KëndVështrim: Backa, jo vetëm fshat historik, por edhe turistik

KëndVështrim: Backa, jo vetëm fshat historik, por edhe turistik

Backa është një nga fshatrat më të mëdhenj dhe më në zë të Skraparit. Ndodhet 900-1000 metra mbi nivelin e detit, në kufi  me Korçën.

Sa më lart ngjitet njeriu aq më i gjerë dhe më i madh është pamja dhe horizonti që sheh. Është kjo arsyeja që nga këto vende, nga këto lartësi dalin burra të shquar dhe njerëz që kërkojnë hapësira dhe ajër lirie. Ndaj ata janë kaq patriot dhe luftarakë.

Kur thuaj jam nga Backa, Potomi, Kapinova, Ujaniku të mbushet goja plot, sepse epërsinë ta jep lartësia, horizonti që sheh e me të cilin rritesh dhe edukohesh çdo ditë.

 

Personalisht i admiroj njerëzit e këtyre krahinave.

Në këtë rast po flasim për Backën. Pak e dinë se Krasta, Faqekuqi, Çemerrica, janë krijuar në periudha të ndryshme si fshatra nga fise backallinjsh, pra janë puro backallinj. Po kështu backallinj të shumtë ka në Shtyllë, Lubonjë, Thumanë, Kamëz etj.

Por në këtë rast nuk e kemi fjalën te madhësia, te sasia, numër fshatrash, shtëpish dhe banorësh backallinjës. Jo, e kemi te cilësia, po të shprehemi kështu, për gjithë atë luftë e përpjekje që ka bërë ky fshat në të gjitha periudhat historike;

në periudhën e Rilindjes me dhe çetat për liri e pavarësi  dhe përhapjen e gjuhës shqipe nëpërmjet teqesë së saj me në krye Baba Fetahun;

 

Teqeja e Backës

 

në Luftën e Parë Botërore në luftën kundër andartëve grekë;

 

në Luftën e Dytë Botërore me një numër të konsiderueshëm luftëtarësh në radhët partizane, një pjesë e të cilëve ranë dëshmorë të atdheut;

Qafa e Martës

 

në periudhën e socializmit, ku për shkak të vështirësive të terrenit të ashpër gjeografik, përballoi vështirësi dhe sfida të pa besueshme.

 

 

Lagjja “Barcelona” e Backës, lagje e re e krijuar pas rrëshqitjes së dherave nëvitet ’70 të shekullit të kaluar

 

Backa, pavarësisht se konsiderohet si fshat historik, është edhe një fshat me natyrë dhe bukuri  të rrallë turistike, ende të panjohura nga turistët dhe nga shteti.

Me në sfond Çukën e Frengut, Ostrovicën dhe Qafën e Martës, nga çdo drejtim dhe këndvështrim që të dalësh, Backa të lë pa frymë me pamjet e saj mbresëlënëse.

Ndaj qëllimi i këtij postimi është, që, krahas vlerave të tjera, të evidentojë dhe promovojë edhe këto vlera kaq të çmuara natyrore dhe turistike.

Kush shkon në Backë, i ftuar apo i pa ftuar, mik apo udhëtar nuk ngelet kurrë i zhgënjyer. Shkoni dhe provojeni se sa i mirë dhe i bekuar është ky fshat.

 

Nuk do të zhgënjeheni asnjë çast dhe asnjëherë. (Z.Hoxha)