Një veprimtari e veçantë, e bukur dhe mbresëlënëse me rastin e 7 Marsit Ditës së Mësuesit në “Fafa Resort”

Një veprimtari e veçantë, e bukur dhe mbresëlënëse me rastin e 7 Marsit Ditës së Mësuesit në “Fafa Resort”

Nderim mësuesit Abdulla Bregu

 

Ashtu edhe siç ishte lajmëruar që parë në rrjetet sociale, në mjediset e kompleksit turistik “Fafa”, është zhvilluar mbrëmë një veprimtari e bukur dhe mbresëlënëse në kuadrin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

 

Kjo veprimtari, megjithëse përkujtimore dhe elegjiake, ishte konceptuar dhe ashtu u realizua, si një mbrëmje galá, kushtuar një figure ikonike të Arsimit në Skrapar, Abdulla Bregu, që u nda nga jeta një vit më parë, sepse kështu dinë të konceptojnë dhe realizojnë mjeshtra të tillë, që e njohin skenën dhe ekranin, si Hajri Nuhu dhe moderatorja Elitjona Doko, gazetare.

Mbrëmjen e çeli Hajri Nuhu, këtë radhë në rolin e kryetarit të shoqatës kulturore atdhetare “Tomorri”, dega Durrës, i cili që në fillim të fjalës së tij, në emër të të gjithë pjesëmarrësve, falenderoi administratorin e përgjithshëm të kompleksit turistik “Fafa”, Fatos Çerenishtin, për mundësinë që i ka dhënë shoqatës Tomorri, dega Durrës, që të zhvillojë, jo vetëm këtë radhë, por edhe shumë herë të tjera, veprimtari të tilla në mjediset luksoze të “Fafa”-s.

Duke vazhduar fjalën e tij hapëse, Hajriu u përqëndrua më tej në rëndësinë që ka patur dhe ka Dita e Mësuesit për skraparllinjtë kudo që banojnë dhe punojnë dhe se çfarë lufte e sakrifica kanë bërë ata për arsimimin e tyre në breza.

Në fund të fjalës, ai veçoi një prej mësuesve të shumtë heronj të pashpallur që ka patur Skrapari, mësuesin, studiuesin dhe publicistin Abdulla Bregu, dhe ftoi të të ndiqej një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së këtij mësuesi, të realizuar prej tij dhe studios filmike “Musaj”.

 

Pas fjalës së hapjes, menjëherë pjesëmarrësit i përshëndeti i mirënjohuri Fatos Çerenishti, duke u shprehur se është kënaqësia e tij të ketë njerëz dhe veprimtari të tilla në kompleksin e tij, dhe dyert e tij do të jenë përherë të hapura për ta.

Emocionuese ishte fjala e mësuesit kërçovar, Nazif Selimi, ish-nxënës i mësuesit të Popullit Pertef Therepeli, që punoi deri në fund të jetës së tij në Jagoll të Kërçovës. Ai në fjalën e tij, përmendi përpjekjet që ka bërë Abdulla Bregu dhe ish-nxënësi i Pertefit, i ndjeri Qamil Feza për ta bërë të njohur dhe për ta vlerësuar figurën e mësues Pertefit në të dy anët e kufirit.

Më tej për jetën dhe veprimtarinë e Abdulla Bregut si drejtues dhe mësues foli kolegu dhe miku i tij, Gëzim Aliaj, ndërsa për anën tjetër të veprës së Abdullait si studiues dhe krijues në disa fusha, foli publicisti Zylyftar Hoxha.

 

Ajo që mori shumë duartrokitje në këtë veprimtari, ishte përshëndetja e kryetarit të Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, që, në mungesë për të qenë aty nga një angazhim tjetër madhor, u bënte gjithë mësuesve pjesëmarrës në këtë veprimtari, por, me këtë rast, edhe mësuesve të Skraparit.

 

Pas përshëndetjes së kryetarit të Bashkisë, e mori fjalën Albert Lamçe, njëri nga dy përfaqësuesit e Bashkisë dhe Drejtorisë Arsimore të Skraparit, të cilët kishin sjellë edhe vlerësimin e Bashkisë për Abdulla Bregun.

