Një histori haremi në Backë të Skraparit

Një histori haremi në Backë të Skraparit

 

 Zylyftar HOXHA

 

Ky portret vajze, me përmasa 50 x 60 cm ndodhet në Pogradec në familjen e djalit të Kamber Backës, që ka shkuar që herët nga Backa për të banuar në këtë qytet.

 

 

Është një relikte me një histori të vaçant që i zoti i shtëpisë e ruan me fanatizm. Megjithëse i kanë vajtur njerëz që gjurmojnë ikona për t’i shitur, shqiptarë dhe grekë, ai nuk e ka nxjerrë nga shtëpia. 

 

 

Po si është historia e saj?…

 

 

 

Ka qenë qershor i vitit 1975, kur, si telekronist i Televizionit Shqiptar, më binte çdo vit të ngjitesha në Qafën e Martës, në festën tradicionale të zonës, ku shumë ngjarje historike, që nga koha e Lace Backës, Sali Butkës e deri në formimin e batalionit partizan “Riza Cerova” gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishin lënë në një ditë të vetme, më 22 qershor.

 

 

Darkën, si gjithnjë, e kalova te miku im i paharruar, Jake Backa, për të cilin kam shkruar diku tjetër. Por atë ditë mua s’më duhej Jakja, atë e kisha “në dorë”, më duhej një njeri tjetër, për të cilin kisha dëgjuar histori interesante dhe mua, çuditërisht, më ishte shkrepur për ta takuar se s’bën.

 

 

Ishte vëllai i Jakes,  i dënuar që në kohën e Koçi Xoxes. Kishte qenë një nga kuadrot kryesorë në Ministrinë e Brendshme në vitet e para pas çlirimit dhe më pas kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës.

 

 

Pas burgut e sollën në fshat, në Backë, ku gjeti një mënyrë të vetën kundërshtimi e karshillëku ndaj regjimit, u vetëngujua si një eremit dhe s’e kaloi kurrë portën e oborrit të shtëpisë deri sa vdiq. Ishte kjo një sfidë ndaj asaj pune sfilitëse dhe pa rendiment që bënin burra dhe gra në shpatet me bokërrima të Backës e të Staraveckës, ku, po të mos kishte gjetur atë mënyrë të jetuari, do t’i kishte rënë bretku.

 

 

Gjysmë fshehurazi, shkoj te Kamberi. Gjëja e parë që më bëri përshtypje në atë dhomë të thjeshtë fshati, ishte portreti me përmasa të mëdha (mundet 50×60) i një vajze të bukur, varur në murin përballë, në krah të portretit të Skënderbeut, vizatuar në xham me linja naive, që e gjeje rëndom në atë kohë në shtëpitë e fshatarëve.

 

 

Kamberi, si e pa që s’po ia ndaja sytë portretit të vajzës, më tregoi historinë e mëposhtme, që mua mu duk si një përrallë orientale: “Ka një histori të çuditshme nga prapa ky portret, ndaj e mbaj aty si një nga gjërat më të rralla e më të veçanta që kam. E ka sjellë babai nga Turqia. Na thoshte se e kishte blerë shtrenjtë, dy muaj e ca punë, por qejfi, ndonjë herë, s’paguhet. Sipas llogarisë që bëj unë tani, ky portret duhet të jetë nga fundi i shekullit të 19-të, kur kish dalë edhe fotografia.

 

 

Në një fushatë në Thesali, krahina ende nënë sundimin turk edhe pas Revolucionit Grek, në një fushatë pushtuese një vezir i shquar, komandant i ushtrisë perandorake u kthye në Stamboll me fitore. I gëzuar dhe i fryrë nga krenaria, ai i paraqiti sulltanit xhephanen (plaçkën e luftës), armë, florinj, gurë të çmuar dhe, pasi mbaroi, i tha sulltanit: ”Padishah i madh dhe i përndritshëm! Këto që ke këtu përpara janë hiç para një gjëje tjetër që do ta paraqes tani. Është një vajzë, besoj se më të bukur se ajo perandoria jonë s’do të ketë tjetër. Do të ndriçojë e gëzojë haremin. E paç hallall”!

 

 

Pasi e prunë vajzën të shoqëruar nga një togë ushtarësh, e lanë disa minuta para sulltanit, pastaj e nxorën para se ai të merrte vendimin.

 

 

Të gjithë prisnin me padurim vendimin e të madhit. Më i paduruari, por edhe i sigurt në vetvete se sulltani s’do ta linte këtë xhevahir të rrallë jashtë haremit, ishte veziri. Shenja e miratimit ishte që sulltani, siç rrinte këmbëkryq nën tendë, do të shtrinte këmbën e djathtë, gjë, që për çudinë e të gjithëve, nuk e bëri. Pra vajza nuk u pranua në harem.

 

 

“Të dija të mençur, o vezir, por qenke budalla!- i thotë sulltani vezirit. Që ta marrësh vesh ti, po të fusja atë në harem, do të prishja haremin dhe mendjen bashkë, por mua më duhet edhe haremi edhe mendja. Ajo vërtet ia vlen dhe duhet të bëjmë diçka me të. Nxirreni në syrret dhe shpërndajani miletit në pazar ta shijojë e të kënaqet me bukurinë e saj dhe ta kenë këtë kujtim nga unë”, porositi sulltani.

 

 

Që nga ajo ditë portreti i vajzës shitej në rrugët dhe dyqanet e Stambollit. Nuk jam i sigurt, por siç na thoshte plaku, thoshin se sulltani nuk e shpërdoroi figurën e kësaj vajze, të cilën e ktheu në fenë islame dhe emri iu shënua në sheriat si shenjtore”, përfundoi tregimin Kamberi.

 

 

Iu luta Kamberit ta fotografoja portretin. Nuk më kundërshtoi, përkundrazi më ndihmoi ta hiqnim nga muri e ta nxirrnim jashtë në avlli, ku kishte më shumë dritë.

 

 

U ndava për të mos u takuar më me këtë burrë fisnik e të zgjuar, me këtë thesar të gjallë e të heshtur, që s’munda t’i marr asgjë tjetër nga ajo “pasuri”, veç portretit dhe historisë që ai ma tregoi mjeshtërisht.

 

 

 

Shënim:

 

Pas botimit të këtij shkrimi bashkë me portretin në gazetën “Dita”, më 22 qershor të vitit 2016, në adresën time, veç përgëzimeve, erdhën edhe “vërejtje” nga njohës të mirë të fushës së historisë, njëri prej të cilëve ishte profesori Irakli Koçollari. Me takt dhe kujdes, ashtu siç dinë të sillen njerëzit e ditur, profesori më thotë se ai portret është i Vasiliqisë, gruas së Ali Pashë Tepelenës.

 

 

E falënderova profesorin dhe e besoj plotësisht që kjo mund të jetë e vërtetë, por unë historinë e kam dëgjuar në versionin e mësipërm, duke iu qëndruar besnik atyre që ma kanë treguar dhe ashtu siç ma kanë treguar, në respekt edhe sepse nuk jetojnë më.

 

 

Sido që të jetë, e vërtetë apo e stisur, përsëri, më duket se është një histori e këndshme që ia vlen…