Rubrika “Nëpër Skrapar…” / Gaqo Veshi: Ja pse e dua kaq shumë këtë krahinë me njerëz të mrekullueshëm

Rubrika “Nëpër Skrapar…” / Gaqo Veshi: Ja pse e dua kaq shumë këtë krahinë me njerëz të mrekullueshëm

 Gaqo Veshi është 93 vjeç. Në shtypin shqiptar njihet me pseudonim letraro-humoristik, Hyskë Borobojka, që më shumë se një pseudonim, ka shërbyer për të si një emër i dytë, më i njohur dhe më identifikues se i pari, është një ndër shkrimtarët humoristë nga më të spikaturit të një brezi që tani po shkon drejt fundit.

 

Madje mund të themi se Gaqo Veshi apo Hyskë Borobojka, pas shkrimtarëve e publicistëve të mëdhenj të humorit të këtij brezi si Shefqet Musaraj, Nonda Bulka, Spiro Çomora, Dionis Bubani, Dritero Agolli, Sabri Godo, Tonin Miloti, Niko Nikolla, Skënder Hasko etj., mund të quhet si ai personazhi i romanit të Fenimor Kuper, “I fundit i Mohikanëve”.

 

 

Mirëpo kur ia themi këtë, ai duket se nuk është plotësisht dakord dhe duke lëvizur me zor krahun sakat, dëften filxhanin në tavolinë.

 

-Kemi lënë filxhanin e farës së kosit mbrapa, Filipin, Filip Çakulin – thotë dhe qesh.

 

Gaqo Veshi ka lindur më 25 tetor 1930 në Lavdar të Oparit, rrethi i Korçës. Nga viti 1948 deri në vitin 1952 ka kryer shkollën e mesme “Asim Zeneli” në Gjirokatër bashkë me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë.

 

Më posht po jap në formën e një rrëfimi intervistën që i kam marrë atij para tre vjetëve

 

 

E quaj veten skraparlli me rrënjë për disa arsye. E para sepse jam nga e njëjta zonë, nga Lavdari i Oparit të Korçës, në rrëzën lindore të Ostrovicës, ndërsa një vrap pele më tutje, në pjesën tjetër, perëndimore, të të njëjtit mal, Ostrovicës, ndodhet Skrapari, Faqekuqi. Na  ndan Qafa e Veshit dhe Qafa e Beçit.

 

Pleqtë tanë bënin në shumë me anën e Skraparit, kryesisht me zonën e Potomit, Backës, Kapinovë. Vinin te njëri-tjetri jo vetëm se i zinte rruga tanë shkonin për dimërim në Myzeqe dhe ata tuajët për Pazar në Korçë, por kjo miqësi ishte shtrirë edhe deri në sebepe familjare, në dasma, gëzime dhe vakira.

 

Babi im më thoshte shpesh se, kur u vra Muço Kapinova në kohën e Zogut, është ngritur tërë fshati i Lvadarit dhe Lekasit dhe kanë shkuar në varrimin e tij në Kapinovë.

 

 

Pasi mbarova Institutin Pedagogjik në Tiranë, në vitet 1953-1954, kam shërbyer mesues i gjuhës shqipe në rrethin e Skraparit, në fillim në shkollën 7-vjeçare të Backës dhe më pas inspektor arsimi.

 

 

Kam shumë kujtime të asaj kohe. Por po të tregoj një rast në fshatin tënd, në Qafë:  Bashkë me një kolegun e tim të asaj kohe shkuam për inspektim në Qafë, ku mësues ishte Mehmet Veizaj, i biri i patriotit Sulejman Qafa, njeri i kulturuar, kishte qenë nëpunës në Kohën e Zogut dhe mbasçlirimit, por nuk dihej pse e kishin sjellë përsëri në fshat. Mehmeti ishte shembullor në gjithçka.

 

Nuk kishe çfarë t’i thoshe. “Po duhet t’i bëjmë ndonjë vërejtje, thotë shoku, t’i themi, fjala vjen, zgjati 5 minuta orën e mësimit”!…

“Po kritikohet ai, a ia pe shkrimin, ai pe nxënësit? Aty nuk ishte jonjë Mehmet, por 40 Mehmetë”! – i thashë kolegut.  

 

Lidhjet me Skraparin i mbajta edhe pse ika në Korçë e më pas në Tiranë. Kur isha në revistën “Hosteni” në Tiranë gjeja sebep pa sebep dhe ikja me shërbim në Skrapar. Aty kisha mik që nga ’53-shi Iljaz Kapxhiun, mësues, humorist shumë i mirë. Ai nuk rrinte rehat dhe shkruante në revistën “Hosteni” për kuadrot, punët që nuk shkonin mirë në Skrapar.

 

 

 

Unë vija gjoja i verifikoja, por ato ishin të sakta. Kushedi sa herë kam ardhur me motorin tim legjendar “Java” nga Tirana në Çorovodë në rrugën e kalldrëmtë.

 

Me Ilajazin pata miqësi familjare, disa herë kam vajtur te ai me gjithë gruan dhe vajzën, sikundër edhe ai te unë, në Tiranë me vajzat e tij.

 

Në Skrapar kam patur edhe shumë miq e shokë të tjerë, ndërmjet tyre, edhe ty, i dashur Zylyftar që kemi bërë shumë punë të mira bashkë.

 

Bisedoi: Z. Hoxha