Ç’është emoji, që po na bën pa gojë?

Ç’është emoji, që po na bën pa gojë?

Emoji, ndryshe emotions, stikë janë simbole që shprehin qëndrime dhe reagime emocionale të ndryshme gjatë komunikimeve të njerëzve me njëri-tjetrin.

 

 

E ka origjinën fillestare nga një shpikje e Dr. Xhon Emil Falman, në Universitetin e Ohaios në SHBA, në vitin 1982. Për të dalluar postimet serioze nga ato me shaka ai propozoi të përdorej shënja 🙂, dy pika, një vizë dhe një kllapë, që simbolizon buzëqeshjen.

 

U deshën 20 vjet që kjo shenjë të marrë “qytetari”, dhe pas kësaj kohe bota u mbush me emoji/emoticons dhe stikëra të të gjitha llojeve e ngjyrave.

 

Përdorimi i tepërt, gati spazmik i emoji/emoticons, stikërave tregon se gjuha e komunikimit ka ndryshuar.

 

S’ka më të folur metaforik, plot nuanaca dhe ngjyra letrare, s’ka më humor dhe fraza poetike, ka një analfabetizëm emocional, kur komunikohet me celular, kur puthja dërgohet me shënja, me buzë të mëdha, mbushur plot ekrani; kur urimi të dërgohet me një gotë që përplaset me një gotë tjetër; kur tjetri në vend të shkruajë një fjalë të ngrohtë përshëndetëse, të dërgon një tufe lule në (GIF); kur në vend të japë një ide apo miratim me fjalë, të poston një Gif me fjalën “Super” “Bravo” sa gjithë ekrani që të verbon sytë dhe të ndyn telefonin me viruse.

 

Ku shkojmë kështu?

 

Shikoj se shumë njerëz të ditur, të kultivuar, të kulturuar nuk përdorin shenja të tilla gjatë komunikimit në rrjetet sociale, por përdorin fjalët dhe përshendetjet e bukura shqip.

Emoji vërtet është një shpikje, që ka vendin dhe rolin e vet në komunikim. Disave që e kanë të instaluar në telefon u duket, shkencë, art, kur në të vërtet është gjëja më e bezdishme, më e rëndomtë, është një asgjë që nuk thotë asgjë. Përkundrazi të tmerrojnë kur I sheh ashtu tek farfurojnë.

 

Mua, psh, më është dashur një ditë të heq nga celulari postimet me emoji të Vitit të Ri dhe të riformatoj celularin te ustai se më ishte bllokuar nga budallallëqet.

 

O njerëz, komunikoni si njerëz!…

 

Njeriu u bë njeri, kur, nga shenjat kaloi te fjala, e jo të braktisë fjalën dhe të kthehet në origjinë, të komunikojë me shenja!… (Z.H)