In Memoriam/ Haki Sanxhaku, njeriu që të bënte mik në mes të udhës
Hakiu lindi në Vlushë të Skraparit më 23 shkurt të vitit 1936. Ai ishte djali i vogël i Minos dhe nënë Bejazes.
I rritur pa baba dhe me vëllezër të larguar, ai ndenji në Vlushë me nënën e tij. Që i vogël, 16 vjeç, fillon punën në degën e tregtisë në Potom, ku punoi deri sa shkoi ushtar.
Pas përfundimit të ushtrisë Hakiu u kthye përsëri në fshat. Në vitin 1957 martohet me Zyriha Omerin nga Potomi, nga një familje e njohur në zonën e Potomit, me të cilën lindën, rritën dhe edukuan 5 fëmijë, një djalë dhe katër vajza.
Haki Sanxhaku ka kryer shumë detyra shtetërore dhe shoqërore në fshat dhe në zonë dhe kudo që ka qenë ai ka punuar me ndershmëri, zgjuarsi e përkushtim.
Energjitë e këtij njeriu nuk shteronin kurrë. Edhe pse ai nuk mundi të merrte shkollë të lartë, qe një kuadër që e justifikoi veten me dijet diletante e autodidakte që merrte vazhdimisht, me përvojën e gjatë në punë, me shoqërinë e madhe që kishte dhe që e ndihmonte në çdo gjë.
Haki Sanxhaku ishte nga ata njerëz interesantë dhe të veçantë që nuk harrohen lehtë!