Memo – histori / Pandeli Jano Vangjeli (Shalësi): Karriera e shkëlqyer e një burri shteti

Memo – histori / Pandeli Jano Vangjeli (Shalësi): Karriera e shkëlqyer e një burri shteti

Në 20 vjet: katër herë kryeministër, dy herë kryetar parlamenti dhe një herë kryetar senati

 

Jani Papandile

 

Familja e Pandeli Jano Vangjelit, e ardhur nga Shalësi i Kolonjës, është vendosur në Korçë rreth viteve 1855-1860. Ndaj dhe studiuesit e historisë, pas mbiemrit “Evangjeli” gjejnë edhe “Shalësi”, të cilën ai kishte dëshirë që ta vendoste në shkresa zyrtare dhe dokumente të rëndësishëm.

Më 1878 Pandeliu shpërngulet në Rumani, ku u martua me një rumune me emrin Marie. Fryt i martesë së tyre qe një djalë i quajtur Jonel, i cili pasi mbaroi studimet larta në Rumani dhe në Francë, vjen në Shqipëri dhe martohet me një vajzë nga fisi i Ballaurëve në Korçë. Sot nga pasardhësit e Pandeli Evangjelit është një vajzë e quajtur Donika me banim në Boston të SHBA.

 

Pandeli Evangjeli, i datëlindjes 1859, evidentohet si mëmëdhetar që nga viti 1896 kur vjen në krye të shoqërisë “Dituria” në Bukuresht. Qysh në vitet 1887, Jano Vangjeli, Nikollaq dhe Pandeli Vangjeli falënderohen përmes një letre nga Sami dhe Naim Frashëri për ndihmesën që japin për shkollën e parë të gjuhës shqipe të sapo hapur në Korçë.

Në gjysmën e dytë të shekullit të XIX dhe dekadat e para të shekullit të XX  shqiptarët duhet të luftonin me të gjitha mjetet për t’u njohur si komb i veçantë dhe jo pjesë e Perandorisë Osmane. Dhe komuniteti më i flaktë dhe më i avancuar shqiptar jashtë ishin anëtarët e kolonisë së Bukureshtit në Rumani.

 

Pandeliu, jetë gjatë, hyri në radhët e para të atyre personaliteteve me pjesëmarrje aktive në përpjekjet për të realizuar objektivat që sipër cituam, e më pas nga nëntori 1912 deri në prill të vitit 1939, kreu detyra të rëndësishme diplomatike, politike, administrative që i shërbyen kombit, krijimit edhe ecurisë tepër të vështirë të shtetit të ri shqiptar, brenda hapësirave që e lanë Fuqitë e Mëdha të asaj kohe.

 

Në vitin 1887, në gazetën “Shqipëria” të Visar Dodanit, Pandeliu boton artikullin “Gjuha shqipe dhe shqiptarët”. Nuk është një shkrim rutinë apo thjeshtë informativ. Aty shfaqen ide, trajtime me karakter historiko-shkencor ku autori evidentohet edhe si një intelektual i mirëfilltë.

Shtypi shqiptar, si në Bukuresht, Kajro, Sofje, por edhe në Itali, Stamboll, i sapo ngritur me nismëtar Jeronim De Radën, Naum Veliqharxhin, luajti rol të pazëvendësueshëm, që populli të krijonte zërin e ndërgjegjes kombëtare dhe pishtarët e ndezur të ndriçonin në çdokënd trojet shqiptare.

 

Siç do të paraqesim shkarazi, disa aktivitete dhe copëza jete, Pandeliu spikat në momente të rëndësishme historike për kombin dhe shtetin shqiptar edhe përmes shkrimeve, letërkëmbimeve me figura të shquara, jashtë e brenda Shqipërisë.

 

Nga 7 janari 1896, Pandeliu zgjidhet në krye të “Diturisë”, shoqatë patriotike me aktivitet mjaft të pasur. Deri në vitet 1920, mbetet nga më kryesorët në krye të Kolonisë të shqiptarëve në Rumani.

 

Në ditët e para të muajit nëntor 1912, Pandeliu me Luigj Gurakuqin, Asdrenin e të tjerë përgatitën kushtet, infrastrukturën e nevojshme për konferencën me pjesëmarrje të gjerë në Hotel “Kontinental” në Bukuresht, ku Ismail Qemali u shpreh për synimet e afërta, që Shqipëria të shpallej shtet i pavarur dhe e lire nga Perandoria Osmane.

Në vitin 1914, arriti në Durrës Princ Widi, fjalën e mirëseardhjes, në emër të të të gjithë shoqatave dhe organizatave  brenda dhe jashtë Shqipërisë e mbajti Pandeli Evangjeli. Qeveria e Widit, duke parë rëndësinë që kishte Korça, e emëroi Evangjelin prefekt në Korçë.

