Safet Kuqi, një zë i vonë, por i thekshëm letrar
Safet Kuqi ka lindur në lagjen Korçë të fshatit Kostren, në krahinën e Roshnikut. Këtu, në prerë të malit të Tomorrit, kaloi edhe vitet e rinisë. Më pas (1960-1991) punoi në disa sektorë të ekonomisë e të kulturës, në organe të pushtetit dhe të partisë.
Në dhjetor të vitit 1992, mal më mal me dëborë e furtunë dhe lumë më lumë, me ujë plot e të turbullta, emigroi në Greqi. Atje, sikurse rrëfen vet Safeti, për 733 ditë “kreu disa shkolla“: bari me dhënë e me dhi, murator dhe suvaxhi, shofer dhe traktorist, kultivues i pambukut dhe panxharit, peqe-lepe, urdhëro-siurdhëron“.
Në këto dy vjet e ca provoi dhe kuptoi se ç’qe puna që kryente Andrea Qiriakakasi në Larisa dhe ç’patën qenë leksionet e shkruara dhe të kënduara prej ish-nëpunësit në sektorë të ekonomisë dhe aparate pushteti dhe partie.
Në tridhjetë e pesë vite këtu në vendin e vet dhe në 733 ditë emigrant në Greqi e mbushi kokën me të thëna e të pa thëna, me të ditura e të pa ditura, por nuk e zbrazi dot. Në ato vite u mjaftua me librin “Zona e Roshnikut” dhe disa shkrime në revista dhe gazeta të kohës.
Në moshën 60 vjeç ndodhi ajo që ndodh rrallë. Në pak kohë të mbetur botoi gjashtë libra.
Nga libri “Dufe dhe derte“ kemi shkëputur tregimin “Vasiliqia u bë më djalë”, një tregim i jetuar
Vasiliqia u bë më djalë
– Tregim i jetuar –
Pastrimi dy herë në ditë i tre dynym sipërfaqe me bajga dhe pluhur në stinë të nxehta dhe me bajga e llucë në dimër, do niste e do soste për 30 minuta. Më pas të thërrisnin ku prisnin punë të tjera. Ata që nuk i kanë provuar erërat e tërbuara në formë dredhëse, pluhurin e kuqërremtë dhe baltën mastiç të Larisës, nuk e përfytyrojnë dot sa djersë dhe strese kërkojnë 30 minutat! Shpirti nuk dihet ku fshihet. Atë e dinë vetëm emigrantët.
Panajotis (këtë emër kishte sajuar argati) sfilitej në mes të pluhurit dhe të vapës, Stelua, pronar i madh tokash, zbriste e ngjitej në parcelat e veta me pambuk, këshillonte e qortonte argatët e tij, gjente kohë të argëtohej edhe me argatin 60-vjeçar të Andrea Qiriakakasit.
Një e më dy përsëriste të njëjtat pyetje, të cilave u jepte edhe përgjigje:
Panajotis! Ej, Panajotis! Shqiptarët kanë toka? Kanë dele? Po makina kanë? Shqiptarët janë fukarenj dhe dembelë. Janë edhe hajdut, edhe gënjeshtarë. Shqiptarët janë edhe kriminelë! Vrasin grek, vrasin edhe shqiptarë. Eljadha po u mban me bukë. Po merrni edhe pare. Ju Panajotis dini të shkruani? Ka shkolla në Shqipëri? Tiputa, tiputa.
Shqiptari që e dëgjonte kishte mbaruar Institutin Bujqësor, më pas edhe një shkollë partiake. Këtu, në Greqi, po mbaronte edhe shkolla të tjera. Ndër to edhe si pastroheshin vathat me bajga e baltë për 30 minuta. Dëgjonte edhe pordhët e Stelos. Dëgjonte e dëgjonte, fryhesh sa fryhesh, mëndja i shkonte tek e thëna: Mirë gomari që po ngordh, po mizat ç’dreqin kanë që se lënë në hallin e tij!
