Historia e Vllehëve të Tomorrit

Historia e Vllehëve të Tomorrit

Në librin e tij me shënime udhëtimeve “Nga Berati në Tomorr”, Eqerem Bej Vlora, në atë kohë (viti 1906), sekretar i gradës së tretë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, jep të dhëna interesante për vllehët e Tomorrit, të cilat i mësoi nga Zybë Ujaniku, gjatë një vizite në shtëpinë e këtij të fundit si një njeri sëre dhe i njohur në atë zonë.

 

 

Zyba i pat treguar beut sqimatar historinë e tij familjare, që ishte me origjinë nga fshati Grëmsh i Skraparit, një fshat me një shkëlqim dhe famë të madhe në kohën e spahinjve, por që më pas, me reformat që u ndërmorën për shthurjen e spahillëkut, u shpërbë dhe u shpërnda.

 

 

Paraardhësit e Zybës u vendosën në fillim në Zaloshnjë dhe më pas në Ujanik, ku krijuan një fshat të ri me fisin e tyre.

 

 

Duke i treguar hapësirat e fshatit në lartësin 1000 e ca metra mbi nivelin e detit dhe lart shpatin lindor të malit të Tomorrit, Zyba, me një farë krenarie i thotë Eqerem beut:

 

 

“E shikon këtë mal, e kam blerë një barrë me flori nga vllenjtë. Se ky mal ka qenë me ferman sulltaneshe pronë e vllenjve, pas djegjes së Voskopojës dhe përndjekjeve që u bëheshin atyre në atë kohë. Ata erdhën këtu dhe jetonin në stane, një nga këta stane ishte edhe Ujaniku ku është vendosur sot fshati.

 

 

Mirëpo jetonin në kushte të vështira, sidomos gjatë dimrit. Ndaj ata u detyruan të shisnin malin dhe të uleshin në fushë. Të parët që u ulën nga Tomorri ishin vllenjët që u vendosën në Vërtop, poshtë Tomorrit, ku krijuan fshatin e tyre.

 

 

Pastaj vit pas viti shkuan të tjerë dhe krijuan fshatrat nga Ura Vajgurore deri te urae Kuçit, fshatrat e Qafës së Sqepurit, Strumit deri afër Roskovecit.

 

 

Një pjesë tjetër e tyre e madhe shkuan në malet e Pindit, të cilët vijnë herë pas here te të afërmit e tyre edhe këtu në Tomorr, se ka akoma që banojnë këtu, por edhe në fshatrat që thash më lartë” – përfundon këtë pjesë të bisedës Zybë Ujaniku. (Z. H.)