 

Nga viti 1920 deri më 7 prill të vitit 1939, për rreth dy dekada, Pandeli Evangjeli ka qenë ndër personalitete më të njohura shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

 

Pas Kongresit të Lushnjes qeveritë ndoqën njëra-tjetrën. Në qeverinë e Iljaz Vrionit, emërohet ministër i Jashtëm dhe më pas edhe kryeministër dhe më pas akoma edhe i pari kryetar i Parlamentit Shqiptar. Në një puç agresiv, me kobure në dorë, donin ta hiqnin me forcë si kryetar Parlamenti, por ai kërkoi që, sipas statutit, ta shkarkonte Parlamenti dhe jo ata. Në këto kushte  dha dorëheqje. Nuk shkoi shumë dhe në qeverinë e  re, më 2. 12. 1922, të kryesuar nga Ahmet Zogu, iu ngarkua funksioni i ministrit të Jashtëm.

Në vitin 1925 Pandeli Evangjeli emërohet kryetar senati, ndërsa në vitin 1928, Asambleja Kushtetuese, e zgjedh kryetar të saj. Në periudhën 1930-1933, edhe pse në një moshë madhore, 70 vjeç, Pandeliu vazhdon të mbetet një personazh i rëndësishëm politik. Më 6 mars 1930, si kryeministër u ngarkua të krijojë kabinetin e tij qeveritar.

 

Një nga gazetat e asaj kohe shkruante: Patriotizma dhe drejtësia e kryeministrit të ri, biografia e tij pa njollën më të vogël e plot sakrifica për atdhe, jeta e tij politike plot nder dhe urtësi, formojnë një garanci të shëndoshë se programi do të gjejë një garanci të sigurt. Në prill të vitit 1931, Pandeli Evangjeli jep dorëheqjen, për shkak të “disa komenteve keqdashës”.  Por Zogu, pas 10 ditësh pas dorëheqjes, e ngarkon të krijonte një kabinet tjetër të ri. Më 7 dhjetor 1932, ai shtrëngohet të japë dorëheqje pasi filloi legjislatura e re parlamentare dhe menjëherë pas saj krijon përsëri kabinetin qeveritar. Siç del, nga viti 1921 deri në vitin 1933, ai emërohet katër herë kryeministër.

 

E veçanta, ç’ka është karakteristike e figurës, personalitetit, karakterit të tij, është se dallohet në pjekurinë që ka manifestuar për analizën e situatave politiko-shoqërore, ekonomike, për qëndrimet kritike ndaj trajtimeve, vendimeve me ndikime krahinore, fetare, apo të vështruara për interesa të ngushta të grupimeve apo individëve.

Për marrëdhëniet me njerëzit, ndershmërinë e korrektesën, paanshmërinë në vlerësimet apo analizat e ndryshme, është vlerësuar nga bashkëkohës, por edhe studiues të ditëve tona. I qartë në veprime, nga figurat më të shquara në ato dekada në marrëdhëniet me strukturat diplomatike të botës jashtë Shqipërisë. Nga institucionet përkatëse të Mbretërisë së Madhe është vlerësuar me titullin “Exelancë në Diplomaci” që vështirë se e ka këtë vlerësim ndonjë diplomat apo politikan shqiptar gjatë shekullit XX.

 

Në zgjedhjet e vitit 1937, fiton  e deputetit të Kolonjës dhe në mbledhjen e parë të Parlamentit, zgjidhet kryetar i tij deri 7 prill 1939, kur vendi u pushtua nga fashistët italianë. Ai nuk u largua nga Shqipëria siç bënë pushtetarët dhe politikanët e tjerë. Nuk mori pjesë në Asamblenë Kombëtare të 12 prillit që konsakroi pushtimin Shqipërisë, por tani edhe i moshuar, u mbyll në shtëpi dhe megjithëse iu bë thirrje nga qeveritë kolaboracioniste, nuk pranoi të bashkëpunonte me asnjë. Pas çlirimit të Shqipërisë, me masat e rrepta që mori Enveri ndaj ish-drejtuesve të ekzekutivit të Mbretërisë së Zogut, e hoqën nga Tirana dhe e çuan në Korçë, ku dhe më 14 shtator1949 vdiq.

 

Me qenë se i ka takuar të punojë disa vjet si titullar i lartë shteti në qeverinë e Zogut. Dhe të ishe jo kryeministër dhe kryetar parlamenti, por edhe thjesht nëpunës i Zogut, për periudhën e socializmit, ishte një sakrilegj i madh! Kjo ka qenë edhe arsyeja që jeta dhe veprimtaria e spikatur atdhetare e Pandeli Vangjelit është lënë në errësirë. Por ajo nuk është studiuar dhe hulumtuar ashtu siç e meriton edhe pas viteve ’90.

 

Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë i nëntorit 1992 dhe Urdhri Gjergj Kastrioti Skënderbeu i vitit 2007 vërtet janë vlerësime, por nuk do të thotë se figura e tij është pastruar plotësisht. Veprimtaria e tij për pesëdhjetë e ca vite në shërbim të kombit dhe shtetit shqiptar, është e gjerë, komplekse, shumëdimensionale, ndaj duhet të jetë objekt hulumtimi nga historianët dhe analistët profesionistë, me qëllim që ai t zërë vendin që meriton në mes të figurave të ndritura të Rilindjes dhe Postrilindjes shqiptare.

