A kanë ujë ato burime!?…
Ilmi S. Qazimi
Petriti ishte në Itali se kishte një arsye të fortë: mbesa e tij kish fituar pavarësinë! Vallë e quani humor, por është e vërtetë serioze. Ajo, Iliriana, mbushi moshën tetëmbëdhjetë vjeç dhe prindërit i thanë: ”tashmë je e pavarur nga ne. Ja ku e ke shtëpinë tënde, ja shkolla, ja edhe bekimi i gjyshit dhe gjyshes.” Kaq! Kjo ishte shpallja e pavarësisë së vajzës së tyre.
Kur u kthye në Tiranë, gjysh Petriti tregonte me lot në sy e me brengë në zemër. “U bëra 86 vjeç, por nuk e kisha menduar kurrë se do të arrija që të merrja pjesë në një ditë që do të quhej ‘pavarësia e mbesës’e vajzës së djalit tim të vetëm! Po jetojmë kohë të reja, zakone e tabijate të reja, por paskemi edhe më shumë andralla, dëgjojmë edhe më shumë përralla e gënjeshtra, e fatkeqësisht më pak të vërteta. Nejse!
Ajo ditë, për ne u kthye në një gëzim të veçantë sa familjar aq atdhetar. Merrnin pjesë dy palë gjyshër: ai italian (sepse mbesa e ka nënën italiane) nga Firence dhe unë nga Shqipëria jugore. Ishte gjyshja italiane nga Roma dhe ime shoqe nga Shqipëria verilindore. Ishin edhe katër shoqe e dy shokë të vajzës, tre italianë e dy shqiptarë dhe një nga Moldavia, të cilët realisht përbënin bërthamën e asaj feste. Për shoqërinë tjetër të zgjeruar të saj, vajza tani e pavarur’, kishte planizuar një drekë gjashtëmijë e treqind euro një ditë më pas.
Kjo dreka e sotme u quajt ‘pleqërore’ dhe kushtoi aty te njëmijë euro-shi. Në lokalin e prenotuar, tavolinat qenë shtruar siç i takonte festës së ‘pavarësisë’ me thuajse tërëçka italiane. Djali, që ma njihte kokën, kishte ruajtur një shishe gjysmë okare me raki Skrapari dhe e kishte vendosur në një vend të dukshëm mes pjaturinave të shumta e të lulëzuara të tavolinës. Gruaja kishte sjellë nga vendlindja jonë një trastë të madhe me ushqime pikante të traditës si bukfiqe, pastërma, byreksheqere, petulla të vogla ngjyrë kafe, dollma, kukurec, speca të kuq dhe lakër armé. Këto ‘yshyratet’ tona nuk kishin të bënin asfare me festën, por nuk mund t’ia prishja gruas idetë e saj edhe pse arkaike.
Miqtë italianë, që kishin sjellë vetëm një buqetë me lule të freskëta, ishin tepër kuriozë për sa shihnin në tavolinë të ardhura nga vendi përtej Adriatikut dhe mezi prisnin t’i ‘gustonin’. Gëzimin e çeli djali ynë, babai i vajzës tetëmbëdhjetë vjeçe. U trokitën gotat e para, që ca i prekën me buzë, ca i pinë përgjysmë e ndonjëri vetëm sa e ciku me gishta. Kësisoj kishte filluar festa.
Dëgjoheshin tringëllimat e veglave që luheshin midis duarve dhe pjatave të porcelanit dhe biseda ‘korr e mos lidh’. Mirëpo unë do ngrija dolli se ndryshe nuk më zinte vend as festa e as pavarësia! Nusja e djalit e ka mësuar mirë shqipen dhe kishte vetëmarrë edhe rolin e përkthyeses, ndonëse për mua dhe time shoqe nuk ishte e domosdoshme ngase përkthimet i bën vetë tavolina.
Mbasi i thashë djalit që t’ua mbushte të gjithë pjesëmarrësve gotat e vogla vetëm me raki, gotën e parë e ngrita për miqtë italianë gjyshër. Ata u habitën, por unë ua shpjegova me atë timen: “jini ju pa janë këta të tjerët deri tek mbesa jonë e përbashkët që sot u bë e pavarur!” Nuk u vura kusht për gotën plot apo përgjysmë. Ama krushku im e përpiu gotën. Mezetë ishin lënglëshuese që në shikim të parë. ‘Servirjet’, sa mbaron njeri tjetri vjen, vijonin sipas rregullave dhe normave që i dinë ata të lokalit.
