Xhevahir Spahiu: Vendlindja. Ku ka si ajo!? Për mua, për ty, për të gjithë!…

Xhevahir Spahiu: Vendlindja. Ku ka si ajo!? Për mua, për ty, për të gjithë!…

 

Xhevahir Spahiu

 

 

Vendlindja është “Atdheu” i vogël, vendi ku lind vatra familjare, oxhaku, zjarri, gurët, lëndina rrugët e malit, pylli i bukur me lisa, pisha e ahe, zogjtë e qiellit, dhentë, cjapi me zile, qyteti i vogël me lumin pranë, zhurma e makinave dhe qytetërimi modern.

 

 

Ku mëkohesh nga prindërit me dashurinë për veten, familjen, aty formohet karakteri, ndërgjegjësimi. Në këtë tokë merr porosinë e gjyshërve:

 

Duaje vatrën, duaje vendin tënd! Mëso historinë, traditën kulturën e shëtpisë tënde, fshatit qytetit, të gjithë krahinës, të Atdheut tënd dhe vështro përpara.

 

 

Po vendi ku linde ruan nën dhe gjurmë të kulturës së lashtë. Aty jetuan në shekuj dhe u ngjizën fiset Ilire, dasaretët dhe antintanët, pasardhësit e skraparllinjve.

 

 

Në Skrapar gjenden rrënoja dhe venbanime të lashta shpellore, varreza, rrugë të vjetra, ura, kala, ujësjellësa, mozaikë, kisha, xhami, teqe. Të gjitha këto përbëjnë një pasuri të trevës sonë të cilën duhet ta njohim.

 

 

Hapni dritaret, se ajri i freskët i Tomorrit do t’iu kushtojë gjithçka. Tomorri ynë , Tomorri i i gjithë shqiptarëve. Mal i bashkimit dhe vllazërimit, i urtësisë dhe i dashurisë na thërret ta duam vendlindjen.

 

 

Cila zemër njerëzore nuk rrahu fort për vendlindjen. Aty është djepi ku u përkunde dhe zjarri i vatrës ku u ngrohe, aty është pragu ku hodhe hapin e parë dhe sytë e nënës e të babait, të gjyshes dhe të gjyshit mbusheshin me dritë e pëshpërtitnin:

Ec pa frikë. Ashtu…Udhë të mbarë!…

 

 

Vendlindja! Ku ka si ajo! Për mua për ty, për të gjithë!

 

 

 

Xhevahir Spahiu:

Hyrja e librit jashtëshkollor “Vendlindja – Skrapari”, botim i shtëpisë botuese “Erik”