Një ditë në Çorovodë – Guidë turistike

Një ditë në Çorovodë – Guidë turistike

 

Zylyftar Hoxha

 

Nëse iu bie rasti të vizitoni Skraparin, ka shumë vende për t’i vizituar, por më interesantet janë disa prej tyre, që mund t’ua prezantojmë në botimet e e ardhshme të kësaj rubrike.

 

Këtë radhë po qëndrojmë në kryeqendrën e kësaj krahine, në qytetin e Çorovodës.

 

Rruga e re, pasi kalon Munushtirin, fshatin më të afërt të Çorovodës, të nxierr në Fushë të Kadiut, nga ku me një vështrim blic, jo vetëm “regjistron”, por edhe percepton një panoramë fantastike të qytetit të Çorovodës.

S’të duhen as pesë minuta, që të kalosh urën ku bashkohen dy degët e Osumit, për të hyrë në qytet dhe veten e gjen në qendër të qytetit, që, çuditërisht, i ngjan një avllie karakteristike të shtëpive të Skraparit, shtruar me gurë dekorativë.

 

Në mes të kësaj “avllije” lartësohet, një nga simbolet historike të Skraparit, monumenti i Heroit të Popullit Riza Cerova dhe pak më poshtë tij, para pallatit të kulturës, një amfiteatër me shkallë, si një amfiteatër antik.

Më tej do të shkelni në një park të gjelbër, shumë të bukur, fatkeqësisht, me një shëmti në mes, xhaminë, që nuk ka të bëjë  fare me tarikatet fetare të Skraparit, që dikush e nguli aty për “pesë lekë të qelbura”. Nga çdo anë ta shikosh apo fotografosh Çorovodën, të del  xhamia, thuaj që banorët e këtij qyteti “digjen” dhe mezi presin të xhumanë, të falen aty(!).

 

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Poliçan, xhamia është ngulur në vendin më inpozant të qytetit, edhe pse e ftohtë më shumë nga indeferenca e njerëzve, se sa nga betoni me të cilin është ndërtuar. Absurditete e të kohës!…

 

Po le të vazhdojmë me Çorovodën. Aty posht, në qendër apo në “Pazar”, siç i thonë, buzë dy lumenjve gjen lokale të freskët në verë dhe të ngrohtë në dimër që të presin si mbret, sidomos kur je i huaj. Aty ka edhe hotele, me dhoma shumë komode, ku gjumi bëhet i qetë, me ndjesinë sikur bie shi, nga shushurima e lumit natën.

 

Pasi ke lënë valixhet në hotel, mos humb rastin, të pish një kafe te Verori ose “Sorkadhja”, e shoqëruar me ujin brisk të Guhakut dhe me një buzëqeshje miqësore, shumë të sinqertë të pronarit, që është njëkohësisht edhe kamerieri i këtij lokali.

Mes uturimës së lumit, cicërimave të zogjve, vëmendjes që të kushtojnë vendasit, duke të vështruar fshehtas, e ndjen veten mirë, të vlerësuar sikur ke ardhur nga një planet tjetër.

 

Do të më besosh, janë çaste parajse ato aty, që nuk do të të dalin kollaj nga mendja edhe kur të largohesh që këtej.

 

Pas kafes të Verori, varet si ta kesh punën, me nge apo me ngut, sepse Çorovoda vërtet është e vogël, por ka shumë gjera për të parë dhe vizituar.

Mund ta fillosh nga të duash, por për mua, je në Skrapar dhe duhet të kesh prasysh prioritetin që kanë  skraparllinjtë për historinë. Ndaj është mirë të ngjitësh në këmbë shkallët përpjet dhe pas jo më shumë se 100 metrash, do të gjendesh te dera kryesore e Muzeut Historik të rrethit, një muze që, veç atyre të Beratit dhe Gjirokastrës, ka qenë nga më të mirët e të gjitthë rretheve të Shqipërisë, por që është dëmtuar nga vandalët e 1997-ës. Megjithatë një vizitë në të ia vlen.

 

Pasi ke mbaruar aty, vazhdo shkallëtë që le në mes kur u ktheve këtu dhe pas 20 metrash do të gjendesh një belvedere të bukur, nga ku shikon gjithë qytetin dhe të dyja anët e luginës së Osumit. Është vendi më i studiuar dhe më i bukur që skraparllintë kanë gjetur për panteonin e tyre të nderit, Varrezat e Dëshmorëve.