 

 

Noli vs Evangjeli: Miq dhe armiq!…

 

Është ai Pandeli Jano Vangjeli që Noli në një çast të thellë dëshpërimi, siç do të vepronte çdo opozitar dhe kundërshtar tjetër, shkroi për ish-kryeministrin e asaj kohe këto vargje satirike: Pandeli Jano Vangjeli,/ me sulltan-llokum na veli,/ si kofini pas të vjeli, vargje ku ai kritikon dhe satirizon gjithë qeverinë që e rrëzoi nga pushteti. Pavarësisht forcës dhe figuracionit, vargjet e mësipërm duhen marrë në kontekstin kohor të një momenti të caktuar historik, pasi respekti dhe miqësia midis dy burrave të mëdhenj, Pandeli Vangjelit dhe Nolit ka qenë e veçantë, e sinqertë dhe e gjatë.

Ata ishin sa kundërshtarë politikë, po aq edhe miq dhe atdhedashës. Ka mjaft dokumente që dëshmojnë respektin reciprok për aftësitë dhe punën e secilit në çështjen kombëtare. Në këtë rast, po përmendim një, atë që Noli i shkruan Evangjelit, pas përfaqësimit dinjitoz në Konferencën e Paqes në Paris, ku thotë: “Është e tepërt të them, miku im i shtrenjtë dhe shoku i armëve, se do të ruaj gjithmonë kujtimin e bashkëpunimit tuaj trimëror dhe iu falënderoj në emër të atdheut mirënjohës”!

 

 

 

Dy vjet në Paris, në mbrojtje të interesave kombëtare

 

Pandeli Evangjeli, me origjinë nga Shalësi i Kolonjës, ka një histori interesante, por që është pak e njohur, edhe në fushën e diplomacisë shqiptare. Në vitet 1919-1920 do të ngarkohej nga Kongresi i Lushnjes që të çajë rrugët diplomatike, juridike, institucionale që të hynte Shqipëria në Lidhjen e Kombeve.

Në letrat e Faik Konicës dhe Fan Nolit, del qartë kontributi, roli, merita historike e Pandeliut që Shqipëria të pranohej nga Lidhja e Kombeve. Në krye të delegacionit të kolonisë së Bukureshtit, ku bënin pjesë edhe dr. Ibrahim Temo dhe Dhimitër Berati, Pandeli Evangjeli përfaqësoi denjësisht shqiptarët në Konferencën e Paqes në Paris.

 

Ai qëndroi aty për dy vjet me radhë, nga viti 1919 deri në vitin 1920, duke zhvilluar një veprimtari të shkëlqyer patriotike dhe diplomatike. Ai justifikoi besimin e miqve të tij, Mit’hat Frashërit, Sotir Koleas dhe Pandeli Cales, që i shkruanin nga Lozana: “Sytë e tre milionë shqiptarëve janë ngulur mbi ju që u zgjodhët përfaqësues të kombit dhe morët përsipër barrën e të mbrojturit të të drejtave dhe të fatit të Shqipërisë”…

 

 

Detyra, funksione, veprimtari

 

1896 – Kryetar i shoqërisë “Dituria” në Bukuresht

 

Nëntor 1912, bashkë me patriotë të tjerë të kolonisë shqiptare të Bukureshtit përgatit kushtet për mbajtjen konferencës në Hotel “Kontinental”, konferencë që i dha mandatin Ismail Qemalit për Shpalljen Pavarësisë së Shqipërisë

 

Në vitin 1914, mban fjalën e mirëseardhjes së Princ Widit në Durrës

 

1914 – Princ Widi, duke parë rëndësinë që kishte Korça, e emëroi Evangjelin prefekt në Korçë.

 

1919 – Përfaqësues i Qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Paris

 

1920 – 1921, dy vjet në Paris, përfaqësues dhe koordinator i autorizuar nga Kongresi i Lushnjes për ta futur Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve

 

1921 – Në qeveritë e njëpasnjëshme pas Kongresit të Lushnjes emërohet: në atë të Iljaz Vrionit, ministër i Jashtëm

 

1921 … kryeministër

 

1922 – I pari kryetar i Parlamentit Shqiptar

 

  1. 12. 1922 – Në qeverinë e kryesuar nga Ahmet Zogu, ministrit i Jashtëm

 

1925 – Pandeli Evangjeli emërohet kryetar senati

 

1928 – Kryetar i Asamblesë Kushtetuese

 

6 mars 1930 – Kryeministër

 

Prill 1931 – Pandeli Evangjeli jep dorëheqjen, por Zogu pas 10 ditësh e ngarkon të krijojë një kabinet tjetër të ri

 

7 dhjetor 1932, ai shtrëngohet të japë dorëheqje pasi filloi legjislatura e re parlamentare dhe pas disa ditësh emërohet kryeministër përsëri deri në vitin 1935

 

1935 – 7 prill 1939 – Kryetar i Parlamentit

 

1939 – 1944 – Me gjithë ftesat e shumta, nuk mori pjesë në qeveritë kolaboracioniste

 

1945 – Dëbohet nga Tirana dhe çojnë në Korçë, ku më 14 shtator 1949 vdes