Jake Backa, kush donte t’i mbyllte gojën heroit të fjalës dhe kuvendit të burrave!?…

Jake Backa, kush donte t’i mbyllte gojën heroit të fjalës dhe kuvendit të burrave!?…

 

 Rubrika “Nëpër Skrapar, guidë historike dhe etno-kulturore”

 

Zylyftar Hoxha

 

Kam shkruar shumë për Backën dhe, sa herë që shkruaj, më duket se kam shkruar pak për këtë fshat shtëpi e histori, si asnjë fshat tjetër i Skraparit.

 

 

 

Këtë radhë do të përmend një nga miqtë e mi, ndjesë pastë, Jake Backën, te i cili shkoja shpesh dhe në shtëpinë e tij hyja brenda pa trokitur.

 

 

 

Jake Backa ishte një tip interesant, piktoresk nga shumë pikpamje, luftëtar i vjetër, i fundmi nga të Laces, por edhe një nga organizatorët dhe drejtuesit e Luftës Naciionalçlirimtare në zonën e Potomit.

 

Por po të bujtje te ai, duhet ta mblidhje mendjen mirë se s’bënte vaki të flije para kaposhit të tretë. Unë për veten time e kisha shumë qejf atë burrë, veç që ishte një luftëtar i vjetër, por edhe shumë i zgjuar.

 

Naimin e Çajupin i dinte përmendësh dhe, po të donte, të turpëronte, pasi zakonisht ne dinim dy-tri vjersha, aq sa na jepnin mësuesit. Por ai e kuptonte sikletin dhe shmangej me lezet nga ky muhabet.

 

 

Si kryetar i Këshillit Krahinor të Potomit në kohën e Luftës, ishte zënë keq dy herë me vetë Enver Hoxhën.

 

Një herë në fillim, kur Shtabi i Përgjithshëm ishte planifikuar të vendosej në Backë dhe Jakja i kishte marrë të gjitha masat ku do të rrinte shtabi, ku do të rregulloheshin anglezët, ku do të sistemoheshin rojet, madje ishin zbrazur edhe shtëpitë.

 

 

 

Por Enveri duke parë nga avllia e Jakes Helmësin përtej, të rrethuar edhe me pyje, i kishte thënë Jakes se do të qe më mirë të hidheshin atje.

 

 

 

Qejfprishur dukshëm Jakja ishte nisur për në Helmës, shpejtë e shpejtë i kish rregulluar punët me zotërit e këtij fshati, me Mehmet Myslimin dhe shtabi u vendos aty, ku ndenji gjashtë muaj e ca.

 

 

 

Hera e dytë me Enverin ishte, kur dy fshatarë nga Backa u kishin vjedhur rojeve të Shtabit partizan nja dy fleta çadre dhe nja dy sëpata. Gjyqi partizan i kishte dënuar të dy fshatarët me pushkatim.

 

 

 

 

E merr vesh Jakja dhe shkon te Enveri, i cili në fillim ngurroi dhe i tha se nuk mund ta kthente vendimin e gjyqit partizan.

 

 

 

“Ç’gjyq, i thotë Jakja, ata janë fshatarë, i dinin xhephane lufte, ne kazmat e lopatat nga ushtritë e huaja i kemi siguruar gjithmonë e i kemi quajtur mall belik. Dhe ata qyqarët ranë në mall ushtrie dhe s’e vranë mendjen më tej. Për kaq çohet dëm njeriu!?”.

 

 

 

“Do ta bisedoj me Komandantin e do ta rregullojmë këtë punë, i kish thënë Enveri, duke i rënë krahëve, se ta kam një borxh dhe më je zemëruar më duket”.

 

 

 

Jakja ishte larguar pa i kthyer asnjë përgjigje, me demek se borxhi ende s’ishte larë. Megjithatë kish bërë një punë të mirë, kishte shpëtuar dy njerëz nga vdekja e sigurt.

 

 

Por ky Jake, më pas, në vitet ’70, për shkak të të vëllait, Kamberit, që ishte dënuar në kohën e Koçi Xoxes, nuk shikohej me sy të mirë nga autoritetet e rrethit, nuk po e thërrisnin më si më përpara për ndonjë çështje në fshat, nuk e ftonin më nëpër podiumet e festave, s’po i pinin më as kafe në shtëpi.

 

 

 

Me një fjalë e kishin mënjanuar dhe harruar fare. Dekoratat, me të cilat ai dikur mbushte gjoksin dhe dilte në podiumet e festave të 5 Shtatorit, Qafës së Martës dhe Lirëzës, kishin kohë që flinin në fund të sepetes dhe siç dukeshin bathët s’kishin për të dalë më që andej.

 

 

 

Iu desh Kahreman Yllit që të ndiqte punën e Jakes, jo me shkresa dhe urdhra partie, por siç dinte t’i rregullonte gjërat Kahremani.

 

Në vitin 1973, ai vjen i deleguar në festën e Qafës së Martës, ndoshta edhe qëllimisht. Rrugës për në Backë sekretari i Parë dhe kryetari i komitetit, që e shoqëronin, i thanë se kishin lajmëruar dy familje ku do të kalonin darkën.

 

 

“Ju shkoni ku të doni, u thotë Kahremani, unë e kam vendin, do të vete te Jakja”.

 

 

“Te Jakja, i thotë i habitur sekretari i Parë, po Jakja!?…”.

 

Por përpara vendosmërisë së Kahremanit, ai nuk e zgjati më tej.

 

 

 

Pasi kish ngrënë darkë te Jakja, të nesërmen, Kahremani dhe plaku, hipur në dy mushka, u ngjitën në Qafë të Martës.

 

Në kulmin e ceremonisë, ndërsa Kahremani fliste, një dorë e mbante mbi supin e Jakes, që e kishte pranë në podium, me domethënien se Jakja është yni e s’duhet braktisur, një veprim i zgjuar që mund ta bënte vetëm një diplomat i sprovuar, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e një luftëtari të shquar.

 

 

 

 

Kam shumë për të thënë për Backën, për Arshin Ibron, me fëmijët e tij të mirë; për nastradinllëqet e Bido Mustaqes; për Selfon dhe Qenamin, vëllezër, që i qëndruan si burrat një shteti të tërë e s’u bënë që s’u bënë kooperativë deri në fund; për çmendurinë Barcelonë, kur rrëshqiti Backa, por, për efekt vendi, pasi dua të them edhe nja dy gjëra për fshatrat e tjerë, do t’i lë për një herë tjetër.