Caush Carkanji: Të kishe një mik të tillë si Demir Zyko!

Caush Carkanji: Të kishe një mik të tillë si Demir Zyko!

Caush Carkanji

 

Në këtë foto kam dalë me “Artistin e Popullit “, Demir Zyko, përpara Shtëpisë së Kulturës, Gjerbës në tetor të vitit 1979.

 

Me Demirin jam njohur që kur isha i vogël. Ai vinte shpesh në Carkanj, tek e motra, Hatixheja, e cila ishte martuar me Mazllëm Carkanjin. Sa herë që vinte, para se të ikte, kthehej edhe një copë herë në shtëpitë tona dhe e pinte një kafe apo një gotë raki bashkë me prindërit e mi, të cilët i respektonte dhe fliste fjalë të mira për ta.

Kur bëheshin dasmat dhe gostitë, Demiri i jepte lezet muhabetit. Ishte i qartë, i shtruar dhe fjala i peshonte shumë.  Arsyetonte , fliste me logjikë duke u mbështetetur fort në traditat dhe zakonet e mira të Skraparit. Kur ia merrte këngës, çfardo kënge që të ishte, e logoriste zërin aq bukur sa ne fëmijët e vegjël mahniteshim.Këngën ia mbante i nipi i tij, Islam Carkanji, i cili për nga zëri ishte kopje e Demirit.

 

Nuk e harroj 17 janarin e vitit 1968, në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit, kur Demiri me këngën e tij “Mbeç more shokë mbeçë”, kënduar në festivalin folklorik të Lezhës , ngriti peshë në këmbë gjithë Shqipërinë.

Udhëheqësi i Shqipërisë në ato vite foli me zë të lartë: “Nuk ngopesh së dëgjuari këngën nizame, “Mbeç more shokë mbeçë ,përtej Urës së Qabesë”, kënduar me mjeshtëri të rrallë nga Demir Zyko, bilbili i Tomoricës.

Pedagogët e mi më thirrën në katedrat e tyre, më përgëzuan dhe më falenderuan pa masë për talentin e madh në zë si Demir Zyko, i cili filloi të propagandohej në tërë Shqipërinë.

Kur fillova punën në Gjerbës si drejtor i zonës së Tomoricës në janar të vitit 1970, mora përsipër që foninë e Demir Zykos ta përvetësonin edhe nxënësit e shkollës tetëvjeçare të Gjerbësit. Demiri u tregua i gatshëm dhe sa herë që unë e ftoja në orën e muzikës, ai me shumë pasion u mësoi fëmijëve si Petrit Çinari, Neim Zykos etj., mënyrën e interpretimit të këngës polifonike.

 

Njëherë në në orën e mësimit, ku i ftuar ishte dhe Demiri, erdhi dhe poeti  Xhevahir Spahiu, që në atë kohë punonte në “Zërin e Popullit” Xhevahiri botoi një teportazh të gjatë në faqen e brëndëshme të gazetës me titull: “Plaku i këngës”, ku vlerësonte dhe i bënte jehonë të madh zërit të mrekullueshëm të Demirit dhe punës së tij të palodhur për ta përcjellë këngën polifonike tek brezat e rinj.

 

Veç miqësisë së vjetër që kishim me xha Demirin, familja jonë bëri një miqësi të re. Vëllai im, i vogli, Kapllani, u martua me vajzën e tij, Naxhien.

Të gjithë u gëzuam për këtë lidhje, veç që kishim gjakun e tij në shtëpi si shtëpi e nderuar që ishin, por kishim edhe atë vet, që, sa herë që vinte te ne, na zbukuronte shtëpinë me muhabet e me këngë.