Josif Papagjoni / “Vumë nga një tullë e nuk hoqëm tulla”: Nga libri “Ku po shkon pa dashuri” i Sefedin Çeles
Josif Papagjoni
Libri i Sefedin Çelës “Ku shkon pa dashuri”, tek ia ke thithur dhe avullin e germës së fundit, të duket si të jetë BOTA. Bota e vogël (apo mikrokozmosi) në botën e madhe (apo makrokozmosi), dhe e kundërta. Një botë që frymon diku, fillimisht në një fshat të quajtur Polenë, me 13 shtëpi gjithsej, rrokullisur fatit, luftërave dhe shekujve, “aq i vogël sa nuk e gjeje në asnjë hartë”, ku “sa shtohej një shtëpi shuhej një tjetër”, por ku, megjithatë, mishi i jetës ish i pnellshëm, i mbushur dëng me bëma e gjëma. Niset kjo “botë” nga ajo pikëz Shqipërie, tek ai fshat, në atë humbëtirë, te kërthiza e familjes, te njerëzit e shtrenjtë dhe më pas hapet e hapet…
Prej atij fshati të vogël kacavjerrë bokërimave e maleve, me njerëzit e butë e të rreptë njëherazi, epik nga natyra, libri shkon më tutje në të tjera vise e njerëz, anë e mbanë Shqipërisë. Rrathë jete që vetëmbyllen dhe rrathë jete që hapen, shndërrohen në shenja epoke. Ashtu pabëzaj, nga punët e vogla, imtësitë, rëndomtësitë dhe gjëzat që mbushin orët, ditët, rrëfimet e Sefedin Çelës shkojmë tek e madhja, te politika, te shteti, te vetë epoka dhe puna e brezave për ta bërë Shqipërinë, paçka se e varfër, paçka se e ngujuar dhe në një kohë të rreptë plot kufizime.
Pena e tij rrjedh, lë mbi letër “mellanin” e kujtesës së fshatit, të familjes; lë fatin e çuditshëm të njerëzve, ku krejt një jetë përmblidhet në pak fjalë e fjali, por ku drita që del syresh të godet, ndonjëherë, aq fort sa sikur të verbon. Sepse rrëfimi i gazetarit dhe shkrimtarit është sa karakterizues për njerëz të veçantë, aq dhe përvijues për krejt një jetë, një përvojë, një histori.
Është letërsi apo gazetari? Është libër me kujtime, memorialistikë apo libër me rrëfime? E ç’rëndësi ka kjo. Rëndësi ka shpirti që lëviz aty. Bukuria e tij. Thjeshtësia. Dhe mendimi. Idetë. Rrekja drejt filozofimit. Të kuptosh: çfarë, si, pse? Më duhet ta them se Sefedini ka një penë që pikturon mbi cohën e jetës, si të thuash, si me penelin surealist, ku e besueshmja dhe e pabesueshmja, huqi dhe virtyti, paradoksalja dhe e njëmendëta bëhen një, bëhen karakter e bulb, bëhen fantazi e realitet. Gishta të një grushti. Në fakt ato që thuhen nuk janë fantazi, por të vërteta. Kjo dallon enkas në kapitullin e parë “Gurët e shtëpisë”, ku mugujt e fëmijërisë kanë sipër një ylber, si te çdo fëmijëri. Mjeshtëria është ta thuash bukur. Dhe Sefedini e thotë bukur.
Te fshati i vockël ku ai lindi, mbetur jetim në bark të nënës, me babanë që kish dalë partizan e ish ligështuar nga shëndeti befas, mbeti si ajo guacka e kërmillit bartur mbi kurriz e vite, me bëma e njerëz, me histori mallëngjyese e të jashtëzakonshme, sa groteske aq dhe tragjike. Mall e dashuri për ta. Për vetveten. Po, libri i Sefedinit është mall e dashuri për të tjerët, për njerëzit e tij, gjirinë, njerëz të tjerë përbri, miq e shokë të shumtë.
Mall e dashuri për “Babain e shtëpisë”, Qamilin, me huqet e tij sa dhe me mendjemprehtësinë e ngjashmërinë e habitshme me bëmat e plakut Melehov te romani “Doni i qetë” i Shollohovit, tek u bie gardheve me sëpatë. Dhe pastaj përshkrimi mallëngjyes i mushkës së shtëpisë, si të ishte një “frymë” prej atyre mureve, e urtë dhe e palodhur në punë e mundime, dhe për ta shpëtuar nga mjerimi, ku e kishin katandisur “ata të shtetit”, plaku i shtëpisë e vrau me dorën e vet për ta shpëtuar dhe e varrosi diku, ku asnjeri nuk e mori vesh.
