Asllan Ibro dhe Hekuran Molla, virtuozët e këngës së Vëndreshës: Ja ç’do të thotë ta ngresh këngën në lartësitë e një himni!…

Asllan Ibro dhe Hekuran Molla, virtuozët e këngës së Vëndreshës: Ja ç’do të thotë ta ngresh këngën në lartësitë e një himni!…

Gëzim Alia

 

Nuk jam specialist i fushës që të analizoj me kompetencë profesionale grupin folklorik tepër të veçantë, të Vëndreshës dhe sidomos dy protagonistët e këtij grupi, Hekuran Molla dhe Asllan Ibro.

 

Por, duke parë se asnjë njeri tjetër deri tani nuk është ndalur të analizojë krakteristikat e këngës së Vëndreshës dhe mjeshtërinë interpretative të grupit folkorik të kësaj zone, po mundohem ta bëj unë ashtu siç di dhe siç e kam njohur këtë grup si pjesë e tij herë me iso e herë me këngë.

 

 

E bëj këtë nga dëshira dhe pasioni i madh që kam për këngën popullore; e bëj këtë nga një peng i madh që më ka mbetur që asnjeri nuk hyri dot thellë në shpirtin e dy këngëtarëve tanë përfqësues, Hekuran Molla dhe Asllan Ibro, të zbulonte tharmin që ata e i dhanë këngës së Vëndreshës, që e bënë atë të dallueshme dhe të pakrahasueshme me zonat e tjera të Skraparit; e bëj këtë si bir i ndjeshëm i kësaj zone ku linda, u rrita dhe u bëra njeri.

 

 

 

Kënga autentike e Skraparit dhe nuancat zonale të saj

 

 

Skrapari , si një zonë e izoluar, ka një trashëgimi kulturore krejt të sajën si në mënyrën e jetesës, si në zakone ashtu edhe në këngë. Kënga e Skraparit është unike dhe këndohet njëlloj në të gjithë krahinën. Por, për një vesh specifik, ajo ka edhe dallimet e saj nga zona në zonë. Këto dallime u vunë re veçanërisht nga mesi i viteve 1960, kur, nga muhabetet e odave, dasmave dhe gostive, kënga u ngjit në skenë.

 

 

E para që u vu re me nuancat e saj karakteristike ishte kënga e Strorës me dy korifejt e saj, Ceke Strorën për këngën dhe Belul Hyskon për vallen. Që në atë kohë ajo u quajt dhe mori çertifikatën si “kënga e Strorës”. E mbajti këtë vend dhe këtë emër deri vonë, ndërkohë po bëheshin të tjerë grupe të dallueshëm me tiparet dhe karakteristikat e tyre zonale, siç ishte kënga e grupit të Dobrenjit, të Bargullasit, grupit të Muzhënckës etj.

 

 

Kënga e Vëndrëshës ra në sy dhe u bë e dallueshme më vonë, vetëm atëhere kur doli në skenë në vitet 1970.

 

Edhe më pas, në vitet ’90 ka patur përpjekje nga grupe këngëtarësh të rinj dhe të mirë për të nxjerrë këngë “origjinale”, “autentike” sidomos këngë lirike si, “Ç’janë këto oda të mëdhaja” , “Bajame, mos shkel mbi varre” etj. por që nuk mbetën të tilla, nuk u bënë përfaqësuese. Siduket ato ishin shartesa me elementë të kengëve të rretheve fqinje, sidomos të Gramshit.

 

 

Ai që ngeli autentik, i pandryshuar dhe përfaqësues “zyrtar” i këngës së Skraparit, ishte grupi i Demir Zykos me Mehdi Kushen e Koprënckës, Neshat Hebibasin, Shahin  Çinarin dhe Agim Carkanjin e Gjerbësit.

 

 

 

Grupi folklorik i Vëndreshës, rrënjë historike

 

 

Por le të rikthehemi te Grupi i Vëndreshës, në fillim te historiku i tij dhe më pas të analizojmë disa karakteristika të këtij grupi.

