Aventurat turistike në kanione, turizëm i bukur, i ndjerë, por…edhe tepër i rrezikshëm! Si mund të shmangen tragjeditë?…
Të paktën këtë vit janë dy raste humbje jete të turistëve të huaj në kanione, njëri para një muaji në Kanionet e Osumit në Skrapar dhe tjetri para dy ditësh në Kanionet e Langaricës në Përmet, pa përmendur më tej aksidentet tragjike që kanë ndodhur sivjet në Alpet e Veriut të Shqiparisë.
Dihet dhe njihet vështirësia dhe risku në turizmin e aventurës. Ndaj ata që kanë pasion këtë lloj turizmi, para pasionit, kënaqësive dhe adrenalinës, vënë logjikën, punën, stërvitjen, njohjen e terrenit dhe respektimin e rregullave dhe normave sportive dhe turistike.
Turistët e huaj edhe ata vendas e dinë se kanionet nuk eksplorohen pa guida profesionale, por, kur nga pritësit nuk gjejnë atë që duhet, guidat, disiplinën sportive, rregullin, atëhere veprojnë “me kokën e vetë”, dhe “hanë kokën”: hyjnë në këto zona pa pajisjet profesionale, pa kostumet e përshtatshme, pa jelek shpëtimi, pa skafandra, pa mjete komunikimi, pa mjete sigurie, litarë, ganxha etj.
Përgjegjësitë në këto raste i kanë agjencitë pritëse që i marrin përsipër, të cilat duhet të zbatojnë normat dhe rregullat, por, në bashkëpunim me pushtetin lokal duhet të merren masa sigurie, si dhe nuk duhet të lejojnë në zonat ku veprojnë amatorizmin e pakuptimtë dhe të rrezikshëm.
Deri tani te ne ka vepruar ashtu siç kemi vepruar, si një “terra inkonjita”, por tani e tutje ky lloj turizmi nuk duhet të jetë për këdo, duhet të terheqim turistë me me raportin konkurrues cilësi -çmim të ofertës së përgjithshme të territorit tonë.
Kjo është sfida e vërtetë e së tashmes e, mbi te gjitha, e viteve që po vijnë: rritja cilësore duke mbetur konkurrues (jo të lirë, jo “shyqyr që na vijnë”) edhe në çmime!…