Vakëfet e Korçës, krahina me emërin dhe historinë më të veçantë në Shqipëri dhe në Ballkan
Petrit Zeneli
Për ata që s’e dinë, kjo krahinë shtrihet në jugëperëndim të Qarkut të Korçës (në një sipërfaqe prej rreth 230 km²) dhe kufizohet me Kolonjën, Përmetin, Skraparin e Korçën. Prej vitesh, shumë vetë pyesin ç’është kjo krahinë me emër fetar?! Nga e ka origjinën ky emër?! Po Shoqata që e përfaqëson atë, me fenë merret…etj?!Disa herë kemi bërë sqarime në media të ndryshme për këtë çështje, por e ndjejmë të nevojshme ta theksojmë përsëri, për gjithë të interesuarit.
Në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, Tiranë 1980, fq 2106, jepet ky shpjegim për emrin Vakëf: 1. Pasuri e patundshme, që ishte pronë e një xhamie, e një kishe, e një teqeje a një manastiri. 2- Vend i shenjtë, sipas përfytyrimeve mistike fetare.
Edhe në gjuhën e folur popullore, dendur përdoret shprehja: “Mos prek aty, se është Vakëf e të dënon zoti!”. Pra Vakëfi konceptohet si diçka mistik, i paprekshëm dhe i patjetërsueshëm.
Vini re! Përgjithësisht, kur flitet për pronë a pasuri, përdoret shpesh emërtimi Vakuf, ndërsa kur flitet për territor, hapësirë (në konceptin gjeografik), përdoret emërtimi Vakëfe. Në thelb kuptimi është i njëjtë.
Edhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f.1150, cilëson: – Vakëfi (Vakufi) – është pasuri e institucioneve fetare muslimane që përfshinte shtëpi, dyqane, të holla etj, krijuar në Shqipëri qysh në shek XV-të e më vonë, nga dhurimet e Sulltanit dhe të besimtarëve të tjerë, sipas rregullave të caktuara të Vakëfit.
Pra, sipas shpjegimeve të mësipërme, natyrshëm lind përfytyrimi apo kuptimi fetar i Vakëfit, por në realitet nuk është tamam kështu. Le ta shpjegojmë më poshtë:
Po në këtë Fjalor Enciklopedik, më tej vazhdon të jepet thelbi i çështjes: – Nën Perandorinë Osmane… çdo mysliman kishte të drejtë të kthente në Vakuf çdo lloj prone të tij. Kusht themelor ishte që një pjesë e këtyre të ardhurave të shkonte në dobi të një institucioni fetar dhe një pjesë tjetër mund të shkonte për ndërtime publike, rrugë, çezma e ndërtesa.
Vakufi ishte i paprekshëm nga shteti, prandaj një pjesë e klasës feudale i kthente në Vakuf pronat e saj, për t’i siguruar, që të mos vinte dorë mbi to pushteti qendror, i cili e praktikonte këtë masë në kohë ngushtice financiare. Pjesën më të madhe të të ardhurave vakufi e destinonte për vete dhe për trashëgimtarët e tij, brez pas brezi, duke e ngarkuar njërin prej tyre në detyrën e kujdestarit (Myteveliut) të pronës.
Kolë Kristofori nga Vakëfet, emigranti i parë shqiptar në Amerikë
I tillë qe Vakëfi i madh me shumë fshatra në krahinën e Korçës, të cilin e kishte feudali Iljaz Bej Mirahori, në fund të shekullit të XV-të. Tokat Vakuf shfrytëzoheshin në të njëjtën mënyrë si çifligjet e pronarëve feudalë privatë. Të hollat e grumbulluara nga Vakëfi u përdorën nga institucionet fetare si kapital fajde me përqindje të lartë. Pasuri Vakëfi grumbulloi edhe kisha e krishterë me anë dhuratash dhe testamentesh të besimtarëve.
Bazuar në sqarimet e mësipërme, problemi është i qartë: – Vakëfi (Vakufi) na paska qenë një lloj prone, si gjithë pronat e tjera të pesë shekujve më parë: mirje (shtetërore), mylku (personale), metruqia-tokë në shfrytëzim (e përbashkët e bashkësisë fshatare), mevate – toka djerrë, dhe vakufi – tokë që administrohej nga privatë, një pjesë e të ardhurave të së cilës kalonte në dobi të institucioneve fetare. Ndoshta ky fakt (kjo lidhje) si dhe paprekshmëria e tyre nga shteti (që nuk tatoheshin) e kthyen atë në përfytyrimin e njerëzve si vend i shenjtë, gjë që pronarëve u interesonte, pasi u shpëtonin sulmeve, vjedhjeve, grabitjeve me forcë etj.