 

Bëni një vizitë dhe qetësoni shpirtin në këto varreza, që mbahen mirë, falë një gjelbërimi dhe lulëzimi fantastik që fsheh të metat e mungesës së investime prej vitesh për mirëmbajtjen e tyre.

 

Aty do të gjesh gjithë heronjtë e Skraparit, të shpallur si të tillë apo të pashpallur. Është zgjedhja jote: një kurorë, një tufë lule apo thjesht disa dekika heshtjeje për të nderur ata, pse edhe jo veten, që je nga ata njerëz që di të nderosh.

 

Që të jesh racional në vizitën tënde, nga varrezat e dëshmorëve mund të bësh një xhiro nëpër dy lagjet e sipërme të qytetit. “2 Dhjetori” dhe”5 Shtatori”, në këtë të fundit, mud të çlodhesh disa minuta në një qendër rekreative, shumë të bukur, ku shpalosen pamje mbresëlënëse të luginës së Osumit, por edhe të një pjese të qytetit.

 

Je që je aty, ndoshta deri tani ka ardhur edhe vakti i drekës, jo më shumë se 15 minuta në këmbë, në rrugën e automobilistike drejt luginës së Osumit, mund të drekosh në një bujtinë të re nga më të preferuarit e qytetit, ku gjen gjithçka, një shërbim të përsosur dhe një kuzhinë me të gjitha llojet e gatimeve tradicionale te krahinës. Eshtë Bujtina e blogeres së njohur Luljeta Sulka, e famshme në gatim, por e famshme edhe në promovim me Web-in “Gatime Tradicionale të Skraparit”

Në se do të na pyesnit, do t’u rekomandonim  kuzhinën tradicionale të Skraparit, mishin e pjekur në hell, kukurecin e qengjit apo të kecit, pulë me përshesh,  jani, lakrorë të të gjitha llojeve; ndërsa pije, verë, rehani dhe raki në qelqe që e mban “syrin sa të kaut” nga fillimi dhe deri në fund të muhabetit.

Shijojeni drekën, por edhe shpejtoni një çikë. Në se u hahet dhe u pihet akoma, lereni për darkë, keni të njëjtën meny, por shpejtoni se “s’keni parë gjë akoma”. Keni pa vizituar lagjen “Hasan Seitaj, buzë lumit që vjen nga Faqekuqi, një lagje interesante, kur dikur iste përqëndruar gjithë industria dhe sekreti, dhe strategjia e qytetit. Aty janë vilat qeveritare të kohës së komunizmit që u bënë për Udheqjen e Partisë në rast lufte; janë tunelet ku ishte Thesari i Shtetit, që u mor një natë të vitit 1992 natën dhe nuk dihet se ku vajti, janë ndërtesat e Arkivit të Shtetit dhe të Shtypshkronjës që do të përdoreshin në rasft lufte.

Pasi t’u hedhësh një sy këtyre objekteve, jo më shumë se 700-800 metra më tej është Guhaku, burimi natyror ujëshumë që furnizon qytetin vetëm me 20 përqind të prurjes, se tjetri derdhet në lumë. Ia vlen ti hedhësh një sy kësaj mrekullie, se pastaj, jo më shumë se 200 metra të pret një mrekulli tjetër, ura me harqe e Kasabashit, e prerë pr të bëë disa foto të pa harrueshme në harqet e saj dhe më tej akoma, përsëri 20 metra, mes honeve dhe shkëmbinjve, një çudi tjetër, jo natyre, por njerëzore, tunelet e famshëm të armëve, nga më të mëdhenjëtë në Shqipëri, një qytet i tërë nën tokë.

Nuk e dimë a u del koha apo jo, por më lartë keni një surprizë tjetër natyrore, Shpellën e Pirogoshit, një shpellë e famshme dhe nga më të njohurat në Shqipëri. Po arritë ta vizitoni, mirë; ndryshe do t’u ngelet për një herë tjetër.

 

U ka ngelur edhe diçka tjetër për të vizituar në Çorovodë dhe këtë mund ta realizoni në kthim, në mbrëmje, janë pamjet mbresëlënëse të kanioneve dhe burimit të Varishtit, mes dy urave të Sharovës. Mund ta mbyllni vizitën me disa foto aty dhe me një darkë si ajo e drekës me një ndër lokalet e tjerë të qytetit.

Hë, se desh harruam, kënaqësinë e fundit që mund të gjeni këtu, gjumin top, në hotelet e pastër buzë lumit, ku te të gjithë ke përshtypjen sikur bie shi nga gurgullima e ujit që përshkon qendrën qytetit.