Po qeni i shtëpisë, “Buzoja”, me gjithë historinë e tij, a nuk është një portret mallëngjyes fantast, si imazhet e surealistëve?! Prandaj them se pena e Sefedinit, sidomos tek kapitulli i parë, ka diçka nga surealistët, a proza e Turgenievit, e Çehovit, e Markesit, a s’e di kujt tjetri! Por, ama, të thith!…
Dua t’ju kujtoj pakëz “Nëna ime. Babai im. Vetmohimi”. Është e gjitha një elegji dashurie. Dashuri e burrit për gruan dhe e gruas për burrin, e nënës për birin dhe e birit për nënën. Dashuri për jetën, që edhe pse fryn, shkundullon e zezona sjell, e bukur mbetet gjithsesi. Si një lot i madh, si breshër e plumb i shkrirë mbi cep të syrit, tek rrëshqet hullive të faqeve, dhe përvëlimin e shpirtit nga hallet dhe qëndresa, na rrëfen.
Ja, fjalë të tilla “poetike” unë do doja të thoshja për gjithë atë elegji, të shkruar me aq përmallje nga një penë që di se si ta grumbullojë në një pikë loti krejt një jetë – jetën e nënës dhe babait të vet, dashurinë e tyre të heshtur e të madhe, thjeshtësinë dhe trimërinë prej njerëzish, që të prekin për fatin e tyre gjer në kockë.
Teksa e lexoja këtë rrëfim, aq shumë u preka sa e pashë syrin tim të mbushur njësoj si nëna e Sefedinit për të shoqin fisnik e fatkeq. Sepse nënat dhe baballarët tanë kanë qenë vërtet të madhërishëm në stërmundimin e tyre për të mbajtur fort e drejt “kulmin e shtëpisë”.
- Çela, në rrëfimet e tij më të ndjera, i mbledh ngjarjet dhe i ngjesh fort, aty ku fati, fatkeqësia dhe mirësia bëhen bashkë si në një trekëndësh, ku shpirti i njeriut lëshon dritë në të vërtetat dhe thjeshtësinë e tij.
Nusja, që pasi i shoqi i heq duvakun, e sheh atë në sy duke e “thyer zakonin”; nusja që qan fshehurazi sepse ndjen dorën dhe shpirtin e tij të butë që “kujdesej për të”; vjehrra që i thotë nuses “bir”, sepse i vetmi bir i saj iu shua; djali që mban emrin e babait (Sefedin Sefedin Çela), si ringjallja e gjakut të shtëpisë, që e ëma kërkon ta bëjë me shkollë të “shikojë e të kuptojë”; një thelë mishi e hequr nga goja e nënës dhe si “tinëz” e hedhur në pjatën e birit apo nipave, që ata të kenë jetë e shëndet – gjest dashurie që vetëm nënat dinë ta bëjnë; dhe ai rrëfim i mrekullueshëm i nënës te djali i vogël në klasë të parë, që t’i ngulet në mendje fytyra e të atit, të cilin ai nuk e kishte parë se ishte ende në bark të saj. Një rrëfim i shkurtër sa një roman, sa një jetë…
Në kapitujt e tjerë të librit proza e Sefedinit bëhet më e menduar, diku ka qejf edhe të filozofojë për kohën para viteve ’90, duke ia hequr nga fytyra baltën e hedhur pa të keq, me cinizëm, nga mendjefyell e bastardë kapadainj që koha e re solli, sharlatanë e sarhosh të shumtë politikë. “Ne ishim një brez që nuk u bëmë bisht detyrave. Vumë nga një tullë e nuk hoqëm tulla. Atdheu nuk është ideologji, nuk është fe, është besim: të punosh për të është besim e akt moral, është dhe mison.” Dhe më tej ai sjell një tjetër të vërtetë, jo vetëm e tij: “Jeta të çon të vraposh pas erës. Si në një maratonë, si të ecësh në shi, të marrësh pjesë, të lagesh e të mbrohesh, të mbërrish në fund. Edhe nëse nuk mbërrn i pari, s’ke pse qahesh, mjafton të marrësh pjesë…”