Të dytën dolli e kisha për mbesën tonë dhe të tretën do ta ngrija pasi t’ia merrja një herë e dy herë këngës. E si mund të festohej pa kënduar një këngë shqiptare nga vendlindja jonë? Italianët krushq nuk reaguan përse unë i mora frenat e ‘festës së pavarësisë’. Nisa të këndoja këngën” Trëndafil e borzilok”. Ma priste domosdo gruaja, mbushej nga të tjerët dhe siç i thonë llafit vajti ’gjym!’
Vijuan bisedat e ndryshme ku dëgjohej njëri dhe vetëm në një rast u lejua që të bisedohej edhe midis dy e tre vetëve pa dëgjuar të tërë. Gota e tretë ishte pas këngës “A kanë ujë ato burime”. Pesë ne shqiptarët dhe nusja e djalit e dinim tekstin dhe melodinë dhe u këndua aq bukur sikur të ishte në skenë festivali.
Dy krushqit italianë dëgjonin dhe mundoheshin që të ‘ujdisnin’ zërin sipas avazit të këngës, e cila të themi të vërtetën është e vështirë të këndohet nga ata që nuk dinë as tekstin as melodinë. Por ata e shijuan këngën e bukur përmetare edhe kur shihnin sytë dhe mimikën e ‘këngëtarëve’ sepse ndiqnin edhe përkthimin e tekstit nga bija e tyre. Pasi mbaroi kënga, krushka e habitur bëri një pyetje të vështirë: ”Po përse nuk kanë ujë ato burimet tuaja atje në Shqipëri?”
Kuptohej që përgjigjen e donte nga unë, krushku. M’u duk më mirë që të anashkaloja përgjigjen hëpërhë dhe vijova sikur nuk kisha dëgjuar kërkesën e krushkës. “Këtë gotë tani, do ta ngremë për këtë trapezë kaq të bukur me plot të mira të begata dhe me disa lule ku më e bukura është mbesa e pavarur! Ju ftoj që ta kthejmë me fund sepse kështu e do zakoni!” E ktheva vetë i pari dhe po i shikoja të tërë në se e zbatuan urdhrin e dollibashit. Ca me hir e ca me pahir gotat u shkundën. Mbasi i vumë një brez të mirë me meze nga tërë llojet e sipas dëshirës, e mora fjalën pa ma dhënë kush. Rakia bëri të sajën tek të gjithë.
“Dëgjo moj zonja krushkë. Nuk e di se si ta përktheu jot bijë, por vargu i këngës popullore është retorik; i atillë që e josh vajzën e bukur, por të drojtur, që t’i japë të dashurit ujë me grushtin e saj të kolmë nga burimi ku ajo po mbush enët e shtëpisë, se atëkohë nuk kishte çezma me rubineta”.
Heshta pakëz sa të bëhej përkthimi dhe vazhdova: “Se burimet shqiptare të ujit e të dashurisë njerëzore nuk sosen kurrë. Se shqiptari familjen, atdheun, lirinë i ka të shenjta dhe më të shtrenjtat. Uji i burimeve tona vjen deri këtu tek ju me tuba e me shishe. Ne jemi miq shekullorë, se një copë deti mes nesh, më shumë na bashkon se sa na ndan. Dhe mbetemi miq për shekujt e ardhshëm pavarësisht qeverive që venë e vinë. Këtë po na e përforcojnë martesat e natyrshme. Pemët çelin gjethe, por ato bien përdhe,kurse pema i ka rrënjët thellë në tokë. E pema e tokës shqiptare, ashtu si uji i burimeve të saj nuk ka për t’u tharë kurrë. Ajo është vaditur me gjak dëshmorësh…”
Ndërkohë nusja vijonte përkthimin, djali ngriti gotën dhe tha vetëm fjalët: “Gëzuar për shëndetin e gjyshërve tanë!” M’u duk se pavarësinë e kisha fituar unë e jo mbesa.