Duke përshëndetur pjesëmarrësit, ai përmendi edhe një herë një nga cilësitë dhe vetitë e popullit të Skraparit, që, para shkollimit të fëmijeve, populli i kësaj krahine nuk vë asgjë tjetër. Dhe këtë nuk e them unë, por e ka vërtetuar historia, përfundoi fjalën ai.

Veprimtaria u mbyll me fjalën e miqve, shokëve e kolegëve nga salla, ndërmjet të cilëve, Hajri Kapllani dhe ish-mësuesja, kolege prej më shumë se prej tetë vitesh në shkollën e Vëndreshës, Donika Dervishi.

 

 

 

 Foto nga dorëzimi i i Certifikatës së Mirënjohjes, akorduar nga Bashkia e Skraparit mësuesit Abdulla Bregu

 

 

Më poshtë, në pamundësi për të siguruar mëteriale të tjera nga veprimtaria në fjalë, “Orakujt e Tomorrit” po botojnë fjalën e publicistit Zylyftar Hoxha:

 

 

Të respektuar pjesëmarrës, familjarë, miq dhe shokë të atij që na ka mbledhur këtu, në një ditë simbol, siç është “Dita e Mësuesit”, të cilën ai e quante Ditëlindjen e tij, të të ndjerit Abdulla Bregu!

 

E quante ditëlindje këtë ditë, sepse me të lidhi dhe bëri jetën, një jetë aktive, me uljet e ngritjet e saj, gjithësesi e plotë, e bukur dhe e realizuar në të gjitha pikpamjet.

 Në këtë fjalë të shkurtër, unë do të flas për për një aspekt të veçantë dhe shumë të rëndësishëm të jetës së tij, që është hulumtimi shkencor dhe krijimtaria historiko-letrare. 

 

Ne, si shqiptarë kemi shumë vlera që na i kanë detyruar kushtet e vështira jetësore dhe historike, vlera që nuk i ka asnjë komb apo popull tjetër, por, fatkeqësisht, ne, ca nga kushtet, ca nga sundimet e huaja dhe ca të tjera, si kokë më vete që jemi, kemi edhe antivlerat tona. Më të mëdhatë dhe më fatkeqet janë, që nuk kemi histori të shkruar.  

 

Dhe kjo është një fatkeqësi e madhe shqiptare që e vuajnë shumë njerëz të ditur, të arsimuar, të kultivuar dhe largpamës, siç ishte edhe miku ynë i vyer dhe i paharruar Abdulla Bregu.  

 

Abdullai, më shumë se kushdo koleg tjetër i asaj kohe, bëri dhe pati parasysh në të gjithë jetën e tij aktive intelektuale devizën latine “Verba volant, skripta manent”, që do të thotë se fjalët i merr era, humbasin, harrohen; e shkruara mbetet.

 

Ai vuante për fjalën dhe lozte me fjalën. 

 

Populli thotë: I mençuri vuan dyfish, vuan të tijën, por vuan edhe të tjetrit. Dhe Abdulla Bregu ishte nga ata lloj intelektualësh, që më shumë se të tijën, vuante të tjetrit, jo fukarallëkun, por mosdijen, injorancën, varfërinë historike. 

 

Është kjo arsyea që ai, më shumë se shumë intelektualë të kohës së tij, iu kushtua thesarit popullor dhe pasurisë historike të popullit tonë, iu kushtua letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj, duke mos i shpëtuar asgjë nga kryeveprat botërore.

Jo kushdo llafosej me Dulen, flas për njerëz të shkolluar, se ai të turpëronte me atë bagazh mendor shumëdimensional që shfaqte natyrshëm edhe në bisedat më të thjeshta dhe më të rëndomta. Sepse blinte, dëgjonte shumë dhe shiste pak, pra fliste pak, se kështu veprojnë të mënçurit.

Ka bërë studime për ngjarje të zonës dhe për figura historike, të cilat i ka publikuar në organe të ndryshme të shtypit tone, siç janë Shaze Spathara, Sulejman Spathara, Syti Vëndresha etj.

 

Ka shkruar dhe botuar librat “Baba Fezo Therepeli – monografi”, “Riza Vala, njeriu i pamposhtur – monografi”, “Historia e Vëndreshës” me bashkëautorë Gëzim Aliajn”, “Hoqa pak pluhur, personazhe dhe profile të viteve 1614 -1944”, librin “Edhe kaq, mirë, një histori për shkollën e Vëndreshës”, romanin “Kapedani Ynë” etj.

