Mozaiku i Jaupasit, i rrallë, i veçantë në Shqipëri që kërkon studime të mëtejshme
Në hartën arkeologjike shumë të pasur të Skraparit, mozaiku i Jaupasit zë një vend me interes të veçantë
Ai ndodhet në një kodër të vogël në fshatit Jaupas, pjesë e njësisë administrative të Bogovës,Skrapar. Pikërisht në këtë vend janë zbuluar gjurmë të një mozaiku rrënojë.
Kodra panoramike ndodhet në të djathtë të rrjedhës së lumit Osum, 500 m larg rrugës nacionale Berat-Skrapar.
Karakteristikë e veçantë e kësaj kodre është pozicioni mjaft i favorshëm piktoresk i vendndodhjes. Kodra e vogël në të cilën u zbulua mozaiku rrënojë është e rrethuar nga kodrina malore, parcela pjellore për kultivimin prodhimeve bujqësore dhe agrumeve, ndërsa pranë saj në drejtimin veri-jug rrjedh lumit Osum,
Në horizont në veri të kodrës ndodhet fortifikimi i Bargullasit, në lindje fshatrat Nishovë e Novaj, në juglindje ndodhet Bogova, ndërsa në po të njëjtin drejtim, në horizont duken shkëmbejtë e Selanit, ku është zbuluar vendbanimi prehistorik i Selanit. Përballë kodrinës, në veriperëndim ndodhet një shkëmb i mbuluar me vegjetacion, i njohur nga banorët me toponimin “kisha”.
Gjurmët e mozaikut për herë të parë janë vënë re në vitin 1989 gjatë punimeve bujqësore për hapjen e livadheve polifite. Mozaiku ka qenë preh i dëmtimeve nga punimet bujqësore të vazhdueshme të tokës.
Projekti FoAP ndërrmori një pastrim të lehtë, në një sipërfaqeje 1 m x 1 m, ku u hasën gjurmët e mozaikut të shkatërruar. Mozaiku është i formuar nga tesera prej guri gëlqeror të bardhë e të zi si dhe tjegulla, në trajtë katërkëndëshe, të përmasave 10 mm x 7 mm x 5 mm, 10 mm x 6 mm x 4 mm,
Bazamenti mbi të cilin është vendosur mozaiku është i formuar me gëlqere, rërë të imët dhe grimca tjegullash.
Mbetjet e mozaikut u gjetën të përmbysura, fakt ky që tregon dëmtimin e mozaikut nga punimet bujqësore. Mbi sipërfaqe u gjetën fragmente tjegullash dhe qeramikë, ndërkohë që gjurmët e mureve mungonin.
Mendimi paraprak i specialistëve, është se kemi të bëjmë me një bazilikë paleokristiane të shekullit të 5-të mbas Krishtit.