 

 

Kënga dhe vallja e Vëndreshës aty kanë qenë, ato këndoheshin dhe kërceheshin nëpër dasma dhe evente të ndryshme, por që këtë “mineral të rrallë” e nxorën nga thellësia, ishin dy këngëtarë të bërë për njëri-tjetrin, Hekuran Molla dhe Asllan Ibro, një dyshe unike, pa të cilët kënga e Vëndreshës nuk do të ishte zbuluar kurrë dhe në kushtet e sotme të shpërbërjes së popullsisë, do të ishte harruar fare.

 

Ishte Hekurani me Asllanin që bënin bërthamën e grupit folklorik të Vëndreshës, qenë katër herë në Festivalin Kombëtar të Gjitokastrës, vitet 1973, 1978, 1982 dhe 1986. Më vonë akoma në Festivalin e Lezhës, Beratit etj.

 

 

Janë pikërisht këta dy këngëtarë të mëdhenj që për gati 50 vjet me radhë e ngritën këngën e Vëndreshës në piedestal, i dhanë asaj shpirtin, i dhanë zemrën dhe frymën që ajo të kumbojë ashtu siç ka qenë dikur,

 

…kur këndoninin prijësit e kryengritësave Rilindës, Sulejman Spathara, Tajar e Tefik Vendresha;

 

…kur këndonte Veli  Zeka në darkën e ngritjes së flamurit në ditët e Ismail Qemalit në Vlorë më 1912;

 

…kur këndonte Brahim dhe Sabri Hoxha në festivalet e kohës së mbretërisë së Zogut;

 

…kur këndonin trimat luftëtarë Ramiz Hysi e Riza Vala që ndiqnin çetën e Riza Cerovës;

 

…kur këndonin bilbilat vëndreshallinj Fejzo Zeka dhe Asbi Bregu që lezetosnin festën e çlirimit  të Çorovodës nën hijen e plepave të atëhershem.

 

 

Pra “kënga e re” e Vëndreshës nuk lindi në një shtrat bosh, përkundrazi ajo ka qenë një produkt historik popullor që herë është ngritur dhe herë është ulur, por nuk është shuar asnjë herë.

 

 

 

Kënga, pa pronar, produkt kolektiv

 

 

Hekurani dhe Asllani vërtet e ngjitën këngën e Vëndreshës në lartësi të admirueshme, por asnjë herë nuk e pronësuan dhe ta mbanin për vete atë.  Ata e konsideronin këngën si një një produkt kolektiv dhe mësimin dhe transmetimin e saj në breza e bënë një shkollë të vërtetë.

 

Në asmblin e Vëndreshës kishte edhe këngëtarë virtuozë të tjerë si Hasan Alija, Demir Ibro, Diafet Kushova, Sali Bregu, Irfan e Myrteza Aliaj, Dajlan Çela, Veli Bega, Pelo Pelivani, Flamure dhe Florie Çuadari, vëllezërit Shefqet e Skender Duçellari, 16 – vjeçari Shefqet Ibro, që befasoi në vitin 1974 regjisoren e famshme Vera Grabockën me zërin e tij, kur ajo e regjistroi  në radio dhe në televizion dhe plot këngëtarë të tjerë.

 

 

 

Gëzimet familjare, akademi dhe shkollë për dy virtuozët e Vëndreshës

 

 

Po si e arritën këtë Asllani dhe Hekurani, cili qe formimi i tyre muzikor?

 

Asgjë e jatëzakonshme. Historia e tyre është historia e dy fshatarëve të thjeshtë nga e njëjta lagje, Ibrollarë, por që Hekurani shkoi me familje në stan në Blanë, afër Valës.

Ja si e tregojnë ata historinë e tyre.

 

Asllani:

 

Lagjja jonë Ibrollarë është shquar për muhabet dhe këngë, të cilat mbaronin në mëngjes kur zbardhte dita. Te Ramizi nuk dilje dot pa tre vakte; te Myslimi, bëheshin dyshekët gati në haur; te Metja s’bënte vaki të dilje pa valle. Kështu, anagjore, ishte te Hasani, Nazifi, Kamberi, xha Demkja. Kush vinte mik në këtë lagje do ta bënte hesap mirë, nuk dilte dot për një javë, ku drekën ku darkën me radhë. Muhabeti okadar, kënga gjym!

