Rushan Dosti dhe gjetja e tij poetike e “Mirëmëngjesit”!
Kadri Kuka
Rushan Dosti është poet i njohur, autor librash në prozë dhe poezi dhe redaktor. Vërtet Rushani ka punuar si ushtarak, por unë kurrë s’e kam parë si të tillë.
Ai ka qenë gjithmone në “ushtrinë” e letrave të poetëve, të shkrimtareve, të Botës së Letërsisë dhe të Artit.
Ka punuar në gazetën,”Orakulli i Tomorit” dhe sot është shumë aktiv në rrjetet sociale, duke shndërruar faqen e tij të FB në një blog interesant dhe shumë të ndjekur.
Rushani ka një shpirt rebel, i papajtueshëm me veset, me padrejtësitë, me korrupsionin, me njerëzit pa shtyllë kurrizore. Madje ato janë objekt sarkastik në poezitë e tij të çdo mëngjesi.
Është i “hidhur” me çdo gjë të hidhur dhe të papajtueshme me ligjet dhe normat morale dhe penë e “ëmbël” me çdo gjë të mirë, pozitive dhe progresive.
Shkruan për Beratin, por ca më shumë për Skraparin, për vendlindjen, për pjergullat, për rakinë, për rehaninë, për ujin e ftohtë, për dërrasat e shtëpisë së vjetër, për…
Rushani është nje poet i lindur se, sa lind dielli, “lind” dhe frymëzimi i Rushanit dhe me një mikeshë të dashur, siç është rakia për të gjithe poetët, thur vargje të forta 19 gradëshe si rakia e Skraparit.
Rushan Dostin do ta shohësh ngahera të shoqëruar me miq të vërtetë, veçanërisht me ish kolegët e tij, ushtarakë në lirim dhe në pension. Kurrë nuk i harron, shkruan për ta ashtu siç i njeh dhe siç ua di jetën. Për gjallje, por edhe kur ata ndahen nga jeta.
Një ditë të mungojë në FB, alarmohen miqtë e tij realë dhe virtualë dhe nuk pushojnë komentet.
Ai çdo ditë përshëndet “Mirëmëngjes” me mënyrën e tij, me poezi!…
Faleminderit, Rushan, për kënaqësinë që na dhuron!