Suela Çela: Ku të kam, Nukja ime!?…
Suela Çela
Mallin e syve të tu te kristaltë ma nxjerr qielli pranveror kur moti është i kthjellët. Fytyrën tënde gjithmonë e sjell ndërmend. Duart e tua janë fiks si të Lalit (në fakt ai është komplet kopja jote). Zëri yt më kumbon në vesh gjithmonë me timbrin dhe frazën “Eleee, moj, Elee!…”
Dhe kur të thashë njëherë e vogel: “O Nuke, po pëllet macja!…”, Beci, i poshtri ma kujton gjithmonë edhe tani që kanë kaluar vite e vite!
Kujtoj çdo cep të shtëpisë…sofatin ku uleshim pasdite e ti me Lalin pinit kafen e bisedonit…derickën pas së cilës dilnim te kopshti ku ishte dardha e dimrit!…
Kur ikja nga ju ti më përcillje deri tej dhe më thoshe: “Do rri këtu deri sa të shoh që do të kaptosh matanë, kur do të largohesh nga sinori i Turbehovës e s’do te arrij të të shquaj dot më…Se, s’i dihet a më gjen më vitin tjeter!…
Edhe kur merrje vesh kur do të vinim ne, do të gjenim po aty, ku poshtë dukej rruga e Turbëhovës dhe lumi, duke na pritur. Dhe mua më dukej se ti kishe ndënjur në atë vend një vit të tërë!
Unë kur arrija aty ktheja kokën e shihja, apo të patkën ashtu më dukej edhe pse aq larg, se e dija që ishte aty dhe syte me mbusheshin me lot…
Peng që nuk kam një foto me ty…të kam dashur shumë, se e dija dhe e ndjeja që edhe ti me doje me shpirt, Nukja ime!…