Një foto e rrallë që flet shumë…

Një foto e rrallë që flet shumë…

 

Është realizuar në Çorovodë para bustit të Heroit të Popullit Riza Cerova, bust të cilin skraparllinjtë, sidomos të moshuarit, donin gjithmonë ta kishin dhe ta kenë në sfond të fotove të tyre. Ka qenë fotografi i vjetër Bektash Grepcka që ka shkrepur  këtë foto.

 

 

Ishte viti  1968, kur në të gjithë vendin filloi një aksion i madh i përgatitjes së Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Qe një vit i jashtëzakonshëm, kur i gjithë vendi dhe të gjithë njerëzit u përgatitën si për një dasmë me përmasa kombëtare.

 

Filluan festivalet folklorikë nga njësitë administrative nga më të voglat, në shkallë brigade, fshatrash, kooperativash, ndëmarrjesh, institucionesh,  lokalitetesh, rrethesh dhe në fund u kurorëzua me një atmosferë të jashtëzakonshme festive në shkallë kombëtare në Gjirokastër.

 

 

Në këtë festival morën pjesë të gjitha kategoritë e njerëzve, burra, gra, fëmijë, qytetarë dhe fshatarë, të kombësisë shqiptare, arbëreshe dhe atyre minoritare, të trojeve dhe enklavave shqiptare jashtë vendit etj.

 

 

Një vëmendje e veçantë, si asnjëherë tjetër, iu kushtua folkorit burimor. U bënë studime dhe hulumtime në popull për varjante të vjetra lodrash popullore, këngësh, vallesh, tekstesh melodish, të cilat i kishte mbuluar pluhuri i kohës.

 

 

Në këtë aktivitet mbarëkombëtar iu dha prioritet angazhimit të moshave të vjetra, siç është edhe rasti i kësaj fotoje që po anuncojmë në këtë shkrim, ku paraqiten të moshuarit e grupit  folkolorik të Çepanit, Bedri Osmani dhe Halim Abazi, si dhe më të rinjtë, Bardhyl Aliçka dhe Qemal Basho.

 

Ilmi Qazimi