Veç lidhjes patriotike, një lidhje tjetër mes dy kapedanëve të mëdhenj, Mahmut Zaloshnjes dhe Sali Butkës, martesa e fëmijëve të tyre, Muharremit me Jeminenë
Plaku tha: “Qe sihariq,
Dy shtëpi u bënë miq!”
“Miq na ka bërë ideali,
Jo krushqia, çupa, djali!”
Tha Mahmuti, shqipe mali.
Petrit F. Zeneli
Me një frymë e lexova librin që më dhuroi këto ditë miku im i shtrenjtë, Dragush Muharrem Butka “Rruga e Vështirë e Lirisë”, përmbledhje biografike e të atit, nga e cila po shkëpus këtë episod, që e sjell për kënëqësinë tuaj, si fundjavë.
Është mblesëria më e bukur që kam dëgjuar e lexuar ndonjëherë, derdhur në art nga pena e artë e Hekuran Zhitit (babai i Visar Zhitit).
Kolonjë e Skrapar, miqësi e pandarë!
Muharrem Sali Butka – Jemine Mahmut Zaloshnja, nga dyer të mëdha, çifti ideal!
“…Në vitin 1924, u martova me vajzën e Mahmut Zaloshnjës nga Tomorrica e Skraparit…Po martohesha me mblesëri, me vajzën e një kapedani me famë. Ishte mik me plakun..
U bë dasmë e madhe. Martohej i biri i Sali Butkës më të bijën e Mahmut Zaloshnjës, të dy kapedanë të dëgjuar.
Unë e kisha harruar se si u bë mblesëria e si u lidh krushqia.
Një ditë vjen në shtëpi për vizitë Hekuran Zhiti e më thotë me shaka se po shkruante një poemë të madhe, si “Iliada” e Homerit…
Qeshëm.., por vërtet më tregoi se po shkruante një poemë epike shumë të gjatë.
Ai më tha se në këtë poemë tregohet edhe se si u bë mblesëria… mes të tjerash:
…Para nisjes së udhëtimit,
Saliu i shkroi Mahmut trimit.
Edhe ky në çast i erdhi,
E qafoi e lotët derdhi.
Të dy bashkë me Salinë,
Folën mjaft për Shqipërinë.
Pastaj Butka ndërroi fjalë:
“Mahmut, unë kam një djalë,
Të mos ftohet miqësia,
Them ta thellojë krushqia.
Ti e njeh mirë tim bir,
Muharremin, Xhevahir,
Që me shpirt do Shqipërinë,
Kur e shoh, kujtoj Ganinë..
Gjer këtu po e pres fjalën,
Nuk flet shumë babai për djalën”.
Mbet Mahmuti i habitur,
Nga kërkesa e papritur…!
A nga malli, a nga halli,
Plot me rrudha iu mbush balli:
“Dhe ime bijë, Jemineja,
Si dielli kur del nga reja.
Na ndrit zemrën dhe shtëpinë,
Me sjelljet dhe bukurinë.
Kur del kjo, na fshihet Hëna.
Lum babai e lum nëna!
Këto fjalë po t’i themi,
Se më the çështë Muharremi”…
“Mos më hidh cep më cep,
A ma jep, a nuk e jep?!”.
Mahmutit i dhimbsej vasha,
Uli vetullat e trasha.
Jeminenë kaq e donte,
Sa që desh mos e martonte.
Dhe ajo kish dhënë fjalë:
“Baba, do të bëhem djalë,
Me armë e veshje, si burrë,
Dhe nga ti s’do ndahem kurrë!”
Po mendon Mahmuti ynë:
Saliu i ka qepur synë,
Atë sy si të skifterit,
Që s’ia ndau maliherit:
“Dëgjo, o Sali, Kapedan,
Çupën ta bëra kurban!”…
Dhe kokën tani e ngriti,
Po një lot faqes rrëshqiti.
Ky pohim Salinë e ndezi,
Nxjerr koburen nga brezi,
E ngriti lart si mënjanë,
Dhe flakë e ndezi tavanë.
Hynë gratë me lemeri,
Se pandehnë mos u vranë…
Plaku tha: “Qe sihariq,
Dy shtëpi u bënë miq!”
“Miq na ka bërë ideali,
Jo krushqia, çupa, djali!”
Tha Mahmuti, shqipe mali.