Ja pse Stefan Berukën (Naqen), “të internuarin e rrezikshëm”, e donin të gjithë në Çorovodë!…

Ja pse Stefan Berukën (Naqen), “të internuarin e rrezikshëm”, e donin të gjithë në Çorovodë!…

Zylyftar Hoxha

 

Ai erdhi, jo erdhi, por e sollën si të internuar në Skrapar në vitin 1971 ose 1972. Ishte piktor shumë i mirë, në mos gaboj, nga Sopiku i Gjirokastës. Kishte mbaruar Liceun Artistik të Tiranës, por meqenëse i ishte arratisur i ati në SHBA, e prunë piktor skene, dizenjator në Shtëpinë e Kulturës.

 

 

Ishte i vetmi piktor i qytetit që lëvroi në fushën e portretit dhe që la pas një punë artistike të jashtëzakonshme dhe të bukur.

I ndihmuar edhe nga familjarët dhe të afërmit, identikitet e të gjithë patriotëve dhe dëshmorëve që nuk kishin fotografi janë bërë nga Stefani.

E gjithë kjo punë sot është në arkivin e Muzeut Etno-Historik të rrethit, por edhe nëpër familjet e dëshmorëve.

 

Kam dashur të shkruaj edhe më parë për të, por, fatkeqësisht, nuk kam patur të dhëna. Megjithëse mik dhe e doja shumë, nuk e kisha pyetur kurrë për jetën dhe origjinën e tij, pasi kisha frikë se e lëndoja.

 

 

Para ca ditësh, një miku i tij dhe imi, Seit Mema, instrumentist i talentuar kavajas, që jetoi dhe punoi shumë vjet në Skrapar, kishte postuar një foto ku ai dhe Bardh Dyrmishi kishin dalë bashkë me Stefanin (Naqen, siç e thërrisnin dhe siç kishte edhe vet qejf ta thërrisnin).

 

 

Ishte një foto që më preku, por ishte edhe një shënim i Seitit, që më preku edhe më shumë, ku thoshte: “A do të shkruajë ndonjë njeri për këtë njeri””!

 

 

Siç e shihni edhe në këtë foto të zbehtë, se nuk siguruam dot një tjetër, paraqitet Stefani me atë fytyrën engjëllore dhe të pafajshme, mes dy miqve të tij, Bardh Dyrmishit dhe Seit Memës.

 

 

Për të mos e zgjatur, dua të them se, megjithse ai ishte “i internuar” dhe në Skrapar “lufta e klasave” ishte nga më të egrat në Shqipëri, Stefani gëzonte statusin e një qytetari si të gjithë qytetarët skraparllinj.

 

Askush nuk e lëndoi, qoftë edhe me një fjalë të vetme, por e donin e respektonin si i huaj, si ardhës, si mik që ishte në Skrapar. Dhe këtë ai dhe e shoqja, Kosta, një zonjë grua, e ndjenë thellë, aq sa e shprehnin hapur, se po të ishim gjetkë nuk do ta kishim këtë trajtim që kemi këtu në Çorovodë.

 

 

Kishin tri vajza, Valin, Pepin dhe Rozën. Por nuk i gëzuan dot të tria, sepse vajaz e dytë, Pepi vdiq në moshën e adoleshencës nga një sëmundje e pashërueshme.

 

 

U ngrit, si në asnjë rast tjetër, i gjithë qyteti për t’i bërë nderimet e varrimit. Më shumë se për humbjen e vajzës, Stefani u prek me ndjeshmërinë skraparllinjve, të cilët, në një farë mënyre, ia lehtësuan dhimbjen jo vetëm në atë çast, por edhe më vonë kur ai e gjente çdo javë mbi varrin e së bijës plot lule nga komshinjtë dhe bashkëqytetarët e thjeshtë që kalonin andej.

 

 

Pas 25 vjetësh në Skrapar, pas në viteve ’90, Stefaniu shkoi familjarisht në Amerikë. Kishte njëmijë e një arsye për të shkuar. Por, fatkeqësisht, iku shpejtë nga kjo botë.

 

 

Besoj, iku i qetë, për t’u prehur pranë varrit të të atit, i bindur se skraprllinjtë e mirë e të dhimbshur do t’ia mbanin varrin e së bijës të lulëzuar, ashtu si, çuditërisht, është edhe sot, por edhe do ta kujtonin vet Stefanin, këtë burrë të mirë, të rrallë, të veçantë për urtësinë dhe mirsinë që e karakterizonte.