In Memoriam / Ramadan Hoxha, një ndër publicistët më të njohur të shtypit lokal shqiptar
Në 31 – vjetorin e vdekjes së kryeredaktorit të gazetës “Kushtrimi” të Beratit, Ramadan Hoxha
Ylli Polovina
Në kohë të vështira, me sisteme shoqërore shumë shtrënguese dhe jo të lira, të mos rreshtohesh me ata që ua rëndojnë edhe më shumë jetën të tjerëve, është cilësi, që, e parë nga ditët e sotme, duhet çmuar shumë.
Kryeredaktori i gazetës “Kushtrimi”, organ i Komitetit të Partisë të rrethit të Beratit, ishte aq fort i fuqishëm sa të ta nxinte jetën e, për këtë mbrapshti të dekorohej. Sektarët pëlqeheshin shumë atëherë, madje preferohen fort edhe sot.
Ramadan Hoxha, i paharuar dhe i nderuar qoftë, ishte nga ata që shkaktonte lëndimin më të vogël të mundshëm. Kjo kategori njerëzish të periudhës komuniste nuk e nxin, por sadopak e zbardh kujtesën tonë kombëtare.
Në Berat të tillë kemi pasur Mine Gurin, Gaqo Neshon, Dhimitër Briskun, Violeta Cimbidhin, Abdyl Pilafin, Hysen Shahun e të tjerë.
Ramadan Hoxha lindi në vitin 1929. Kur ishte ende i vogël, 15 vjeç, filloi punë në ndërmarjen te Naftës. Ishte viti 1945, kur në tërë vendin punohej pa pagesë. Kështu punoi për gati 6 muaj Ramadani. Veç punës ai ishte një aktivist shoqëror, merrej me Rininë në sektorin e agjitacion-propagandës, për të nxitur ata në aksionet kombëtare të rindërtimi të vendit.
Më 1947, megjithëse i ri, kreu detyrën e shefit të planit në drejtorinë e Naftës. Pas kësaj kaloi në Komitetitin e Rinisë të rrethit të Beratit, me detyrë korrespondent i ATSH-së. Kjo detyrë më pas bëri që ai të fitojë përvojë pune në shtyp dhe u gjet më i përshtatshmi për t’u bërë kryeredaktor i gazetës “Kushtrimi” që në formimin e saj dhe deri në fund, kur ndërroi jetë.
Gjatë gjithë kohës së drejtimit të gazetës, ai u dallua për korrektësi e vërtetësi publicistike, për takt e kujdes në marrëdhëniet me kolegët dhe bashkëpunëtorët. Nën drejtimin e tij, gazeta u dekorua me Urdhrin Naim Frashëri të klasit të II. Edhe vet Ramadani është dekoruar me medalje dhe urdhra të veçantë.
Ai u nda nga jeta në moshën 62 – vjeçare, në një moshë që ai ishte kulmin e energjive krijuese, duke lënë kujtimin e një njeriu të mirë, korrekt e model pune.
Në faqet e gazetës “Kushtrimi” të datës 11 prill të vitit 1991, kolegët e tij, kanë botuar një pjesë të shkurtër të fjalimit që mbajtën në ceremoninë e varrimit, ku ndër të tjera kanë shkruar:
“…Një njeri i mirë dhe i sjlellshëm si ju, çdo ditë që do të jetonte, do të na dukej se kishim pranë një prind më shumë, një vëlla të madh e shok me shpirt. Puna e mirë dhe devotshmëria për t’i shërbyer atdheut në ndërtim iu çoi në detyrën e kryeredaktorit të gazetës “Kushtrimi”, detyrë që e kthyet në një mision ndershmërie si qytetar e si beratas.
Të punosh në gazetë do të thotë t’u japësh njerëzve optimizëm e t’i nxitësh me fjalën e ngrohtë për të bërë punë të mira.
Të gjithë bëjmë aq sa mundemi e aq sa jemi të zotë. Ju bëtë më tepër, se kësaj pune fisnike i përkushtuat gjithçka. Është gjest i rrallë punëdashjeje që, prej 20 vjetësh me radhë, nuk pushuat me raport mjekësor qoftë edhe një ditë, edhe pse të gjithë u bëmë dëshmitarë se keni qenë i sëmurë, bile rëndë.
Për ne kolegët e tu, ju mbeteni gjithnjë i dashuri e shumë i shtrenjti, i paharruari Ramadan Hoxha!”
Ç’thonë ata që e kanë njohur, tani, pas më shumë se 30 vjetësh…
Nini Mano:
I veçantë, me një komunikim të bukur, shefi im i mirë!…
Andrea Liko:
Punova gati një vit nën kujdesin e këtij njeriu të mirë. Kurrë nuk e ngriti zërin dhe kurrë nuk me tha, jo. Asnjëherë nuk e kuptoja kur më mbronte e, megjithatë, ai më mbronte!…
Kadri Kuka:
Unë ruaj kujtimet më të bukura …sepse ndjeva dorën e përkrahjes për të rinjtë që fillonin punë në gazetë. Puna kish ngarkesë, përplasje, gjaknxehtësi, por Ramadan Hoxha ishte njeri me botë, shumë i sjellshëm, i komunikueshëm dhe një zotni i vërtetë.
Si Ramadan Hoxharrallë vishej njeri në Berat me aq shije.
Sebastian Daja:
E kam pasur komshi. Njeri me shumë kulturë, intelktual i lindur, i lehtë ne biseda dhe i qartë. Respekt dhe i paharuar kujtimi i Tij!
Dhimitër Shtëmbari:
E kam pas njohur nga afër edhe unë këtë gazetar të palodhur, në ate kohë, kryeredaktor i gazetes “Kushtrimi” të Beratit; trupdrejt, elegant në paraqitje, i qeshur në bisede, i përzemërt në marrëdhënie, këshillues i urtë në komunikim…
Të tillë e ruaj e do ta ruaj në kujtesë mikun e paharruar, Ramadan Hoxha. Qofte i paharruar!
Sulo Gozhina:
Një burrrrrë i veçantë me dinjitet, sa herë veja në zyren e tij, më falenderonte për shkrimin që kisha dërguar për botim, në vend që unë ta falnderoja. I përjetëshëm kujtimi tij!
Faleminderit profesor Ylli Polovina për këtë kujtim që solle!
Zylyftar Hoxha:
E kam njohur Ramadanin, jemi takuar të paktën tri ose katër herë. Më shumë se me profesionalizmin, që unë nuk ia dija dhe nuk ia njihja imët, se isha në një redaksi tjetër fqinje, më bënte përshtypja paraqitja e tij, urtësia dhe fisnikëria e tij. Ai ishte një qytetar që rrezatonte në çdo gjë, edhe, si i thonë fjalës, “kur priste thonjtë”!
Sikur të më kishte rënë fati të kisha një shef të tillë, ndoshta do të isha diçka më përpara dhe më ndryshe se sa jam sot!
Nuk harrohen kurrë njerëz si Ramadani, shikoni ç’gjurmë ka lënë për të mos u harruar!
Evdal Nuri:
Gazetar i mirë, por mbi të gjitha njerëzor, korrekt, i dashur dhe human.
Fatmir Myrtaj:
Respekte për ish-kredaktorin tuaj. E kam parasysh z. Ramadan, të qeshur, të thjeshtë, të urtë dhe me kulturë të lartë qytetare.
Ndertim Luka:
Flet vet portreti. Njeri me cilësi të rralla njerëzore, intelektual me vlera të veçanta , gazetar i zot e drejtues shembullor .