Ulalam”, të parët e familjes së tyre shkojnë në Stanimakë dhe më vonë marrin prona dheçifligje në fushën e Korçës, Frashër, Myzeqenë e Vlorës etj.

 

 

Nga ky Grëmsh, siç e ka pohuar edhe me gojën e tij, e ka origjinën edhe internacionalisti i shquar italian, Antonio Gramshi.

 

 

Pas trajtimit profesional dhe të dokumentuar të kësaj periudhe, në libër vijnë kapituj të tjerë që kanë të bëjnë luftërat kundër sunimit turk me çetat për liri e pavarësi të Servet e Mahmut Zaloshnjes; figurat simpatike të Xhile Liçit dhe Zenel Braçit; personalitete të tjerë luftëtarësh me zëtëkrahinës si Asllan Shahini, Jakup Greva, Baba Meleqi, Tefik Shurdha, Kamber Grëmshi, Xhelo Lajthia, Kamber Ujaniku, Dule Trebla, Dane Kërpca, Ismail Strafica, Hysen Zaloshnja etj.

 

 

Një vend të rëndësishëm në libër zë Lufta Antifashiste Nacional çlirimtare, ndihmesa e familjeve të mëdha, e djemve që u rreshtuan në brigadat e luftëtarëve të lirisë, e bazave të Luftës.

 

 

Në faqet e librit evidentohen partizanët dhe formacionet partizane, ku një vend të rëndësishëm zë Çeta Plakë e Skraparit me komandantin e saj legjendar Mestan Ujaniku, por aty u lihet goxha vend edhe nacionalistëve dhe formacineve të tyre.

 

 

Në vëllimin e dytë pasqyrohet rindërtimi i vendit, përpjekjet për jetesë e mbijetesë të periudhës komuniste, ku jepen zhvillimet, arritjet dhe dështimet e sistemit kooperativist. E plotë vjen në këtë vëllim historia e zhvillimit të arsimit në Tomorricë, të shëndetësisë dhe të sektorëve të tjerë jetësorë.

 

 

E ndritur vjen edhe pjesa e elitës akademike tomorricare, profesorë, doktorë shkencash, punonjës shkencorë kuadro tëaftë e të zotë që kanë drejtuar në kushte të vështira dhe ia kanë dalë.

 

 

Të tillë personalitete të fushës së arsimit e të shkencës, të letërsisë e të arteve kanë qenë Hajli Alushani, Moisi Zaloshnja, Kujtim Kapllani, Qazim Metani, Viktor Bakillari, Hysen Binjaku, Abas Ermenji, Adem Jakllari, Demir Dyrmishi, Idriz Metani, Pëllumb Pipero, Abas Kryemadhi, Besim Boçi, Dritan Alushani, Olta Milova, Vladimir Muka, Astrit Shatro, Irma Guga, Kejda Nuhu, Merita Alushani, Vigan Saliasi, Zylyftar Bregu, Visar Zhiti, Bashkim Dervishi, Sulejman Përrenjasi, Nuri Jaupi, Nesim Fusha, Altin Çaushi e dhjetëra e dhjetëra të tjerë.

 

 

Veç gjeografisë, pasurisë së florës e faunës, pasurive hidrike dhe bukurisë e resurseve për turizmin, në libër kapituj me interes janë edhe ata që përshkruajnë pasurinë shpirtërore, ento-kulturore të kësaj krahine, si doket, zakonet, mikpritja, bujaria, trimëria, besa, krenaria, dashuria përvendlindjen etj. Kënga që nxori korifeun e polifonisë Demir Zykon, artistët e sportistët me origjinë nga Tomorrica kanë një kapitull më vete.Po kështu autorët janë munduar të mos lënë asgjë tjetër me vlerë që kanë të bëjnë me këtë krahinë.

 

 

Siç thonë me të drejtë autorët në parathënie, gjatë punës për hartimin e librit u kanë dalë edhe vështirësi e pengesa, që kanë qenë opinionet subjektive dhe ndarjet ideologjiketë “luftës së klasave”.

 

 

Të udhëhequr nga parimi se historia është vepër e njerëzve, ata janë munduar të bëjnë një “histori për të gjithë”. Pasi, siç dihet, Tomorrica e ka vuajtur shumë sjelljen e politikës në vitet e luftës dhe sidomos gjatë regjimit komunist. Duke i qëndruar besnik të vertetës historike, autorët e librit kanë bërë refleksione dhe analiza të kujdsshme lidhur me ngjarjet, me njerëzit që janë marrë me politikë, me fatin e krahinës dhe njerëzve të saj  në kalvarin e persekutimeve.

 

***

 

“Këtë e kemi bërë në respekt të historisë. E mirëkuptojmë se jo të gjithë lexuesit do të ndajnë mendime të njëjta me ne. Është e drejtë e tyre të gjykojnë si të duan”, shkruajnë ata.