In Memoriam / Resul Alushani, një jetë e ndërprerë pa filluar mirë

In Memoriam / Resul Alushani, një jetë e ndërprerë pa filluar mirë

Hysen Binjaku

 

Nuk di cili është fshati që ka nxjerr më shumë mësues në vitet e vrullshme të zhvillimit të arsimit (vitet 1945 – 1990) në Rrethin e Skraparit, por kam mendimin se duhet të jetë Gjerbësi.

 

Në Tomorricë Gjerbësi është fshati më i madh (si numër shtëpish dhe numër banorësh) dhe po ashtu fshati që ka patur që herët shkollë fillore, shtatë (tetë) vjeçare si dhe i pari fshat që ka patur Shkollë të Mesme (me shkëputje nga puna). Numri i mësuesëve është i madh, por unë do të përmend ato emra që më kanë mbetur në kujtesë dhe sidomos ata që më kanë dhënë mësim apo janë të moshës time.

Të tillë janë: Servet Carkanji, Ilmi Carkanji, Sejdine Carkanji (Çela) Lutfi Carkanji, Caush Carkanji, Hazbije Carkanji (Xhaferrllari), Idari Carkanji, Resmie Carkanji (Breshani), Agim Carkanji, Shpresa Carkanji, Sokol Alushani, Hysnie Alushani , Nasipe Alushani, Resul Alushani, Manushaqe Alushani , Diana Alushani, , Genci Alushani, Hysen Flamuri, Pëllumb Flamuri, Përparim Flamuri, Servet Flamuri, Mirëdita Flamuri, Hëna Flamuri, Shaban Lajthija, Albert Lajthija, Dilaver Zyko, Majlinda Zyko, Këze Çaushllari, Natasha Çela, Xhevrie Dhoga , Agim Dhoga, Agron Dhoga, Edlira Hebibasi, Liri Çinari, Xhevdet Ismaili, Mehmet Omeri,Vladimir Omeri, Liri Omeri etj.

 

Me të gjithë kam patur njohje, disa i kam patur mësues, me një pjesë të tyre kemi punuar bashkë, por më i afërt ka qenë Resul Alushani.

 

Me Resulin kemi qenë bashkë në Konviktin e Gjimnazit “Ramiz Aranitasi” Çorovodë, në vitet 1964-1967. Kur unë fillova Gjimnazin, Resuli ishte në vitin e dytë, pra tre vite i kemi kaluar së bashku në konvikt dhe shkollë.

 

Që me hapjen e Gjimnazit në Çorovodë në vitin shkollor 1959 – 1960, i pari nxënës i këtij Gjimnazi (dhe i Konviktit të Çorovodës) që filloi dhe mbaroi studimet në Degën e Matematikës në Universitetin e Tiranës (vitet 1965 – 1969) ishte djali simpatik dhe i mrekullueshëm Xhaferr Ibro nga Backa (i paharruar shoku dhe kolegu im).

 

Në vitin arsimor 1966 – 1967 nga Gjimnazi i Çorovodës nuk shkoi njeri për studime në degën Matematikë, ndërsa në vitin 1967 – 1968 filluan studimet Resul Alushani dhe Petrit Xhaja. Në vitin arsimor 1968 – 1969 nga Gjimnazi “Ramiz Aranitasi” Çorovodë filluan studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës Dega Matematikë edhe tre maturantë të Gjimnazit të Çorrovodës, Syti Hysko, Elmas Guga dhe Hysen Binjaku. Aty u ritakuam me Xhaferr Ibron, Resul Alushanin dhe Petrit Xhajën.

 

Meqënëse me Resulin ishim nga e njëjta zonë dhe kishim qenë edhe për tre vite në konvikt, patëm lidhje shoqërore më të madhe, aq sa edhe shokët e ngushtë të Resulit (Muhamet Mesi nga Shkodra, Luigj Gjoka nga Mirëdita, Gjelosh Toma nga Lezha, Kudret Hankollari nga Përmeti, Pashk Leka nga Puka e të tjerë) u bënë shokë edhe për mua, madje dy prej tyre, Luigj Gjoka dhe Pashk Leka edhe kolegë në Universitetin e Tiranës për shumë vite.

 

Resuli mbaroi studimet e larta në qershor të vitit 1971 me rezultate të mira dhe u diplomua “Mësues i Matematikës për Shkollat e Mesme”, duke qenë kështu (së bashku me Petrit Xhajën) nxënës të Gjimnazit Çorrovodë dhe një ndër dy-tre të parët mësues të Skraparit që ka përfunduar Universitetin e Tiranës në Degën Matematikë (Zija Zaimi dhe Qemal Zaimi kanë përfunduar më parë Universitetin e Tiranës për Matematikë, por nuk janë nxënës të Shkollave të Mesme të Skraparit, ata kanë mbaruar Shkollën e Mesme jasht Skraparit).