Kjo është ana teorike e çështjes. Tani le të hidhemi konkretisht te krahina e Korçës që mban emrin Vakëfe (i veçantë si emër krahine, por dhe i vetëm në rajon e më gjerë), e cila, e ritheksojmë, ishte Vakëfi më i madh i Shqipërisë, pa dyshim dhe në Ballkan, për nga shtrirja gjeografike. Emri i kësaj krahine lidhet ngushtë me emrin e feudalit dhe ushtarakut të madh nga Panariti i Korçës, Ilia Panariti (i biri i priftit Papa Petro), i mbiquajtur Iljaz Bej Mirahori, afro 500 vjet më parë, rrëmbyer që 10 vjeç nga turqit dhe edukuar atje, ashtu sikurse Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Sipas dokumenteve historike, mbas vitit 1388, edhe kjo trevë ra e gjitha nën sundimin e Perandorisë Turke. Para vitit 1495, ajo ishte pronë Mylk (personale) e Iljaz Beut, dhuruar nga Sulltani për merita të veçanta e shërbime të shquara ndaj perandorisë, krahas titujve dhe ofiqeve shumë të larta si, Mirahor (komandant i Stallave të sulltanit) Goxha Mirahor (kryekomandant), deri te Vali i Janinës, pedagogu më i preferuar i sulltanit me ofiqin Lale etj, duke mbetur po kaq i nderuar nga Porta e lartë derisa vdiq në Korçë, në vitin 1512 (në moshën 102-vjeçare).
Me sa duket, për arsye të vështirësive në mbledhjen e taksave (si zonë e thellë malore) dhe grindjeve e mosmarrëveshjeve që kishte me fshatarët që kundërshtonin dorëzimin e detyrimeve, Iljaz Beu heq dorë nga pronësia mbi këto fshatra, duke kërkuar si kompensim fshatin Peskopje. Me berat (dekret të veçantë) Sulltan Bajaziti i II-të, më 1495, i jep Mirahor Iljaz Beut Peskopjen (fshatin ku do të ngrihej Korça e ardhshme) të jetë mylk i tij personal dhe me të gjitha të drejtat si të dëshirojë, ta mbajë, ta shesë, ta falë apo ta bëjë Vakuf.
Tetë vjet më vonë, më 1503, Iljazi kërkon përsëri te Sulltani pronësinë (mylk) mbi fshatrat e lëna si, Panarit, Trebickë, Treskë etj. Dhe ky i fundit ia dha ato. – Tani, i lartpërmenduri (I. Beu), thuhet në dokument, – ka ardhur në kryeqytetin tim të lumnueshëm dhe të lavdishëm (Stamboll) dhe ka kërkuar një berat të ri (për pronat e sipërpërmendura) në të cilin t’i lëshohet prej meje e drejta mbi të. Unë ia përsëris beratin dhe urdhërova t’i ketë prona personale të tija, mylk, sipas vendimit të mëparshëm, me kusht që ai të paraqesë në luftë xhebelutët (ushtarët) e tij (shih Sejdin Ramo, Ilia Panariti dhe Korça, botim 2003).
Mbas dy vjetësh, më 1505, duke e ndjerë veten shumë të fuqishëm, por njëkohësisht duke parë se edhe vdekja po i afrohej, për t’i siguruar më shumë pasuritë e mëdha që kishte, bën (harton) testamentin, duke i kthyer zotërimet e tij në pronësi Vakuf. Që nga ajo kohë, treva filloi të thirrej me emrin Vakëf, emër që erdhi pa ndërprerje deri në vitet 1950-1955, kur filloi ngritja e kooperativave bujqësore. Më pas, zona thirrej me emrin e kooperativave, sipas fshatrave, si kooperativa e Panaritit, e Trebickës, e Vithkuqit etj.
Pra, nga emër pronësie, Vakëfi u shndërrua natyrshëm në një nocion gjeografik, që tregonte një krahinë të tërë me disa fshatra dhe që thirrej Vakëfe. Pas vitit 1990, kur u shemb sistemi komunist, ra emri i kooperativave dhe iu rikthye përsëri emri i vjetër, sipas traditës 500 vjeçare. Natyrisht, edhe Shoqata Atdhetare Kulturore e kësaj treve, e themeluar më 28 nëntor 1999, në Tiranë, nuk mund të linte në heshtje këtë fakt historik, por me kënaqësi e bindje të plotë i vuri asaj emrin kuptimplotë “Shoqata e Atdhetare-Kulturore e Krahinës së Vakëfeve”. Është fakt se, në të gjitha dokumentet e huaja e të historiografisë shqiptare, që nga shekulli XV-të e këtej (deri më 1955) krahinën e gjejmë me emrin Vakëfe, një emërtim ky tradicional dhe i zyrtarizuar.
