Rubrika “Udhëtim nëpër Skrapar…”: GURI I PELLAZGUT, TËRROVË

Rubrika “Udhëtim nëpër Skrapar…”: GURI I PELLAZGUT, TËRROVË

Edhe në mos më shumë, vetëm emërtimi “Guri i Pellazgut” duhet të shqetësojë dhe të “lërë pa gjumë” rojen te dera të Akademisë së Shkencave, te dera e Institutit të Arkeologjisë dhe të Historisë dhe jo më specialistët dhe studiuesit e këtyre institucioneve…

 

Kjo foto nuk është bërë as në Apoloni dhe as në Bylis, por në krye të fshatit Tërrovë, fshati i fundit më në ekstrem të Skraparit nën Tomor, kufi me Gramshin.

Duke parë këta gurë qiklopikë, të skalitur, ku nuk futet as maja e thikës, mendja të shkon se posht tyre ndodhet një gjë e madhe, një qytetërim i vërtetë, fatkeqësisht i pa studiuar.

Sipas banorëve të zonës,  zona përreth mban gjurmë të mbetjeve arkeologjike. Në një arë të fshatit e njohur si ara “Osnat”, gjatë punimeve bujqësore janë gjetur tre pitosa të mëdhenj, të dëmtuar. Pranë kësaj are ndodhet një vend i njohur me toponimin “kishë” ku gjatë punimit të tokës është hasur në gjurmë varresh.

Pranë monumentit të “Gurëve të Pellazgëve”, në jug ndodhet një zonë e pyllëzuar enjohur me toponimin “Trungu”, në perëndim mali i Tomorrit (faqja prëndimore e tij), dhe po në të njëjtin drejtim në fund të malit ndodhet “Shpella e Tërrovës”. Në horizont në lindje e juglindje shihet mali i Koshnicës dhe Qafa e Gjarpërit, e njohur ndryshe në popull si “Guri i Prerë” ose “Guri i Komnenit”.

Ka qenë studiuesi Nuri Çuni që e ka zbuluar për herë të parë këtë qytezë antike aty nga vitet 1988-89. Megjithë tezat dhe hipotezat e tij dhe disa punime sporadike, askush nga institucionet shkencore të vendit tonë nuk ka marrë mundimin të bëjë gërmime dhe studime të mëtejshme për të gjetur kohën e ndërtimit dhe të funksionimit të këtij vendbanimi, që banorët vendas e quajnë me sot dy emra intrigues, “Qytezë” dhe “Guri i Pellazgut”(!).

Edhe në mos më shumë, vetëm emërtimi “Guri i Pellazgut” duhet të shqetësojë dhe të “lërë pa gjumë” rojen te dera të Akademisë së Shkencave, të Institutit  të Arkeologjisë dhe të Historisë dhe jo më specialistët dhe studiuesit e këtyre institucioneve.

Hidhini edhe një sy tjetër fotos, a nuk të bën ajo të mendohesh për këtë indeferencë që tregojnë organet, organizmat dhe institucionet kompetente për t’i “gjetur asaj emrin”, siç ua kanë gjetur edhe shumë vendbanimeve antike të tjera!?…( Z. Hoxha)