Qerim Panariti / Një leksion “par excellence” gazetarisë së sotme shqiptare

Qerim Panariti / Një leksion “par excellence” gazetarisë së sotme shqiptare

Petrit F. Zeneli

 

Ishte i pari gazetar shqiptar i diplomuar në SHBA, në Universitetin Clark të Worcesterit, më 1926, në moshën 34-vjeçare, duke marrë dhe medaljen “W. Franklin” për rezultate të shkëlqyera.

 

 

Qerim Panariti quhej, nga Panariti i famshëm i Korçës, i djemve të talentuar e virtuozë; gazetar profesionist, editor, historian, biograf, analist dhe militant veteran i orëve të para të “Vatrës.

 

 

I gjendur atëhere në mes dy titanëve të mendimit dhe letrave shqipe, i dy kundërshtarëve më të ashpër por dhe më të dashuruarit e vlerave gjeniale respektive, Fan  Nolit dhe Faik Konicës, asnjëherë nuk qëndroi nën hijen e tyre, por ruajti personalitetin e tij të pacënuar, duke u njohur korifejve çdo vlerë e meritë, por dhe kritikuar çdo të metë e gabim.

 

 

Vetëm në këtë mënyrë ai bëri emër të madh si gazetar patriot e demokrat, por dhe si intelektual klasi, jo vetëm për nga mençuria, urtësia,  kultura e gjerë e solide, por edhe nga mendimet e pavarura e tepër të guximshme, që flisnin qartë për karakterin dhe dinjitetin e tij. Çfarë mendonte konkretisht ai për Fan Nolin, shprehur në ditarin e tij:

 

– 21 janar 1936, – Pata një bisedë me F. Nolin. Ai është njeri interesant, i kulturuar dhe i mirëinformuar, por rrëshqitës dhe inatçi.

 

– 19 korrik 1938, – Fan Noli është deri diku i pakënaqur, lidhur me një artikull timin për të, ku unë e akuzoj për mosçuarjen deri në fund të Reformës Agrare, propozuar prej tij.

 

– 31 tetor 1944, – F. Noli është duke punuar për organizimin nga të gjitha kishat që të dërgojnë telegrame forcave aleate për njohjen e qeverisë shqiptare të Beratit. Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumanëshëm nga çdo pikëpamje, i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vegjëlia dhe një gjigant intelektual.

 

 

Si çdo kurbetli, Qerimi e nisi nga hiçi dhe falë vullnetit të hekurt e inteligjencës, etjes për dituri dhe krenarisë së origjinës, i frymëzuar gjithnjë nga një ideal patriotik, arriti, përmes sakrificash e mundimesh të panumërta, të studiojë, të krijojë personalitetin e vet dhe të çmohet lart, pa arritur të bëhet kurrë i pasur.

 

 

I lindur në Panaritin e thellë malor, më 1892, pasi njohu mjerimin dhe shtypjen e një fshatari të varfër, shkoi në Amerikë në moshën 14-vjeçare për të fituar bukën e gojës. duke punuar rëndë si argat në ndërtim e bujqësi, si kovaç e bari, pa lënë mënjanë formimin dhe shkollimin e tij. Ndërkaq, duke përjetuar fatin e atdheut të robëruar, më 1911, hyn në një çetë vullnetarësh dhe vjen në Shqipëri për të luftuar, si një ushtar besnik i lirisë së atdheut.

 

 

Në 1916-ën, kthehet rishtas në SHBA dhe vendoset në Boston, ku njihet me motrat Qiriazi. Ato do ta ndihmojnë, që pa u shkëputur nga puna si punëtor hekurudhe dhe ferme, të ndjekë Akademinë e Lirë të Hitchcock të Brimsfildit. Edhe kur e morën ushtar dhe e çuan në Teksasin e largët, ai nuk do t’i ndante librat, deri sa kreu universitetin për gazetari.

 

 

 

Zgjedhja e gazetarisë si profesion, nuk ishte e rastësishme për Qerim Panaritin. Duke qenë i lidhur ngushtë me lëvizjen kombëtare dhe aksionet e saj patriotike, ai e vështronte shtypin si sferën më të rëndësishme të jetës politike dhe shoqërore të shqiptarëve të Amerikës.

 

 

Për afro 25 vjet (1940-1963), “Dielli” do të botohet nën drejtimin e tij, duke shënuar kështu një nga periudhat e veta më të frytshme dhe mbetur kryeredaktori më jetëgjatë i “Diellit”. Në qoftë se në vitet ’40-‘50, gazetari demokrat, i entuziazmuar nga heroizmi i popullit shqiptar në luftën për çlirim dhe rindërtim, do të vihet ne mbrojtje të shtetit të ri shqiptar, duke e pasqyruar gjerësisht në gazetë, më pas, ai do të zhgënjehet dhe do të vihet në opozitë e konflikt të hapur me të, kur mori vesh pushkatimet pa gjyq dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut. Ky është gazetari model, që lind e vdes si rob i së vërtetës.

 

 

Qerim Panariti jetoi 84 vjet dhe mbylli sytë në mërgim, në vitin 1976, i zhuritur nga malli dhe dëshira e zjarrtë për të parë atdheun e dashur për të cilin ai kish shkrirë tërë jetën. Ky është Panariti, që ne vakëfllinjëve na bën të ndihemi krenarë, jo vetëm para Korçës, por para gjithë kombit!