Kongresi i Drejtshkrimit (1972) – bashkimi dhe shpëtimi për të pestën herë i kombit shqiptar

Kongresi i Drejtshkrimit (1972) – bashkimi dhe shpëtimi për të pestën herë i kombit shqiptar

 

 Me rastin e 51-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Tiranë, 20-25.11.1972

 

Viktor Bakillari

 

Duke hulumtuar, mua dalin pesë data epokale të lavdishme, që, nëse Shqiptarët nuk do të ishin bashkuar, mund edhe të zhbëheshin si komb, mund të përçaheshin, mund të zhdukeshin.

 

 ***

 

Bashkimi i parë i Shqiptarëve është “Besëlidhja e Lezhës” më 2 mars 1444,

ku Arbërit (Shqiptarët) nën prijësin e tyre Gjergj Kastrioti (sot Heroi ynë Kombëtar) u bashkuan kundër Perandorisë Osmane.

 

(Vetëm të bashkuar nuk kanë ç’na bëjnë, – u thotë trimave Skënderbeu. Na është përçuar rrëfenja e thuprave, të cilat edhe trimi më i fortë nuk i theu dot të bashkuara dhe i biri vogëlush i theu një e nga një.)

 

***

 

Bashkimi i dytë i Shqiptarëve është Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 10 qershor 1878.

Shqipëria e atëhershme ishte e ndarë në katër vilajete. Paria e katër vilajeteve u organizua politikisht dhe vendosi:

 

“ Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878.

Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane.

Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.” (Muzeu Historik Kombëtar-Tiranë)

 

***

 

Bashkimi i tretë i Shqiptarëve ka ndodhur në Manastir.

Në këtë qytet shqiptar (për kohën) nga 14-22 nëntor të vitit 1908, Shqiptarët u bashkuan dhe vendosën e caktuan alfabetin e gjuhës shqipe me shkronja latine, veprim ky, i cili manifestoi fuqishëm dëshirën dhe vullnetin e patundur të Shqiptarëve (Gegë e Toskë, myslimanë e të krishterë) për të mos u ndarë nga Europa.

 

Kongresi i Manastirit u mbyll me këngë e valle.

Dy vargje të një kënge kaçakësh thonë:

“Gjithe Ballkani qirilisht,

En shqiptari shqiptarisht.”

Valles i prinin Çerçiz Topulli dhe Mihal Gramenoja.

(Kjo mund të lexohet gjatë te libri i prof. Xhevat Lloshit, Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit I, f. 156. Unë e kam marrë këtë varg te libri i prof. Agim Vincës Saga e Shkronjave shqipe, Shkup, 2022, f. 99).

 

***

 

Bashkimi i katërt i Shqiptarëve ka ndodhur në Vlorë, më 28 Nëntor 1912.

Në Shpalljen e Pavarësisë morën pjesë 40 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

Shqiptarët edhe kësaj radhe u bashkuan për një çështje sublime, tejet të epërme dhe shpallën mëvetësinë e tyre.

 

***

 

Bashkimi i pestë i Shqiptarëve u krye nëpërmjet Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Drejtshkrim, i cili u sanksionua nga 20-25 nëntor 1972 në Tiranë, ku morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia (e atëhershme), Mali i Zi dhe Arbëreshë nga Italia.

 

Rrezikun e ndarjes së kombit e nuhatën më herët Shqiptarët e Maqedonisë së atëhershme. (Gazeta kryesore e Shqiptarëve të atjeshëm “Flaka e vllaznimit” e pat ndryshuar qysh në vitin 1967 titullin në “Flaka e vëllazërimit”, dhe, një vit më vonë (në 1968), Shqiptarët e Kosovës të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm si rrallëherë më parë për fatet e kombit të tyre, për të cilin kishin derdhur gjakun dri(n), kërkuan me forcë bashkim gjuhësor-letrar shqiptar. Zëri i ndërgjegjes së tyre ishte Shqiptari i Madh, akademiku historian Ali HADRI, i cili deklamoi plot 4 vjet përpara Kongresit të Drejtshkrimit:

“Një komb – një gjuhë letrare kombëtare!”

(Prof. Ali Hadri, gjatë “Konsultës gjuhësore të Prishtinës” në prill 1968.)

 

***

 

Kongresi i Drejtshkrimit (Tiranë, 1972) ishte ngjarje me ndikim përbashkimi kombëtar, që për të pestën herë (pas 1444 (Lezhë/Arbëri); 1878 (Prizren / Kosovë), 1908 (Manastir / Maqedoni e atëhershme) nuk lejoi shpërbërjen a përçarjen e Shqiptarëve.

 

Zërave profqinj, të mekur, të ngjirur dhe mendjeve të mbrapshta ogurzeza e toksike të tipit

 

“Kosova më mirë të kishte mbajtur gegërishten si gjuhë letrare, se kjo do të ishte pasuri: këndej toskërishtja, andej gegërishtja!” (F.L), çojnë ujë te tezat e fqinjëve, të cilët e kanë shprehur hapur ndarjen e gjuhës shqipe më dysh, njëra si ‘albanski jezik’ në Shqipëri dhe ‘shiftarski jezik’ në Kosovë, -Konica u kishte dhënë përgjigje dhjetëvjeçarë më parë: “Si do ta marrë vesh shqiptari i Filatit dhe shqiptari i Pejës që janë një komb, po të mos kenë një gjuhë letrare të përbashkët?”

 

Drejtshkrimi është faktor i unitetit kombëtar.

 

Kongresi i Drejtshkrimit dëshmoi edhe njëherë përpara botës dhe dyshuesve e pesimistëve shqiptarë se Shqiptarët nuk janë të aftë të bashkohen.

 

Edhe njëherë Shqiptarët shkelmuan propagandën famëkeqe të fqinjëve tanë se ne jemi të paaftë të merremi vesh me njëri-tjetrin.

 

***

 

Himni kombëtar shqiptar nuk ka lindur në një truall djerrë.

Himnizuesi, Asdreni, ka njohur historinë e mëparshme të Shqiptarëve si dhe ka profetizuar të ardhmen e tyre:

 

Një pjesë e këtij himni thotë:

 

Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombet shuhen përmbi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!