Safet Kuqi: Unë kam parë Dodonën!…

Safet Kuqi: Unë kam parë Dodonën!…

Safet Kuqi

 

Sapo gjendesh ballë për ballë krahinës së Roshnikut, aty tek thuhet se gjëmon dheu ose pak më tej, në Qafën e Pusit, të krijohet përshtypja se po shikon një parajsë gjigande e ngritur në tre kate!

 

Në katin e parë, ku janë mbështetur sup më sup Roshniku, Kostreni, Vojniku, Bogdani, Memijasi dhe Karkanjozi, mbijnë, rriten dhe prodhojnë tërë të mirat e kësaj bote! Aty nuk rriten vetëm kafja dhe bananet. Gjithçka tjetër e gjen në ara dhe në sofra! Vetëm ata që janë ngjitur gjer këtu dhe janë ulur në një drekë apo darkë e dinë se ç’është ky kat i kësaj parajse kaq e çuditshme dhe po kaq e begatë!

 

Në katin e dytë, ku janë radhitur krahë për krah Tomorri, Perisnaka, Dardha e Qaf-Dardha, janë stolisur bukuri dhe çudi të njohura dhe të panjohura, të cilat nuk gjenden gjëkundi: Dy liqene në rrëzë të malit (në veri të malit të Tomorrit) të mbushur dimër e behar plot me ujë ar të kulluar.

Një ujëvarë që vërshon nga barku i malit dhe derdhet shkumbë-shkumbë tatëpjetë. Një lëndinë me emrin Shën-Pjetër e mbuluar dimër e behar me bar të njomë dhe e rrethuar me pisha që nusërojnë ditë e natë! Një qytezë me themele e murnaja që ende nuk dihet se kush e ndërtoi dhe kush e shkretoi!

 

Plot burime me ujë dëbore. Plot kullota me trëndelinë e barëra të tjera. Plot kafshë dhe shpendë të egra që të lënë pa mend. Banorë që dinë të punojnë e jetojnë, që dinë të presin e përcjellin. Në këtë krahinë nuk mbahet mënd të ketë patur sherre e shamata që të kenë çuar në marrje jetë njerëzish!

 

Kati i tretë ndodhet sipër fare majave të malit. Ky kat dhe këto maja janë vendi ku bëjnë punën e vet shenjtorët! Kush ka mundur të ngjitet gjer këtu, ka marrë edhe uratat e Baba Tomorrit, është njohur edhe me Dodonën e pa njohur sikurse ajo e meriton! Kush është ngjitur gjer atje, ka parë edhe botën e gjallë edhe botën e vdekur, është njohur edhe me parajsën, është njohur edhe me ferrin! Më pas, kur ka zbritur poshtë, majave, ka ditur të dallojë ç’është parajsa dhe ç’është ferri!