Në “Vakuf” Iljaz Beu (në testamentin e tij) kthen edhe prona të tjera që kishte në Vithkuq, Korçë e deri në Stamboll. Tokat e Vithkuqit ai i kishte marrë në pronësi me dekret të Sulltanit qysh më 1484. Pra jo vetëm fshatrat Panarit, Treskë, Trebickë, Stratobërdhë u kthyen në Vakëfe, por edhe fshatra e objekte të tjera që përshkruhen në dosjen nr.184, të Arkivit të Shtetit.
Ka diskutime për këtë çështje, se kush duhet përfshirë dhe kush jo në “Vakëfe”. Mbështetur në emrat e përmendura në beratet (fermanet e viteve 1496, 1497, 1503) të Sulltan Bajazit të II-të dhe Vakufnamenë (testamentin e Mirahorit, 1505), këtu përfshihen Leshnja, Vithkuqi, Panariti, Trebicka, Treska, Stratobërdha dhe Katundi; ku ky i fundit e ka ndryshuar disa herë emrin, nga Vodenca (shek IX XIV) në Katund (shek XV-XX), në Ndriçim (vitet 1973-1990) dhe përsëri Katund, që nga 1990 e në vazhdim.
Natyrisht që pjesë e kësaj krahine është edhe Grabocka, ndonëse ka qenë deri vonë pronë e bejlerëve të Frashërit e Radovickës (por që Osumi e ndante prej tyre dhe fare natyrshëm konsiderohej pjesë e Vakëfeve), si dhe Shtylla, që njihet si fshat i ri, themeluar në vitin 1873. Për Prof. Skëndër Aliun, arkeolog i mirënjohur, në Vakëfe përfshihen të gjithë fshatrat që shtrihen në perëndim të lumit Osum e deri në kufi me Skraparin e Përmetin, sepse kanë shumë gjëra të përbashkëta: gjeografike, ekonomike, historike e kulturore, pavarësisht se përmënden apo nuk përmenden në fermane.
Gjeografikisht, mes krahinave të Skraparit, Dangëllisë, Kolonjës, Fushës së Korçës, Voskopojës e Oparit, ndodhet vetëm një krahinë e konsoliduar në shekuj, pikërisht Vakëfet, tjetër krahinë nuk ka; por dhe fshat jashtë krahine s’mund të mendohet.
Pra, me bindje duhet të themi se të gjitha fshatrat e përmendura më sipër, me qendër Vithkuqin (si Komunë, rreth lokalitet e së fundi njësi administrative) u quajtën gradualisht Vakëfe, jo se thjesht përbënin një etnicitet apo një unitet të veçantë të kulturës shpirtërore e materiale, pronë e një institucioni fetar, por se ky emër erdhi nga forma e pronësisë Vakuf që u vendos prej Iljaz Bej Mirahorit dhe që në atë kohë njihej, inkurajohej dhe mbrohej nga shteti.
Me shndërrimin e këtyre fshatrave në këtë lloj pronësie, banorët e tyre patën disa privilegje, sepse u liruan nga disa detyrime të rënda ndaj shtetit si: ishin më të lirë në aktivitetin e përditshëm ekonomik e shoqëror, kishin tokat e tyre personale (por që ishin të detyruar të paguanin taksat te Myteveliu me qendër në Korçë) u përjashtuan nga detyrimi ushtarak, nuk ndjenin tutelën e administratës, përfitonin disa shërbime falas në qytetin e Korçës etj; të gjitha këto në kuadrin e marrëdhënieve feudale të shfrytëzimit, sepse kuptohet, Vakëfi ishte një pronar i madh që siguronte të ardhura vetëm nga puna dhe mundi i fshatarëve vakëfllinj.
Besoj se, sado pak, kemi mundur t’u shpjegojmë prejardhjen e emrit të kësaj krahine të veçantë jo vetëm në Korçë, por dhe Shqipëri e jashtë saj, pa harruar të nënvizojmë se është një emër i bukur, i shenjtë, që s’ka aspak të bëjë me fenë (e ka origjinën nga një lloj prone) dhe aq më tepër t’i vishet vetëm myslimanizmit, sepse pasuri Vakuf kishte edhe kisha e krishtere dhuruar nga besimtarët e saj. Ndërkohë, edhe pse Krahina mori këtë emër, vetëm një pjesë e Panaritit ndërroi fenë (me forcë) nga të krishterë në myslimanë, më saktë bektashinj), kurse fshatrat e tjera ishin dhe mbetën po të krishterë.
Nuk e di se sa politikanët dhe shtetarët shqiptarë e dinë këtë histori dhe se ku bije kjo krahinë, pasi në të kundërt do kishin bërë diçka që ajo të mos rrënohej e boshatisej gati plotësisht. Dhe ashtu siç ka emrin të veçantë, edhe historinë të tillë e ka, me kontribute të jashtëzakonshme në interes të këtij vendi.