 

Babai im, Izeti më mbante pas, si manar, në këto muhabete. Ai këndonte bukur dhe unë e shikoja në sy kur këndonte. Të nesërmn, kur shkoja me bagëti, i çoja nga Lipjani. Andej ia merrja këngës, mundohesha t’i ngjaja babait. Ia merrja dhe i mbaja vetë.

 

 

Ndonjë herë, shkoja te qypi që kishte zbuluar nga toka xhaxhai. Ky qyp ishte dy-tre kuintalësh. Ishte i periudhës ilire. Ndodhet edhe sot në muzeun historik të Skraparit, e çoi Abdulla Bregu atje. Unë futesha brenda te ky qyp e ia merrja këngës. Zëri dridhej dhe spërdridhej dhe qypi bëntë një iso me e-e-e-e-e-e-e!

 

 

Ja kështu stërvita zërin. Më pas më merrnin nëpër dasma e gosti dhe më thoshin t’ia merrja këngës. E pashë se çoç bëja!

 

 

 Hekurani:

 

Te ne, në Blanë, babai im, Feimi dhe dy xhaxhallarët, Metja dhe Petrefi, pasi ikëm nga Vëndresha, ndërtuan një hajat, si tip hani për kafshët dhe për udhëtarët që i zinte rruga e pazarit të Beratit.

 

Udhëtarët, megjithëse të lodhur, kur pinin nga një çikë raki që u lëshonin pleqtë, i a merrnin këngës dhe valles. Unë rrija afër derës dhe dëgjoja me vëmendje. Kur ia merrnin valles, pasi mbaronin, shkoja në kuzhinë dhe mundohesha të kërceja si ata.

Ja, kjo qe shkolla ime!

 

 

 

Ja ç’do të thotë ta ngresh këngën në lartësitë e një himni!…

 

 

Nuk është lehtë ta ngresh këngën në lartësinë e një himni, por Hekurani dhe Asllani e kanë ngritur atë në atë lartësi, që çdo banor i zonës nga Spathara, në Therepel e Valë dhe nga Buzuqi në Lavdar, duhet t’u jetë atyre për jetë mirënjohës për kënaqësinë shpirtërore që ata iu kanë dhuruar.

 

Ata e zbutën këngën, e shtruan, e  ledhatuan si një fëmijë, e ulën në taban…Ja pse nga goja e tyre ajo del ndryshe. Ja pse ajo fiton vlera të veçanta nga ata. Ja pse vallja “Hapëm ca ara në male”, valle që fitoi Çmim të Tretë në Festivalin e Gjitokastrës në vitin 1973 quhet e tyrja. Ashtu siç quhen të tyret këngët “Sa lezet më kishje kur vije nga të parët, “O Vëndreshë, o vend i shtruarë”, “Në Tomorrorr ku mblidhen retë”.

 

Si përfundim mund të themi se është meritë e këtyre djemve vëndresharë  që i dhanë këngës përmasa të tilla që ajo të çajë hapësirat qiellore e të dëgjohet në të gjithë botën kudo ku ka skraparllinj, kudo ku ka vëndreshallinj.

 

 

 

Repertori i kënëgëve të Vëndreshës

 

 

 

Tani shumica e tyre janë të regjistruara dhe janë hedhur në Yotube.

 

  • 70 tekste këngësh janë shkruar nga vetë këngëtarët dhe një pjesë e mirë nga Gëzim Alia.

 

  • Incizime të vjetra në Radio 38 këngë

 

  • Janë regjistruar në TVSH 13 këngë

 

  • Janë bërë dy videoklipte

 

 

 

Titujt e disa këngëve

 

 

  O Vendreshe sipër në mal, ikën djemtë dhe të lanë

 

Dëshmorëve të Vëndreshës

 

Në vend këngës t’ia themi, televizorit na erdhi

 

Bir, o Nefail, o bir, o djalë

 

 Këngë për dëshmorin Qazim Ibro

 

O ju bijtë skraparllinj, heronj të vendit tim

 

 Mbi ca kodra mbi Spatharë, po lufton Brigad’e Parë

 

Kënga e Balës

 

Dola një ditë në Pazar

 

O shokë më qani hallë

 

-Ftujkëz e bardha me zile

 

Hapëm ca ara në male – valle e kënduar

 

E, o ti, ore lisi gjaë

 

O moj dardha rrumbullake (marrë më tresh)