 

Ka botuar shkrime monumentalë me të dhëna burimore dokumentare nga Arkivi i Shtetit për kryengritësit Rilindas, Tajar dhe Tefik Vëndreshën; shkrimin “Ganimet Vëndrësha, dallandyshja e parë e Baletit Shqiptar”, shkrimin “Ujët e thellë” për Mustafa Spatharën; “Pertef Therepeli – monografi” etj., të cilët i ka kthyer në libra në dorëshkrim, që presin dritën e botimit. Madje këtë të fundit e ka dërguar në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut për ta plotësuar me të dhëna të tjera atje.

Idhull kishte gjyshin, Daut Bregun, një njeri të ditur, me zgjuarësi natyrale dhe humor brilant, të cilit i ka mbledhr çdo falë e çdo bëmë, që përbën një libër tjetër në dorëshkrim.

 

Ai ishte një minierë floriri, një ajzberg, që shfaqte, si ajzbergu, vetëm 1/7 e dijeve të tij.

Kureshtar për gjithçka, lexues i rrallë, erudit, polemizues, sedërli, i traditës, i dollisë dhe i rakisë, një figurë e plotësuar në përsosmëri, që i kishte lezet edhe mënyra se si kruante kokën.

 

Ai siç e dhe fliste thjesht, qetë, me gurë kandari, me metafora dhe në mënyrë lakonike,  ashtu edhe shkruante me një stil të vetin, me një figuracion të pasur dhe plot kolorit nga që njihte mirë gjuhën e popullit, të cilën e përdorte shpesh në vendin dhe momentin e duhur. Natyrisht duke i shtuar edhe nota të forta humori.    

 

Më ka çuditur Hajriu dhe Gëzimi, të cilët, duke punuar për insertin që u shfaq sot, shkuan në Berat dhe hapën arkivin personal të Dules. Çfarë nuk kishin gjetur në të, një thesar të vërtetë vlerash dokumentare, historike dhe letrare, me të cilat mund të mbushen volume të tëra.

 

Në trajtesën time unë kam si objekt vetëm krijimtarinë e tij historiko-letrare, por sa i suksesshëm në këtë fushë,  ai shfaqet akoma edhe më i suksesshëm edhe në një profil tjetër  profesional , shkencor dhe njerëzor, si  drejtues dhe mësuse krijues në fushën e pedagogjisë. Atij i ra të punojë me disa lloj platformash pedagogjike, duke filluar nga ajo sovjetike, që vazhdoi deri në vitet ’70, më pas u bë reformimi dhe masivizimi i shkollës , që qe fushë e re e pashkelur, një revolucion i vërtetë i mendimit didaktik origjinal shqiptar dhe, së fundmi, në ndryshimet rrënjësore të teksteve dhe metodave të mësimdhënies.

 

 Edhe këtu,  si një profesionist i aftë dhe zoti, me përvojën jetësore, maturinë dhe kujdesin që e karakterizonte në çdo gjë, ai qe ndër drejtorët dhe mësuesit avanguardist të mendimit pedagogjik. Janë me mijëra faqe me shkrimet e tij në gazetat profesionale të kohës, “Mësuesi”, Revista Pedagogjike, manualete didaktike qëndrore dhe lokale për metodat e reja në mësimdhënie. Në arkivin e tij personal janë me mijëra faqe trajtesash dhe temash shkencore në veprimtari të ndryshme pedagogjike, konkluzionesh, mësimesh të hapura, eksperimente pedagogjike, të cilat kategorizohen pa frikë si krijimtari personale.

 

I tërë opusi i tij shkencor, krijues dhe hulumtues, e bën Abdulla Bregun një figurë të ndritur, të nderuar dhe të respektuar në Skrapar në disa fusha.

 

Dikush, kur ai ndërroi jetë e quajti rilindësi i fundit i mendimit dhe gjykimit të kultivuar në Skrapar.

 

Po, i tillë ishte dhe i tillë do të mbetet sepse mbylli një epokë që vështirë të përsëritet më.