“Skrapari në gotë” / Festa e Rakisë, e zjarrit të muhabetit dhe lezetit të kësaj krahine të veçantë mikpritëse

“Skrapari në gotë” / Festa e Rakisë, e zjarrit të muhabetit dhe lezetit të kësaj krahine të veçantë mikpritëse

 

 Nesër në qendër të qytetit të Çorovodës, mes një atmosfere të gëzueshme festive që ka mundësuar Bashkia e Skraparit, do të zhvillohet një veprimtari e veçantë, Festa e Rakisë, e titulluar figurativisht “Skrapari në gotë”, festë, që, besojmë dhe shpresojmë se do të bëhet jo vetëm e bukur, por do të bëhët edhe një traditë e përvitshme.

 

 

Me këtë rast, në nder të kësaj feste, të organizatorëve dhe gjithë atyre që do të gëzojnë aty, “Orakujt e Tomorrit” si  një zë i njohur publik i Skraparit dhe më gjerë, edhe i krahinave fqinjë të tij, uron:

 

“Suksese dhe sa më shumë veprimtari të tilla të bukura, mbresëlënëse të traditës që Skrapari i ka me shumicë”!

 

Më poshtë, “Orakujt e Tomorrit” si një kontribut modest për këtë ngjarje festive, boton disa shënime të gjetura në arkivin e tij, të cilat, besojmë se ia vlejnë për opinionin e gjërë:

 

 

 

Pak histori për traditën e kultivimit të rrushit dhe nxjerrjes së rakisë në Skrapar

 

 

Në disa gërmime arkeologjike në Skrapar, në pitosat apo enë të tjera balte janë gjetur fara rrushi, gjurmë të verës, ndërsa në objektet zbukuruese janë gjetur simbole të rrushit, çka tregon se tradita e kultivimit të rrushit në këtë krahinë ka qenë e hershme dhe e pandërprerë.

 

Në shënimet e kronikanit turk, Evlija Çelebi, kronikani i famshëm turk, që udhëtoi nëpër Shqipëri gjatë viteve 1660-1670, shkruan se Skrapari kishte 2-3 herë më shumë vreshta se Shkodra, Elbasani, Berati etj.

 

 

Zonat e tjera nga Konispoli në Mat kishin 14 përqind e popullsisë kishte vreshta të taksueshme, ndërsa, sipas tij, për Skraparin, Përmetin dhe Kolonjën kjo shkonte deri në 26 për qind…

 

Sipas tij, në atë kohë, sipërfaqja e vreshtave në Skrapar arrinte në 70 mijë dynymë.

 

Një tjetër e dhënë interesante e Çelebiut është se në Skrapar “E hanin verën me bukë”!!!

(Me siguri ka qenë rehania!) dhe se pothuaj se çdo familje në fshat kishte vesht (vresht) apo vilë – vjel (vend, arë që lidhet përsëri me rrushin).

 

 

Se sa të besueshme janë këto të dhëna, ngelet për t’u studiuar, por edhe një të vertetë të madhe e ka, pasi dihet që nënproduktet e rrushit, rakia, rehania dhe vera janë  e Skraparit janë me nam të mirë dhe janë kthyer në simbol.

 

 

 

Rakia, dollia dhe muhabeti i Skraparit, “institucion” respekti dhe dashurie reciproke njerëzore

 

Kujtojmë këtu shumë të huaj, miq apo udhëtarë të rastit, që kanë shkelur në Skrapar dhe një shishe “Raki Skrapari” e mbanin si kujtimin më të shtrenjtë.

 

 

Ka qenë dhe është një zakon: Një shishe a një pagure raki është një nga dhuratat më të gjetura nga i zoti i shtëpisë për mikun, kur e përcjell. Dhe skena është pak a shumë e njëjtë, disi ceremoniale. Para se ta fuste në xhep, ai e tundte edhe një herë paguren dhe, me një ndjenjë të dallueshme krenarie në fytyrë thoshte: “Merre, e ke ballkazani, shiko sa e ka syrin!…”

 

Sado që bindjet dhe damixhanet ishin plot në qilar, rakia përdorej vetëm kur vinte miku, kur kishte gëzime familjare, gosti ose dasma. Rrallë ndonjë plak, pinte çdo ditë, në darkë, të tjerët, në ditët e zakonshme, s’e vinin në gojë.

 

 

Edhe kur pinin në muhabete, pinin në masë, me rregull e me dolli. Drejtuesit e muhabetit, i zoti i shtëpisë dhe miku, mundoheshin që të gjithë pjesëmarrësit të pinin deri në atë masë sa të “bëhej pak zhurmë”, sa “të përshënjeshin” të ndiheshin që kishin pirë. Pastaj mbyllej muhabeti. Po kishte raste që ai dilte jashtë kontrollit. Në këto raste ai që prishte muhabetin nxirrejt jashtë dhe muhabeti fillonte prapë, sikur të mos kishte ndodhur gjë.

 

 

E tillë konsiderohej rakia, si një zjarr për të nxehur muhabetin, për të biseduar e për t’u hapur me njëri-tjetrin.

 

 

Rakia më parë rrallë përdorej si mall për shitje. Shisnin ata që prodhonin në sasi, të tjerët që prodhonin nën një kuintalë e mbanin për nevojat e veta.

 

Rakia, tani kohët e fundit, ka filluar të shitet në masë. Qëkur filloi shitja, filluan edhe problemet me të. Dalja në treg prishi cilësinë, prishi namin e saj.

 

 

Një pjesë prodhuesish filluan të nxirrnin raki sheqeri, një pjesë tjetër spekulluan duke shfrytëzuar emrin e saj dhe prodhimeve surrogato u vinin etiketën “Raki Skrapari”.

 

 

Si sapuni për djath, rakia e bërë nga alkooli ka mbushur tregjet e qyteteve shqiptare, por eksportohet edhe në Amerikë! Dhe jo nga prodhuesit skraparllinj, por nga mashtuesit dhe spekullantët e rretheve të tjera.