Lamtumirë Muhamet Basho!
Pas një sëmundjeje të rëndë dhe të pashërueshme, është ndarë nga jeta gazetari dhe publicisti Muhamet Basho.
Muhamet Basho u lind në Çepan 82 vjet më parë, më 10 qershor të vitit 1941. Pas arsimit fillor dhe 7-vjeçar në vendlindje, vazhdoi të mesmen për mësues.
Pas mbarimit të shkollës së mesme profesioni i tij i mësuesit të ri do ta çonte fillimisht në fshatinTherepel, ku aty do të gjente edhe shoqen e pandarë të jetës, Vangjelinë, një mësuese e ardhur në Skrapar nga Berati, që më vonë u bë një metodiste e njohur, model i mësimdhënies në Skrapar dhe më gjerë.
Pas Therepelit, Muhameti transferohet mësues në vendlindjen e tij, në Çepan, për të shkuar që andej në Universitetin e Tiranës, ku mbaroi studimet për Gjuhë Shqipe, Gjuhë Ruse dhe Letërsi.
Në vitin 1971 ai u emërua kryeredaktor i i parë i gazetës lokale “Jehona e Skraparit”, funksion që e ushtroi me përkushtim dhe profesionalizëm për më shumë se 20 vjet.
Pas viteve ’90 erdhi familjarisht në Tiranë. Megjithëse në pension, punoi për disa kohë në gazetën “Shekulli” si specialist për pastrimin e gjuhës në këtë gazetë.
Muhamet Basho do të mbahet mend si një publicist-editorialist, që, edhe pse gazetë lokale, i dha “Jehonës së Skraparit” një emër të mirë dhe të dallueshëm me simotrat e saj të rretheve të tjera.
Në aspektin njerëzor, ishte fat të ishe pranë tij dhe të shkëmbeje mendime me të.
Ëshë kjo arsyeja që largimi i tij nga kjo jetë ka sjellë një pikëllim të madh te të gjithë ata që e kanë njohur, miqtë, kolegët, shokët dhe veçanërisht familjarët, bashkëshortja, Vangjelia; djali, Landi dhe vajaza e tij, Frida.
I përjetshëm kujtimi i Muhametit!