Qafë – Skrapar: U rrëzua shkolla, por jo emri, lavdia dhe historia e saj!…

 Qafë – Skrapar: U rrëzua shkolla, por jo emri, lavdia dhe historia e saj!…

 

 

Në foton e kopertinës të këtij shkrimi është fotoja e dëshmorit Sherif Hysko, emrin e të cilit mbante shkolla 8 – vjeçare Qafë, tani e rrënuar plotësisht dhe, në krahun tjetër të fotos, memoriali kushtuar gjithë mësuesve në breza të fshatit Qafë, ngritur këto kohët e fundit.

 

 

 

Ka qenë një ide dhe një realizim i mirë për të skalitur në një “libër të gurtë nderi” për gjithë ata breza mësuesish të këtij fshati, që edhe pse i vogël, me 10 shtëpi, ka nxjerrë për 87 vjet, që nga 1936-a deri në mbyllje të shkollës, gati 5 mësues për shtëpi (!).

Një shifër mbresëlënëse që do ta kishin zili fshatra edhe më të mëdhenj se sa Qafa!….

 

 

Besojmë se ka qenë  një lapsus, që në këtë pllakë përkujtimore nuk është gjetur një mënyrë për të vendosur edhe emrin e dëshmorit Sherif Hysko,  me të cilin është emërtuar që prej 70 e ca vjetësh shkolla e Qafës.

 

 

Por pak rëndësi ka kjo…

 

Rëndësi ka që, megjithëse shkolla është zhdukur nga themelet,

 

ky emër nuk është zhdukur dhe nuk do të zhduket kurrë nga mendja dhe zemra e dhjetëra breza nxënësish dhe mësuesish që kanë studiuar dhe punuar në këtë shkollë;

 

ky emër nuk është zhdukur dhe nuk do të zhduket kurrë, sepse është stampuar në krye të qindra, në mos mijëra dokumente zyrtarë arkivorë, amza, regjistra, vërtetime mësuesish në libreza pune dhe dëftesa nxënësish të të gjitha kategorive.

 

ky emër nuk është zhdukur dhe nuk do të zhduket kurrë, sepse vërtet shkolla është zhdukur pa asnjë llojë akti zyrtar, vendimi i emërtimit të shkollës “Sherif Hysko” në kuptimin formal është një vendim juridik ende në fuqi, për derisa nuk është marrë një vendim tjetër për zhbërjen e tij.

 

ky emër nuk është zhdukur dhe nuk do të zhduket, sepse Sherif Hysko është Dëshmor i Atdheut që e ka vulosur me gjak emrin e tij. Dhe gjaku është gjak, nuk zhbëhet si muret dhe gurët.

 

 

 

Po kush është Sherif Hysko?!…

 

 

 

 

Është djalë i një familjeje të njohur në tërë krahinën, i Gjenç Hyskos nga fshati Qafë, i cili, fatkeqëisht, vdiq shpejt dhe fëmijët i la jetimë.

 

Kur ata u bënë për veten e tyre, dy dualën partizanë, Mukja dhe Kadriu, ndërsa Sherifi , megjithëse fare i ri shkonte pas tyre.

 

Pas çlirimit të Shqipërisë, në vitin 1945 Sherifi shkon ushtar.

Aty ai bie me njëherë në sy për aftësi në realizimin e detyrave luftarake, ndaj dhe e titullojnë oficer me gradën e kohës, aspirant.

 

E emërojnë komandant të postës së Koshovicës në Dropullin e Sipërm.

Në vitin 1947, në një nga provokacionet e shpeshta të shtetit të atëhershëm grek, bje në krye të detyrës dhe shpallet menjëherë Dëshmor i Atdheut.

 

Pas kësaj, me vendim të Këshillit Popullor të Komiteti Ekzekutiv të rrethit të Skraparit, shkollës fillore të Qafës i vihet emri “Sherif Hysko”, këtë emër mbajti ajo edhe kur u bë shkollë 8-vjeçare.

 

 

Sherif Hysko ka dy varre, një memorial (kenotaf – varr pa eshtra) në Qafë dhe një në Varrezat e Dëshmorëve në Çorovodë, ku janë edhe eshtrat e tij.

 

 

I përjetëshëm kujtimi i Sherifit!  (Z. H.)