Një ditë të shtunë, pronari i tokave krekosej para gjinekës (karakteristikë e grekëve). Ndali makinën e shtrenjtë nën hijen e një rrapi, rrëkëllente njëra pas tjetrës shishe me birrë të ftotë dhe dërdëlliste:
“Panajotis! Ella edho. Kaci ligu. Nusja ime është kapitaliste e madhe. Mamaja i ka dhënë në pajë tokë, pare dhe vila. Vila në Pirene, vila në Volas, vila në Selanik. Në tokat e nuses time punojnë shumë argatë shqiptarë. Ka simpati për shqiptarët. Satanaj e merr vesh psenë. Ella Panajotis. Kaci ligu. Tani shumë nxehtë. Ka edhe shumë pluhur. Po më lutet edhe nusja! Ka dëshirë të shkosh bashkë me të në vilat e mamasë. Të punosh edhe ca ditë atje. Të vishesh me breçka mëndafshi. Ka plazhe atje?
Ke parë plazhe ti panajotis? Nuk ke parë! Bibilen e ke prerë (A je bërë synet)? Alvanot turk mysliman. Shkoni pushoni ca ditë tek mamaja e nuses time. Të gjejë edhe ndonjë punë Vasiliqia.
Jo çoban,jo të fshish vathat e Andreve, po në vilën ku banon mamaja. Mamaja e Vasiliqisë banon vetëm. E ka lënë burri të re. U martua në gjermaniko pushti. Mamaja nuk u martua. Tani është bërë pishman. Por…Ecni Panajotis, ecni. Vasiliqia ka makinën e saj.
Ke bërë dashuri në makinë? Nuk ke bërë! Nisu me Vasiliqin tek Mamaja. E dini ju plakush ku ndodhet Selaniku, Pirene, Volas? Nuk e dini. Mos ia prish nuses time, nisu me të. Është edhe nazelije. Ka ngjarë nga babai putana”!
Fliste e fliste, pinte sa pinte, ngacmonte nga mundte nusen, qeshte me të madhe sa mekej! Çobani refugjat sa vinte e buhavitej. Deshi nuk deshi, la fshesën, mori bllokun e shënimeve. Në këtë bllok ishin stamposur harta me shtetet e Evropës. Xhaja ia vuri përpara afendikoit që gajasej së qeshuri. Ndërmjet tyre u bënë këto pyetje, u dhanë edhe këto përgjegje:
Panajotis: Mastore, më thuaj, të lutem, se ku ndodhet Selaniku, Pirene, Volas? Ku janë vilat e mamasë së zonjës Vasiliqi?
Afendikoi: Malaga. Pulu Malaga (Ju jeni shumë budalla), Selaniku edho. Pirene edhe. Volas edho. Tregonte tërë fudullëk, ngulte gishtin kuturu!
Panajotis: Mastore. Paska Anglia qytete me emrat: Selanik, Pirene, Volas?
Afendikoi: Malaga! Selanik, Pirene, Volas ka vetëm Eljadha. Vetëm Eljadha. Alvanozët pulu Malaga!
Panajotis: Më falni, ju zonja Vasiliqi. S’jam unë budalla. Jeni gomarë! Shteti në hartë, në të cilin ngulni gishtin ju s’është Eljadha, por Angllija. Ja Londra! Ja…
Vasiliqia: Ne, ne. Ndaksi Panajotis, ndaksi. Anglia,Anglia!Stelua…(I çukiti ballin me noçkën e gishtit tregues).
Afendikoi: Panajotis. Mafjoz! Pusht! Ju Vasiliqi…putanë. Nisu tek mamaja. Bëj të fala edhe nga dhëndri!
Ca birra, ca fudullëku kishin bërë punën e vet. Afendikoi nuk po donte veten, jo më refugjatin. Jepte e merrte, shante e mallkonte në gjuhen e tij. Përplasi në tokë edhe bllokun e shënimeve me hartat e Evropës.
Nga ky bllok dolën disa fotografi. Në njërën prej tyre kishin dalë Panajoti, Drita (bashkëshortja e Panajotit), vajza dhe djali i tyre. Kishin dalë në lulishten e Beratit. Në sfond Mangalemi i famshëm. Njerëz dhe vende më të bukur se në Shqipëri nuk gjenden gjëkundi! Afendikoit sa nuk i ra damllaja.
Vasiliqia puthi kalamajtë si yje! Kishte të drejtë. Dhjetë vjet martesë, ende nuk kishin lindur fëmijë.
Dalëngadalë, ditë pas dite, refugjati dhe Vasiliqia u miqësuan!
Panajotis u punësua në vilën e mamasë! Ujiste dhe prashiste lulet e avllisë! Vasiliqia vinte takonte mamanë dy-tri herë në muaj! Pas një viti bëri emër Zoti: E gëzoi me një djalë!…