Vithkuqarët, miqtë e kahershëm të skraparllinjve

Vithkuqarët, miqtë e kahershëm të skraparllinjve

 

Zakonisht, kur të parët tanë shkonin nga Skrapari në pazarin e Korçës, rrugën e llogaritnin për tri ditë, një ditë e gjysmë vajtje, një ditë e gjysmë ardhje.

 

 

Ata tregonin itinerarin dhe ne, megjithëse s’kishim kaluar asnjë herë në atë rrugë, nga ato që dëgjonim vazhdimisht dhe tregimet e tyre, na ishte bërë krejt e njohur. Aq e sa ne në çdo kohë të ditës të na pyesje, e dinim me saktësi se ku ndodheshin prindërit tanë pazarakë.

 

Ja, tani janë në Sherë të Qafës së Martës, thoshim, pas një ore janë në Shtyllë dhe mbrëmja i zë në Vithkuq; nesër nisen që me natë nga Vithkuqi dhe mëngjesi i zë në Korçë, në pazar.

 

 

Pasi shisnin ose blinin, në të prishur të pazarit ngarkonin që të ktheheshin në mos në Shtyllë e Çemerricë, të paktën nata t’i zinte në Vithkuq. Dhe kjo ishte e përjavshme.

 

 

Pleqtë tanë tregonin për miqtë e vëllamët e bërë nga këto lëvizje. Megjithëse vinin shumë shpesh, ata bujtnin në shtëpitë e çemerricarëve, shtyllakëve, vithkuqarëve, se Korça po hyri gushti është e ftohtë dhe nuk gdhihesh dot përjashta. Në Çemerricë dhe Shtyllë ata kishin miq dhe hynin në derë pa trokitur.

 

Çifti Kurtiqi: Tatjana dhe Gjika, dy personalitete të artit dhe të kulturës shqiptare, miq edhe të “Orakullit të Tomorrit”

 

 

Ndërsa  Vithkuqarët, siç na thoshin pleqtë, ishin krishterë, por krishterë nga më të mirët nga të gjithë ata që ishin rreth e rrotull, që nuk bezdiseshin kurrë, por bënin ç’ishte e mundur t’i ndihmonin karvanarët e shkretë. Kishte raste, sidomos ku shisnin rrush e koridha (lloj rrushi), nuk i linin të shkonin deri në Korçë për pakogjë, por ua shkarkonin që aty mallin e ua blinin, më shumë për sadaká se sa u nevojitej. Esnafë të vërtetë.

 

 

Por edhe pleqtë tanë, kur vithkuqarët shkonin ndër ne me bagëti për në Vlorë a Myzeqe, u nxirrnin qelqet me raki e pekmez. Shpesh kisha parë gjyshin tim, Rushanin, të ngarkonte pelën me rrush e t’ua çonte në stan ku kishin ndaluar për të kaluar natën që ata “të lagnin gojën”, siç thoshte ai.

 

Veç kësaj nga të gjitha pikat e horizontit për ne, Qafa e Martës, në lindje, ishte më e rëndësishmja nga të gjitha, dhe ne andej na ngeleshin sytë në pritje të pazarakëve, pasi nga andej vinin pajat e nuseve, nga andej vinte kumtria e dasmës, vinin opingat tona prej meshini, andej vinte, mbi të gjitha, buka dhe kripa…

 

 

Këto m’u kujtuan ndërsa  po bisedoja një ditë në një kafe mëngjesi, kur ishte këtu se tani është në Kanada, me mikun tim të vjetër, vithkuqarin Gjikë Kurtiqin, fabulistin e njohur.  (Zylyftar Hoxha)