Dhe kur retë mblidhen, qielli nxihet krejt dhe rrebeshi të bie shpinës, të qull e të ngrin, si dikur Mbreti Lir i Shekspirit, ti ulërin si një bishë: “Zot, ku je?”; ose si një njeri i humbur përfare: “Jetë, ç’më bëre?!” Por ti duhet të mbahesh, mos e humb pusullën, o njeri! Rrebeshi do të pushojë dhe qielli i mendjes do të hapet. Atëherë thirre vetveten brenda vetes, thirre besimin, shpresën. Ja, një mori rrëfimesh të tilla vijnë e mblidhen në kapitullin “Majtas, lart, ku kam zemrën”, për t’ia lënë vendin kapitullit pasues “Të shohësh brenda vetes”, ku tanimë lexuesi përthithet nga përsiatjet për jetën dhe vdekjen, njeriun, kohën, sistemin shoqëror, të djeshmen dhe të sotmen, rininë dhe pleqërinë. Sepse: “Të duash është besim, është guxim, është sakrificë…
Duhej ajo dorë miku për t’u ringritur! Jeta nuk është një vijë lineare, një tërësi pikash. Shpesh është një përrua i rrëmbyer me kthesa e gjeratore…” Ja, kështu! Në rrëfimin “Ku po shkon pa dashuri” pika e Arkimedit në jetë është pikërisht dashuria. Dashuria e tjetrit për ty dhe dashuria e jotja për tjetrin. Dashuria që ngjall. Dashuria që mund vetminë, mërzinë, dëshpërimin.
Dashuria që i thotë dhe rithotë zemrës së munduar: Jeto! I lodhur, i kapitur, i përhumbur nga vdekja e të shoqes, si një sonambul në hapësirat e zbrazta të mureve të shtëpisë, atje në katin e gjashtë, njeriu-Sefedin ndonjëherë e humbet edhe vetë sensin e hapësirës, kohës, të vetë qenësisë, dhe në zbrazti kërkon një dorë që t’i zgjatet, ta nxjerrë nga përhumbja, terri, siç qe për të dora e mikut të shtrenjtë, gazetarit të njohur, Arshin Xhezos, apo e njeriut të thjeshtë Behar.
Zemrat e lakuara, siç thoshte Kamy apo zemrat e thyera, siç thotë Sefedin Çela, them se njësoj janë, zemra që dashurojnë, që vuajnë, që durojnë dhimbjet e fatit, siç me aq vërtetësi na rrëfen dhe ai te ky libër-historizë e jetës së vet, sa dhe e brezit të tij…
“Gjërat e vogla” ku jeta frymon, mëvetësohet, thotë se “thelbi im është ky përjetim, i sotmi, i këtij çasti, i kësaj gjëzës në dukje pa rëndësi, por ku je fshehur ti e ti shfaqesh, vetjakësohesh”. Te gjërat e vogla është njeriu, jo te kapardisja, mburrjet, fryrjet prej gjeli; është edhe te raporti me një maçok, si esetë e mrekullueshme të Çapajev Gjokutës, ku përtej tij ti sheh rrathë të tjerë, si rrathët sokratianë; është dhe te thyerja e një pjate apo djegia e gjellës, është te një këmishë e varur harruar pa u hekurosur.
Është te shpirti. Te përditësia. Te heshtja. Te e zakonta. Është te aventura studentore pyjeve të Pukës me Moikom Zeqon, këtë mik të shtrenjtë timin, të Sefedinit e të mijëra të tjerëve, që ia lexuam mendjen. Është te një trumb djelmoshash që pasi mbaronin universitetin, shkonin e derdhnin mund fshatrave, larg shtëpive të tyre, dashuruar pas punës; është te një histori arxhinjsh, ku jeta e shpenguar sa dhe dashuria krijojnë thuajse një poemë njerëzore, si te tregimi i mrekullueshëm “Një arixhi, një arixhofkë dhe kali i vrarë”.
Ata, njerëzit e thjeshtë në librin e Sefedinit, “nuk kanë zënë topin nga gryka si Mic Sokoli, nuk kanë vrarë bimbashin si Çerçiz Topulli, nuk kanë hedhur gunën mbi tela si Selam Musai e për ta nuk ka këngë”. Por ata janë vetë “kënga e jetës”, kapedanët e saj, siç qe mësuese Ksanthipi, me shpirtin prej nëne; ose Ahmet Osja, Todo Gjermani, Bashkim Koçi, që dinin të “bisedonin” me dheun dhe pemët.
