Jahja Satka nga Radëshi dhe pasuria e tij marramendëse
Pasuria e Jajha Satkës është paimagjinueshme në shifra, është një “perandori financiare, brenda një perandorie shtetërore”, ku vazhdojnë pa u ndërprerë aktivitetet komerciale dhe transaksionet dhe për të cilën trashgimtari shqiptar ka vite që has pengesa nga klane të veçanta në të dy shtetet, në atë turk, por më shumë në atë shqiptar
Personalitet në biznes dhe njeri me rrezatim dhe kontribute të çmuara për Shqipërinë dhe Turqinë.
Ka lindur në vitin 1902 në Radësh të Skraparit.
Pasi kreu ushtrinë në Elbasan emigroi në Turqi. Në Ankara fillimisht punoi si gurgdhëndës për shtrim kalldrëmesh. Punoi në Bursa, Izmir e më pas në Stamboll ku fitoi përvojë dhe mbaroi shkollën për ndërtime.
Një njeri me botkuptim të gjerë, mik i Ataturkut të madh, ish-kryeministrit Adnant Menteres dhe shumë personaliteteve të larta turke, Jahja Satka në vitin 1930 u bë sipërmarrës ndërtimesh dhe më pas personalitet i lartë shoqëror.
Në vitin 1933 u martua me Xhevrje Gurin (Satka), me të cilën nuk pati fëmijë, por që në vitin 1964 birësoi Veri Satkën, djalin e vëllait të tij, Et’hem Satkës.
Me firmën e tij të fuqishme ekonomikisht dhe të organizuar mirë, Jahja Satka bëri ndërtime të mëdha dhe me emër në tërë Turqinë.
Organizator i shquar, arkitekt i mirë, kërkues dhe dashamirës së bashku me kryearkitektin francez Frank Prosy dhe Qemal Butka, nga familja e Sali Butkës nga Kolonja, Jahja Satka drejtoi një sipërmarrje të madhe ndërtimi nga më të mëdhatë dhe nga më të fuqishme në Turqi, i cila kishte me mijëra punonjës dhe drejtues, midis tyre edhe shumë shqiptarë.
Djali i Radëshit bëhet sipërmarrësi i ndërtimeve, që çuditi Turqinë, në vitet ’30. Për këtë nuk e ndihmoi miqësia me Ataturkun, se sa “krijesat” madhështore që filluan të pushtojnë cepat e Stambollit, Ankarasë, Izmirit, Bursas apo qytete të tjera të rëndësishme.
Ky gjigant që doli nga anonimati ka hedhur firmën për shumë ndërtesa të mëdha dhe të rëndësishme në Turqi, midis të cilave godina e Bashkisë së Madhe të Stambollit; Qendra Kulturore “Ataturk”; stadiumi “Ali Sami Jen (Nipi I Sami Frashërit); spitali “Vakif Gureba”; spitali shtetëror “Omejdan”, gjashtë godinat e porteve të mëdhenj të Stambollit dhe godina e Drejtorisë së Përgjithëshme të Lundrimit; ndërtesën e Doganës Qëndore në Karaqoj; Drejtorinë e Përgjithshme të Bankës “Japi Kredi”, ku Jahja ishte aksioneri kryesor i saj.
Ai kishte aksione në Bankën e Punës dhe në “Sheqer Bankë”.
Shtrimi i rrugëve me kalldrëm nga firma e Jahja Satkës në Turqi, ka trashëguar famën e sipërmrrësit të madh Satka me epitetin “Arrnaut Kaldrëm”.
Mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, bujar dhe dashamirës i punës, artit dhe kulturës, mikpritës i shumë e shumë grupeve nga Shqipëria dhe trevat e saj, ka qenë një nga “ambasadorët” dhe bazat më të njohura të gjakut të kombit tonë në Stamboll dhe në tërë Turqinë.
Ai nuk do të harronte kurrë njerëzit e maleve të Tomorrit. Ai kish jetuar në tri palë shtëpi dykatëshe, me dy furra buke, ku 76 frymë hanin në gojën e njëri-tjetrit. Dhe kjo harmoni do ta ndiqte atë edhe jashtë Shqipërisë, por tashmë me bashkatdhetarët e tij.
Ishte kryetar i Vllazërisë Turko – Shqiptare.
Në vitin 1965 u dekorua me nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Në këtë kohë ai i kërkoi qeverisë shqiptare të ndërtonte falas një spital të madh modern në Tiranë dhe të bënte një autostradë nga Tirana në Skrapar. Por propozimi dhe i tij nuk u pranua, pasi, sipas autoriteteve të kohës, nuk i lejonte Kushtetuta futjen e kapitaleve të huaja në vendin tonë, i cili duhet të ndërtohej vetëm “me forcat e veta”!
Vdiq në Turqi në vitin më 23 mars të vitit 1977, duke lënë pasardhës e trashëgimtar të parë djalin e tij të birësuar (djalin e vëllait) Veri Satkën.
Pasuria e Jajha Satkës është marramendëse, ku vazhdojnë pa u ndërprerë aktivitetet komerciale dhe transaksionet, por shteti turk nuk do që kjo pasuri të kalojë te trashgimtari shqiptar, sepse preken interesa të mëdha kombëtare, kërkojnë me makincione t’ia kalojnë këtë pasuri shërbëtores së tij.
Mund të duket dhe paradoks, por në fakt është krejt e vërtetë. Ndërkohë që Turqia mburret me emrin e Jahja Satkës, Shqipëria nuk guxon të ngrejë zërin dhe të thotë se “Jahjai është shqiptar nga Radëshi”.
Pasurinë që e la në duart e djalit të vëllait të tij, Veri, të cilin e kishte birësuar, ka tashmë mbi 30 vite të tëra që rri pezull mes Tiranës e Ankarasë, në një maratonë seancash gjyqësore.
Ndërsa, Tirana zyrtare vazhdon të heshtë për njeriun që i dha edhe një dekoratë.