“Kalit dhe burrit nuk i dihet jeta”: Refleksion pas një fotoje që të bën të mendohesh

“Kalit dhe burrit nuk i dihet jeta”: Refleksion pas një fotoje që të bën të mendohesh

Duke vështruar këtë foto, ku duket kjo grua pa burrë, me tre jetimë, dy binjakë në djepe dhe një tjetër në këmbë pas saj, nuk ka se si të mos bëjë të mendosh dhe të mos kujtohet një shprehje brilante filozofike të popullit që thoshte: “Kalit dhe burrit nuk i dihet jeta”.

Është një përvojë e dhimbshme njerëzore, që populli shqiptar e ka hequr në shpinë në të gjitha kohërat, me punët, hallet e mundimet, sëmundjet po e po; por më shumë me luftërat e vazhdueshme dhe të pandërprera.

 

Është një fakt i dokumentuar që nga regjistri i parë osmani vitit 1431 në disa pjesë të Shqipërisë, një numur i shtuar i familjeve pa burra, që thellohet më tej në periudhat e mëvonshme historike, ku numri i meshkujve ishte gjithmonë shumë më i vogël nga i femrave.

 

Kthehemi te fjala e popullit që nuk ka nevojë për shumë komente, ku zihet në gojë kali, pastaj burri:

 

Sepse kali rri gjithë ditën dhe natën jashtë, në udhëtim, mes aksidenteve, mes vështirësive të natyrës, mes egërsirave të pyllit, ndaj dhe ka një rrisk më të madh t’i ndodhë gjë.

 

Po kështu është  edhe burri, njëlloj si kali, madje i ekspozuar më tepër se kali, për rreziqet, aksidentet në punë të vështira dhe të rënda gjithë ditën jashtë, në ara, në pyje, në mulli, në pazar, në kuvende, në prita nga hasmi, në kurbet dhe, së shumti, në luftra, si ushtar i detyrueshëm, si mercenar për të mbajtur familjen me bukë apo edhe si vullnetar për të mbrojtur atdheun e vet.

 

Foto legjendare e fotografit shkodran Kol Maca, për të cilën studiuesi Qerim Vrioni ka bërë një libër të tërë 

 

 

Po tani që kanë ndryshuar shumë gjërat a ka vlerë kjo fjalë e urtë?

Fatkeqësisht, po. Por jo në atë masë. Se vërtet që nuk janë ato rreziqet edhe rrisqet e dikurshme, por përsëri meshkujt janë më të ekspozuar dhe predispozuar për të bërë aksidente në punë apo edhe në rrugë, në konflikte, shpesh edhe banale, në pazare të të ndershme apo të pista etj.

 

I pandryshuar me më parë, si një plagë e pambyllur, ngelet kurbeti. (Z. H.)

 

Edhe sot shumë famijle shqiptare janë goditur rëndë, duke pasur ndonjëherë edhe “bilance lufte”.