Një grua e rëndomtë ishte Qamile Dervishi, daktilografistja e gazetës “Bashkimi”, e quajtur me shaka “Dy-pëllëbë-grua-një-mbi-një”, vjehrra e këngëtares së njohur të operës Mariana Leka dhe motra e mjekut Isuf Kalo, por nga pena e autorit kullon gjithkund simpatia e dashuria.
E pra, ky zbulim i bukur i shpirtit njerëzor në prozën e Sefedinit shpreh e buron jetë. Por dhe filozofi. Një filozofi jo përmes termash, nocionesh, abstraksionesh e akrobacish mendore që lakmon paradokset e çudat, përkundrazi që na çon pa zhurmë tek ajo që e kemi çdo ditë nëpër këmbë, në ajër, në heshtjet dhe vetminë tonë, në ekzistencën tonë, te njerëzit bri nesh, në bisedën me vetveten dhe te mënyra se si ne jetojmë e frymojmë.
Epo kjo do të thotë të ndjesh e të kuptosh të vërtetën, të zbulosh qenien njerëzore përmes qenies tënde, sado e “vockël” dhe e “parëndësishme” të të duket së jashtmi. Prozat e personalizuara të Sefedinit të çojnë si pa kuptuar pikërisht në burimet e mëdha të kuptimit të jetës. Dhe këtë ai e bën shumëkah e në shumëçka, e bën me marrëdhëniet me babanë, nënën, djemtë, nuset, motrën, mbesat, nipin, shokët, miqtë…
Sefedin Çela, përherë kam pasur respekt për mendjen dhe karakterin tënd! Por tani që ta lexova më thellë shpirtin, m’u bëre më tepër mik. M’u duk sikur te libri yt hapa një shpirt. E lexova atë. U mallëngjeva. Sikur isha dhe unë aty. Me ty bashkë. Dhe kur lexuesi është “aty”, te germat e tua, dije prej meje se letërsia fluturon si ajo mëllenja ullinjve, por dhe si grifsha e bukur, siç thua ti, edhe pse zërin e ka të shpifur dhe mishi nuk i hahet.
Se e bukura dhe e shëmtuara bashkë janë në këtë jallane jetë. Libri yt, Sefedin, është si një fletore kujtimesh të ëmbla e të trishta njëherit, fletore loti e malli për njerëzit e ikur, që ti i ke dashur sa vetë shpirti i njeriut do: njerëz të familjes, miq për kokë, fytyra të ardhura nga kohët e mëparshme, emra që kanë bërë ferk në jetë.
Pena jote i ka ngjyer portretet dhe bëmat njerëzore edhe me ndoca akuarele të shndritshme, që mendja e gjorë në vitet e mbrame ka qejf t’i qëndisë e, diku-diku, edhe ndonjë pikëz loti ta derdh në heshtje. Këtë mbresë ta japin edhe ato çka ti na rrëfen për njerëz që ne i kemi njohur a kemi dëgjuar për ta, si soprania jonë e famshme, Ermonela Jaho, e lindur tok me këngën si gjinkallat.
Dhe në kapitullin e fundit, nga tregimet e “jetës” tënde, kalohet ne tregimet letrare të mirëfillta. Edhe pse fiction, ato po njësoj duken si ato çka ke treguar me ndjenjë gjithandej. Përpos tregimit për arixhiun Harram, mua më la shijen e një letërsie që e mban fshehtësinë e një jete, dashurinë, si molusku rubinin, posaçërisht te tregimi “Siera”.
“Dëgjoj mirë kur kuptoj mirë, – thua ti. – dëgjoj edhe më mirë, kur ndjej mirë…”
Po, miku ynë Sefedin, ti “ndjen mirë”. Ky mendim i yti është për mua si pjalmi luleve, që mbars e pllenon frytin e ideve të shpërndara tej e tej rrëfimeve të librit tënd. Autori aty dëgjon, kupton dhe ndjen frymën e njerëzve me të cilët u rrit, të kohës dhe “shtëpisë së tij”, të Shqipërisë sonë ku ai ka jetuar, të vendit dhe kombit të cilit i përket.
Sefedin Çela, pash jetën time në jetën tënde. Të përshëndes!
*) Artikulli është marrë nga ExLibris