Kamber Grëmshi: “Ismail bej, për cilin e ke bërë zotrote Shqipërinë, vetëm për të gjatët apo edhe për të shkurtrit”?!…
Skënder Luarasi në librin e tij “Isa Buletini” tregon një episod për një skraparlli në ditët e formimit të ushtrisë, më 4 dhjetor 1912, të cilin ia kishte treguar një bashkëkohës me emrin Shefki Aliko.
“Në Vorë në muret e ndërtesave të qytetit u afishua një urdhër: “Kushdo që dëshiron të shkruhet suvarí (kalorës) të vijë në zyrën…”. Dhe shënonte zyrën.
Kamber Grëmshi, që qe shtatshkurtër u paraqit te organizatorët dhe u tha se kam edhe unë kalë me shalë me takëmet dhe armët, prandaj dua të regjistrohem. “Mirë, more mirë, i tha një oficer shqiptar, po pa mbështet një çikë trupin pas murit atje të shohim sa i gjatë. Kamberi bëri si e urdhëruan; oficeri lexoi lartësinë metrit në mur dhe tha se shtatin e ka disa centimetra më të shkurtër nga sa e parashikonte rregullorja, prandaj nuk e pranuan.
“Ashtu, më i shkurtër seç e parashikon rregullorja! Ja këtë nuk ma kanë thënë në kohën e Turqisë, kur shërbeva kaq vjet si suvari. Por pa më thoni ku mund ta gjej Ismail Qemalin?
Dhe u nis drejt Skelës. I dhanë leje dhe gjeti në shoqëri me Isa Buletinin. Si e përshëndeti kryetarin e qeverisë provizore me atë fisnikëri të vërtetë që dinë të përshëndesin vetëm fshatarët shqiptarë, Kamberi i tha me nxitim dhe i zemëruar:
“A nuk më thoni, Ismail Bej, për cilin e ke bërë zotrote Shqipërinë, vetëm për të gjatët apo edhe të shkurtrit”?!
Ismail Qemali donte ta dinte si e kishte hallin skraparlliu. Dhe ky i tregoi se çfarë kishte ngjarë në zyrën e rekrutimit. Plaku i nderuar i Shqipërisë vuri buzën në gaz, shikoi Isa Buletinin, sikur do t’i përgjigjej ai Kamberit:
“Edhe për të shkurtrit, edhe për të gjatët”, tha Isa Boletini, duke vënë buzën në gaz. Dhe e përcolli të gëzuar me porosi për komisionin që ta pranonin Kamberin si suvari.