Teuta Skrapari: “Dëgjoni këngën time”!…

Teuta Skrapari: “Dëgjoni këngën time”!…

Zylyftar HOXHA

 

Ishte ende fëmijë, kur me zërin e saj të pastër e kumbues tërhoqi vëmendjen e shokëve dhe shoqeve të shkollës, mësuesve dhe bashkëfshatarëve të saj atje në Strorën e largët të Skraparit, në fshatin e njohur për këngë, aheng e muhabet të veçantë si asnjë fshat tjetër i asaj krahine.

Por kishte edhe një arsye më shumë që kjo vajzë e vogël, me dhunti natyrore, me një talent të lindur, të veçohej e të binte në sy.

 

 

Ajo ishte mbesa e Ceke Koçit, një nga themeluesit e grupit karakteristik popullor të Strorës, që këngën e kishte zanat dhe për shumë vite me radhë përfaqësonte dhe nderonte në veprimtaritë e rëndësishme lokale apo kombëtare rrethin e Skraparit.

 

Ambienti i ngrohtë e gazmor familjar kur mblidheshin pas pune darkave ose kur kishte dasma, gosti në shtëpi, lagje apo fshat bënë që Teuta e vogël të dëgjonte dhe të ndiqte me vëmendje këngët dhe vallet popullore të më të mëdhenjve dhe, nën zë, fshehurazi, të kultivonte bukur zërin e saj.

 

 

I ati i saj, Rizai dhe e ëma, Lumturia panë se vajza e tyre, Teuta po rindiste dhe nuk po linte të shuhej “zjarrin e Ceke Strorës”, ushëtima e këngës së tij legjendare, nuk e penguan asnjë herë që ajo të shkonte në çdo dasmë e gosti që kishte fshati, jo për të dëgjuar, por për të kënduar dhe për të nderuar të zotët e shtëpisë.

 

 

Në këtë shtrat tradicional, me këtë relikte të çmuar që ajo gjeti në themelet e shtëpisë, që ishte kënga e gjyshit, të cilën ajo e dëgjonte shpesh në radio, filizi po bëhej një bisk i drejtuar dhe i kultivuar mirë.

 

 

Veprimtaria e parë, ku spikati individualiteti dhe virtuozitet i zërit të saj, ishte me grupin “Riza Cerova” në Tiranë me drejtues artistik, të ndierin Hamza Idërshai. Grupi ishte miks, karakteristik popullor, por edhe me këngë të kultivuara me motive popullore. Kënga e saj për Riza Cerovën çelte gjithmonë dhe kudo programin e këtij grupi.

 

 

Projekti dhe produkti i saj i parë madhor qenë albumi me 10 këngë, një bashkëpunim i frutshëm me kompozitorin tashmë të njohur, Klodian Qafoku. Më pas, në vitin 2007 ajo doli me një album tjetër të suksesshëm, sukses, të cilin ajo e ndan me bashkautorët Genc Malaj dhe Armando Trebicka.

 

 

Si një këngëtare tashmë e pjekur dhe e konsoliduar, ajo e di dhe e vlerëson se kënga nuk është një kontribut individual, sado zë të mirë dhe të e intonuar të kesh, po nuk bashkëpunove në grup për tekset, për orkestrimin etj. Falenderon, veç të tjerëve, për tekstet që ka shkruar posaçërisht për të, Arben Dukën e ndjerë, por edhe bashkëpunëtorin, të mirënjohurin Petrit Lulo me disa duete.

 

 

Se ka qenë ky bashkëpunim dhe harmonizim, ndaj repërtori i saj ka qenë i gjerë dhe i larmishëm. Tematika e këngëve të Teutës  prek shumë aspekte të jetës së përditshme, nga temat shoqërore, ato lirike e sociale, e deri tek temat patriotike që ajo këndon me tërë pasionin e shpirtit të saj.

 

Kur e pyesim të veçojë disa nga këngët më të mira, më të ndjekura, më të duartrokitura, ajo e ka të vështirë, pasi secila ka atë të veçantën e vetë, megjithatë, për të në krye qëndrojnë këngët: “Dy mbretëreshat”, “Mali i Tomorrit”, “Dhëndërri dhe nusja”, “Mandilja” dhe kënga e fundit fare “Lulja e bekuar”.

 

 

Tani ajo ka një mori disqesh, albumesh e vdieo në Yotube me këngë lirike të trevës së Skraparit, por edhe me ato trevave të tjera jugore si të Përmetit, Gjirokastrës, Tepelenës, Mallakastrës, Myzeqesë, por edhe me këngë të përpunuara dhe të kompozuara. Në rrugëtimin e saj gati 20-vjeçar me kënëgën Teuta ka një “gjeografi” të admirueshme lëvizjesh me koncerte në disa vende të Europës si me shoqatën “Nënë Tereza” në San Benedeto dhe Trento të Italisë, por edhe me grupe të tjera në Gjermani, Kroaci, Greqi, Turqi, Kosovë, natyrisht, por edhe në të tjera vende.

Ja psh, këto ditë ajo ka debutauar në dsa qytete të Italisë së Veriut.

 

 

Nga biseda me Teutën mësova se në gjithë atë rrugë artistike që kishte bërë, çdo suksesin e saj ia dedikonte familjes, prindërve, fëmijëve të saj të mrekullueshëm, Ornelës, Xhorxhinës, Renaldos dhe Kastriotit që i “ka rritur me këngë”, jo vetëm në kuptimin metaforik, por edhe në atë konkret, real. Dashuria që i japin ata e frymëzojnë, e nxisin të mos i ndjejë vështirësitë që ka ky profesion sa i mirë dhe i dashur në dukje, aq edhe i vështirë dhe i mundimshëm në të vërtetë.

 

 

 

Nuk mund të mbyllja këto shënime pa shpjeguar një detaj, të vogël në dukje, por të domosdoshëm kur flitet për jetën e një njeriu, për profilin e tij njerëzor dhe artistik, siç është rasti i Teutës, e cila mban mbiemrin “Skrapari”.

 

 

Shpjegimi i saj është i thjeshtë: “E di përgjëgjësinë që kam marrë për ta justifikuar këtë mbiemër, por më ka ndihmuar fakti që unë rrjedh nga një familje me emër në Skrapar, dhe s’besoj se më paragjykon njeri, por edhe fakti që me bashkëpunimet e mia artistike, kudo që shkoj, kudo që interpretoj, që këndoj, çoj ndonjë çikë Skrapar dhe, më duket se e çoj mirë atë”!