 

Nuk i di rrethanat por, mbasi mbaroi studimet, Resuli u emërua mësues i matematikës në shkollën 8-vjeçare Dobrenj, kur në shkollën e Mesme Poliçan jepte Matematikë një mësuese pa diplomën përkatëse (me diplomën e Institutit 2-vjeçar të Shkodrës). Në vitin shkollor 1973-1974 u transferua në Shkollën e Mesme Bujqësore  “Ismail Alushani” Gjerbës duke mbajtur edhe detyrën e nëndrejtorit të kësaj shkolle.

 

Po në vitin shkollor 1973-1974, Unë fillova punë si Mësues i Matematikës në Shkollën e Mesme Mekanike Poliçan. Takohesha me Resulin në Gjerbës, kur shkoja me lejë në shtëpinë time në fshatin Çerricë të Tomorricës, si dhe në seminare të ndryshme që organizonte Seksioni i Arsimit të Rrethit Skrapar. Në vitin shkollor 1979 – 1980 punuam së bashku në një Ekip Kontrolli, që organizohej nga Organizmat e Arsimit në Rreth në shkollën 8-vjeçare “Zylyftar Veleshnja” Çorrovodë. Ky ka qenë edhe takimi im i fundit me shokun dhe kolegun tim. Më 14 Mars 1982 një sëmundje e rëndë dhe e papritur ndërpreu, ende pa filluar mirë, jetën e Resul Alushanit, një mësuesi i devotshëm dhe drejtuesi i aftë.

 

 

Resul Xhemal Alushani lindi më 29 Prill 1950. Ai ishte fëmija i dytë dhe djali i madh i Xhemal dhe Zenepe Alushani, të cilët lindën shtatë fëmijë, katër vajza (Nasipe, Besa, Mona, Diana) dhe tre djem (Resul, Xhelil, Muharrem). Shkollën 7-vjeçare e kreu në vendlindje, Gjerbës. Në sajë të rezultateve të arritura në këtë cikël shkollor iu dha mundësia për të vazhduar Shkollën e Mesme të Përgjithshme (me konvikt) Çorrovodë, Skrapar.

 

Kur ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme, sapo kishte mbushur 15 vjeç, më 11 tetor 1965 i vdes Babai. Edhe në këtë cikël shkollimi, falë pasionit dhe punës arriti rezultate të larta dhe për këtë iu dha e drejta e studimit (me bursë) në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë. Në vitin 1968, mbasi martohet motra e madhe Nasipe Alushani (Shameti), Resulit i duhet të mbështes Nënën dhe tre motrat e dy vëllezërit e vegjël. Diplomohet dhe merr titullin “Mësues i Matematikës në Shkollën e Mesme” në Korrik 1971.

 

Në dy vitet shkollore 1971-1973, Resuli u emërua mësues i matematikës në shkollën 8-vjeçare Dobrenj, shumë larg shtëpisë. Në Korrik 1973 martohet dhe transferohet në Shkollën e Mesme Bujqësore “Ismail Alushani” Gjerbës duke mbajtur edhe detyrën e N/Drejtorit të kësaj shkolle.

 

Në vitin 1975 krijon familjen e Tij por pa harruar kujdesin edhe për Nënën, motrat dhe vëlezërit më të vegjël. Jeta, edhe pse me vështirësi, po buzëqeshte edhe për Resul Alushanin, Ai bëhet Baba me Ermelinda Alushani (17.02.1975) dhe Najada Alushani (15.05.1979).

 

Por nuk thonë kot “Jetimit nuk i qesh buza”, më 14 Mars 1982, pas një sëmundje të rëndë, jeta e Resul Alushanit këputet ende pa filluarë mirë. Barrë dhe brengë e madhe bie mbi shpatullat e Nënë Zenepes. Vajzat e Resulit u rritën nën kujdesin e Nënës së tyre.

 

Vajza e madhe Ermelinda është diplomuar për Letërsi, është mësuese në Gjimnazin e Lushnjes, ka dy djem të diplomuar për Shkenca Kompiuterike. Vajza e dytë, Najada është diplomuar për Juridik, punon Përmbaruese në Tiranë, ka dy vajza.

 

I paharruar shoku dhe kolegu im, Resul Alushani!