Fatbardh dhe Flamure Dyrmishi, një çift artistësh, jo të bërë, por të lindur për artistë!…
Këto foto të çiftit Dyrmishi janë fiksuar në veprimtaritë e zhvilluara në Melburn të Australisë, ku ata kanë vite që kanë emigruar.
Është një çift artistësh që ka vërtet një rrugë të gjatë dhe të admirueshme artistike
Mbi 30 vjet në skenë, Fatbardh dhe Flamure Dyrmishi e nisën rrugëtimin e tyre artistik nga lëvizja amatore që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur kjo lëvizje kishte marrë një zhvillim të madh si në të gjithë vendin edhe në Skrapar.
Bardhi ra në sy që në fillim për mjeshtërinë aktoriale, kur ishte pjesë e trupës teatrale amatore të Shtypshkronjës, ku ai punonte si makinist shtypi. U specializua në një kurs koreografik në Tiranë.
Sa u kthye që andej, me një pasion të jashtëzakonshëm ngriti grupin e valleve të Shtëpisë së Kulturës Çorovodë, ku vet kishte gjithmonë rolin e valltarit të parë. Krahas shfaqjeve dhe koncerteve të Shtëpisë së kulturës, ai merrej me të gjitha grupet amatore, me grupet artistike të tri shkollave të qytetit, por edhe me ata të Shtëpisë së Pionierit.
Njohja e tij me Flamure Gramozin, që më pas lidhën edhe jetën bashkëshortore, solli një çift tepër simpatik, tepër të harmonizuar dhe të sinkronizuar artistikisht, një çift që me protagonizmin dhe talentin artistik, nuk mungoi asnjë herë në veprimtaritë që zhvilloheshin atëhere, jo vetëm në Skrapar, por edhe në veprimtari dhe turne kombëtare dhe ndërkombëtare.
Flamurja, veç si valltare, ishte edhe një soliste e muzikës së lehtë dhe e këngës popullore. Ashtu si dhe Bardhi, ajo qe një regjisore, një mësuese e durueshme për breza nxënësish dhe fëmijësh, që, edhe në mos iu futën rrugës së artit, zgjoi dhe kultivoi te ata ndjeshmërinë artistike.
Pas viteve ’90 ata kanë emigruar në Australinë e largët, në Melburn. Edhe atje, si në Çorovodë, gëzojnë një popullaritet të jashtëzakonshëm, merren me veprimtari artistike në koncerte të ndryshme të diasporës, por edhe në gëzime të familjeve shqiptare në emigracion. Domosdo, kështu veprojnë artistët e lindur për artist.