“Hipokrati dhe stetoskopi nuk e njohin luftën e klasave”, përgjigjja e mençur që e shpëtoi nga dënimi infermierin Novruz Caka!…
Tomorr Shasho
Çdo mbasdite, ne, burrat e lagjes, dilnim e rrinim nën hijen e pishave ngjitur me Varrezat e Dëshmorëve. Luanim shah, domino,diskutonim për probleme të jetës. Kjo ishte një rutinë e përditëshme.
Atë mbasdite dikush diskutonte me pasion, se lufta e klasave ishte zhvilluar vend e paved…
Në diskutim ndërhyn Novruzi. Përkrahu mendimet e diskutantit dhe filloi të tregojë rastin kur donin ta përjashtonin nga partia si një nga antarët e partisë, që nuk e zhvillonte luftën e klasave.
Novruzi ishte emëruar infermier në fshatin Vërzhezhë. Atë ditë, edhe pse vapë e madhe dhe gjinkallat kishin filluar të këndonin qysh në orët e para të mengjesit, ai, sapo mbaroi së mjekuari plagën e një të sëmuri në Orizaj, u nis për në Vërzhezhë.
S’kishte më shumë se pesë minuta,që ishte freskuar e fshirë djersët nga rruga e gjatë dhe e gjitha malore,ende pa lënë çantën në vendin e vet e të shkonte për të ngrënë drekën, trokiti dera. Para tij qëndronte një djalë rreth 15 – 16 vjeç. Të skuqurit e fytyrës nuk ia dalloje dot nga djersët që e kishin mbuluar. Edhe shi po t’i kishte rënë mbi trup, këmisha nuk do t’i qe lagur më shumë.
– Aman, të lutem, eja se kam babanë shumë të sëmurë. Ka tri – katër ditë shtrirë, por mbrëmë pati temperaturë të lartë, e cila i vazhdon ende.
Novruzi pa e pytur se ku do të shkonte, rrëmbeu çantën, mori ilaçet e duhura dhe së bashku me djalin u nis.
Djali para e ai mbas tij. Do të shkonte në lagjen “Kapllan sipër”, të cilët në atë kohë cilësoheshin me biografi të keqe politike.
S’kishte shumë kohë që ishte emëruar e nuk kishte patur raste që të shkonte në atë lagje.
Me të mbrritur në shtëpi, ashtu tërë djersë, kishte hyrë drejtë e në dhomën e të sëmurit. Si u sigurua se temperatura i ra, i la djalit porositë se si duhej të vepronte në rastin e parë që do t’i ngrihej përsëri temperatura, si dhe cilin ilaç do t’i jepte, u nis për të dalë.
– Joooo, mos lëviz! Do të hash pak bukë. Është vakt dreke e ka kaluar pak. Ju s’kini ngrënë, – kishte folur e zonja e shtëpisë. – Jemi skraparlinj e nuk i shkelim zakonet e mira. Miku nuk nxirret nga shtëpia pa ngrënë. I zoti i shtëpisë kishte lëvizuar pak nga shtrati dhe e kishte falenderuar, që pranoi të hante bukën e tij.
Këtë histori ia Novruzi ia tregoi babait (babai i tij ishte Asllan Osoja, Caka, patriot e veteran i nderuar në gjithë krahinën e Skraparit). Fjalët e të atit i kishin dhënë zemër, i kishin shtuar më shumë dashurinë për profesionin, për kujdesin që duhet të tregonte për shëndetin e njerëzve, cilido të ishte ai.
Në mbledhjen e organizatës së partisë, ku e kishin thirrur për të dhënë llogari pse e si hëngri bukë tek një i deklasuar, Novruzi sillte ndërmend fjalët e të atit: “Pa bukë nuk kishe pse të rrije. Bukë hëngre e s’bëre politikë. Ti shërbeji popullit pa dallime. Je mjek e do të shkosh përsëri, ndoshta edhe natën, ndoshta do të rrish duke dremitur tek koka e të sëmurit cili doqoftë ai. Kemi mbajtur me bukë e mjekuar ushtarë italian të kapur rob, apo që dezertuan nga radhët e ushtrisë së tyre, të cilët erdhën për t’na pushtuar e jo një shqiptar”.
Në mbledhjen e Partisë pati reagime të ndryshme.Pati nga ata që folën, por pati edhe nga ata që heshtën. Tre anëtarë të organizatës kërkuan të dorëzonte teserën në atë moment. Fjalët e një ekstremisti, i cili s’e kishte parë fshatin me sy, i binin si çekan mbi kokë: “Le të kishte vdekur dhe bukën e armikut të mos e kishe ngrënë! Të mos i shkoje në shtëpi! Le ta sillnin në ambulancë me barrela”!
Pa iu dridhur zëri, duke patur parasysh thëniet e Hipokratit dhe me forcën që i dha këshilla e të atit, u ishte përgjigjur:
“Ju vendosni si të doni. Unë bëra detyrën si infermier e, po të jetë nevoja, përsëri do të shkoj, po të jetë nevoja do t’i qendroj përsëri mbi kokë, përsëri do të ha drekë apo darkë. Edhe pse jam antëtar i PPSH, detyra që ushtroj nuk më lejon të zhvilloj luftë klasash. Betimi i Hipokratit nuk shkelet nga mjeku. Po shkele këtë bëtim, duhet të flakësh stetoskopin”!…