Barçi i Sipërm, belvedere e Tomorricës

Barçi i Sipërm, belvedere e Tomorricës

Në Skrapar ka shumë fshatra, që i ka bërë të njohur dhe të dallueshëm jo vetëm pozicioni gjeografik dhe  bukuria natyrore, por edhe tradita në kulturën e punës, të jetësës dhe të mikpritjes. Por, nëse do të bënim një klasifikim të thjeshtë për këto, Barçi i Sipërm në krahinën e Tomorricës renditet në majën e piramidës.

 

Kujt i ka rënë rasti të ketë bujtur në shtëpitë e Metanëve dhe  Birakëve të këtij fshati do të më japë të drejtë për këtë që po them.

 

Do të vija në dukje një veçanti që ka ky fshat, që e ka vërejtur kushdo që ka vajtur atje, por që i ka dhënë emër dhe vulë, ka qenë një oficer italian i mbetur për gati një vit aty, pas kapitullimit të Italisë fashiste nga lufta, i cili, siç më ka treguar i ndjeri Tefik Rama nga ky fshat, e ka quajtur Barçin e Sipërm, “Balcone, belvedere della Tomoninci” (Ballkon i Tomorricës).

Si duket italiani i shkretë ka qenë natyrë romantike dhe i kujtohej vendi i tij në Alpe apo në hapësirat e Toskanës, se çdo mëngjes dilte te lisi i Hajros dhe, me minuta të tëra, sodiste pamjen madhështore që i dilte përpara me Tomorrin në mes. Si duket shuante sadopak mallin për vendin e tij të lindjes.

 

Dhe vërtet nga Barçi nga kjo “belvedere e Tomonincit”, siç e quante italiani i luftës, pamja që të del përpara është impresionuese, nga aty shikon gjithë pjesën lindore të malit të Tomorrit, që ndryshon shumë nga ajo perëndimore, është më e veshur, më e pyllëzuar dhe më lulëzuar.

 

Duket e pabesueshme, por nga kjo anë, brenda ditës, në orë të veçanta, Tomorri merr të ndara të shtata ngjyrat e spektrit të ylberit. Ndryshe duket tani dhe ndryshe pas një ore, me ngyrë tjetër në mëngjes dhe me ngjyrë tjetër në mbrëmje.

 

Nga Barçi duket gjithë lugina e lumit të Tomorricës, nga burimi i tij në kodrat e Turbëhovës dhe Gostënckës dhe deri ku ai derdhet, në Devoll, me kodrat e Sulovës pranë.

Lisi i Hajros

 

Ndërsa përballë të shfaqen si kështjella gjigante njeri i pas tjetrit mali i Zaloshnjes me Shpellat e mëdha, mali i Mëlovës, Gryka piktoreske e Dëvrisë, që vazhdon me malin e Leshnjes. Ndërsa më tej, në jug, në kohë të mirë shfaqet mali i Miçanit dhe më tutje akoma Nemërçka.

 

Por dale, se pasuritë dhe bukuritë e Barçit nuk mbarojnë këtu, është mali mbrapa, një mrekulli tjetër e papërshkrueshme, por edhe hambar e qilar i banorëve të këtij fshati, nga stanet e të cilit shkarkoheshin bidonat me qumësht, shekujt me djathë, gjizë e bulmet erë trëndelinë.

 

Ishte kjo arsyeja që Barçi i Sipërm, veç si ballkon, si belvedere, mbahej edhe si “Oda e Miqve” të Tomorricës.

Të dërguar të qeverisë, miq e udhëtarë që kishin punë në Tomorricë nguteshin të mbaronin sa më shpejtë që nata t’i zinte në Barçin e Sipërm, ku asnjë familjeje nuk ia “bënte tërrt syri” për të pritur milkun dhe ku gjenin një pritje mbretërore.

 

Po tani? Është për të ardhur keq, që nga 25 shtëpi që kishte fshati para viteve ’90, nuk asnjë!

 

Ku vemi kështu, pse braktisen në këtë farë mënyre këto vende përrallore. A do të vij ndonjë ditë që këto vende që natyra i ka mbajtur me hatër, të rikthehen si dikur!?

 

Shpresojmë, derisa shpresa vdes e fundit! (Z. Hoxha)