Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre në trevat rreth Tomorrit”: Testamenti i Gjon Muzakës (Pjesa e Dytë)
Ylli Polovina
“Juve, Don Teodor, djalë i parë, po ju lë Belgradin me të gjitha tokat e veta, Muzakinë me gjithë çka përbrenda dhe qytetin e Kaninës me të tëra tokat, si edhe Skraparin.
Ndërsa juve, Don Adrian, po ju lë Tomoricën me të gjitha vilat dhe fshatrat e saj, Serkin, Midinjën, Serezin, Dushkasin, Oparin, Lavdarin, Marianin e Voskobecin, dhe këto, siç kam thënë, përfshijnë Shtetin e Oparit e të Lavdarit gjer në fshatin Marjan të lartpërmendur, dhe ju lë edhe territoret e Devollit të Madh me qytetin e Korçës dhe fshatin Savjan”…
Dinastia në ciklin e saj të pandërprerë të vazhdimësisë e ka traditën e trashëgimit pronësor ndryshe prej shumë familjeve të tjera feudale arbërore. Edhe pse në pamje të parë duke rrezikuar dobësimin, ajo pronat i ndante mes të gjithë meshkujve pasardhës, sado të qenë ata. Ndërkohë që nuk e përqendronte fuqinë vetëm tek njëri, i pari e më “duarforti” i vëllezërve, i ndodhi të rezistonte në kohë më shumë se gjithë principatat e tjera. Pasoja e mbarë e këtij parimi trashëgimie shmangte më së paku luftën e brendshme. Po ashtu kultivonte dashurinë mes vëllezërve, ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta mes tyre, harmonizimin e detyruar të veprimeve për mbarëvajtjen e principatës.
Duke qenë se asnjëri prej Muzakajve nuk ishte zoti tërësor dhe ekskluziv, atëherë cila pjesë e pronës tradicionale ndodhej, kur qe gjallë, në duart e Gjin Muzakës dhe për pasojë trashëgohej nga i biri Gjon? Ky shpjegim mund të na ndihmojë sadopak të kemi një përfytyrim për qëndrimin e ftohtë të beratasve ndaj kësaj dege të dinastisë.
Na ndihmon vetë testamenti i shkruar në Napoli: “Nga Andrea II Muzaka, Despot, lindën tre djem e dy vajza. Fëmija i parë quhej Gjin, i dyti Teodor dhe i treti Stojo…Djalit të parë, Gjin Muzakës, i ati i lëshoi të gjithë atë pjesë të shtetit që mbetej jashtë qytetit të Belgradit, Muzakisë dhe Kosturit; të dytit, Teodorit, i la Belgradin e Muzakinë; të tretit, Stojës, i la Kosturin bashkë me të gjitha fshatrat e përfshira në këtë territor”.
Kjo do të thotë se mes trashëgimtarëve meshkuj të dinastisë Muzaka dega e Gjinit nuk e kishte Beratin. Për aq sa në këtë fragment të testamentit duket e qartë, Tomonishtën, pra Myzeqenë e Vogël, Tomoricën dhe Skraparin, i ka i ati i Gjonit. Për rrjedhojë edhe ai.
Duke qenë se Teodori nuk la trashëgimtarë, qyteti i Beratit me Myzeqenë (ose një pjesë të saj), i kalon natyrshëm dhe ligjërisht të vëllait të tij, Gjinit. Testamentshkruesi Gjon pa ndonjë ngulmim të veçantë, por jo duke e quajtur pa rëndësi, thotë se ndër dy djemtë e Andrea Muzaka III, më i madhi nuk qe Teodori, xhaxhai, por i ati i tij, Gjini. Kjo hierarki në pemën gjenealogjike të familjes e bën më të detyrueshëm e të drejtë kalimin tek ai të pronave të vëllait të vdekur.
Kështu në korrik 1455, kur xhaxhai i testamentshkruesit nuk jetonte më, edhe pse i pushtuar nga turqit, qyteti i Beratit i qe premtuar Gjergj Kastriotit, por i përkiste Gjin Muzakës.
Në dëshminë pronësore që u lë tre bijve, Gjoni përcakton një për një kufijtë e të gjithë principatës, duke na lënë kështu si provë se në vitin 1510 prej trashëgimtarëve të saj ka mbijetuar vetëm dega e tij. Ndërkaq pohon që ka edhe një vëlla, të quajtur Andrea, i cili ka një djalë me emrin e të gjyshit, Gjin.
Fatin e këtij të fundit nuk e dimë, sepse edhe Gjoni nuk e shpjegon. Po ta besojmë heshtjen e tij si dëshmi që i vëllai nuk jeton më, e përforcojmë këtë ide edhe nga mënyra se si ai ua shpërndan të gjithë principatën tre djemve të tij.
“Unë e ndaj pronën time midis jush, Zoti me shpirtmadhësinë e tij le t’jua dorëzojë”, deklaron në testament Gjon Muzaka, duke i shkruar vetëm përafërsisht, për shkak të tingëllimit italisht, shumë nga emrat shqiptarë të vendeve të cituar.
“Juve, Don Teodor, djalë i parë, po ju lë Belgradin me të gjitha tokat e veta, Muzakinë me gjithë çka përbrenda dhe qytetin e Kaninës me të tëra tokat, si edhe Skraparin.
Ndërsa juve, Don Adrian, po ju lë Tomoricën me të gjitha vilat dhe fshatrat e saj, Serkin, Midinjën, Serezin, Dushkasin, Oparin, Lavdarin, Marianin e Voskobecin, dhe këto, siç kam thënë, përfshijnë Shtetin e Oparit e të Lavdarit gjer në fshatin Marjan të lartpërmendur, dhe ju lë edhe territoret e Devollit të Madh me qytetin e Korçës dhe fshatin Savjan.
Juve, Don Kostandin, po ju lë të gjithë territorin e Devollit të Vogël dhe qytetin e Kosturit me të tëra fshatrat e tij gjer tek Nostramo, që sot është shkretuar”.