Gjurmë të hershme të familjes arbëreshe Gramshi në Kalabri

 Gjurmë të hershme të familjes arbëreshe Gramshi në Kalabri

 

Nga Giuseppe Carlo Siciliano*

 

Eksodi tragjik i shqiptarëve në Itali (atyre që sot njihen me termin “arbëreshë”) është i lidhur me pushtimin otoman të Ballkanit në shekullin e pesëmbëdhjetë.

 

 

Të gjitha familjet e ardhura shqiptare u detyruan nga Ferrante d’Aragona të rindërtonin shtëpitë e vjetra në Italinë jugore popullsia e së cilës ishte zhvendosur për shkak të urisë, murtajës, tërmeteve shkatërruese dhe konflikteve të vazhdueshme për çështjen e kurorës napoletane.

 

Familjet shqiptare u vendosën fillimisht në Calabria Citra, provincë e tanishme e Cosenza. Pas grupit të parë pati shtatë migrime të njëpasnjëshme shqiptarësh në një hark të gjatë kohor.

 

 

Prania e familjeve shqiptare në territorin e Mbretërisë së Napolit është regjistruar vetëm në disa botime të rralla. I përket atyre eksodeve të popullatave që për shkak të rrethanave të caktuara historike nuk kanë lënë shumë gjurmë dokumentare.

 

 

Përfaqësuesit e parë me mbiemër Gramshi (Gramschi) erdhën në Itali në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë, pas pushtimit dhe nënshtrimit të Shqipërisë nga trupat osmane.

 

 

Ata arritën në Puglia me grupin e udhëhequr nga djali i heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

 

 

 

Familja Gramsci fillimisht u vendos në Platacia, më pas në Cosenza, dhe, më në fund në Napoli, kryeqytetin e mbretërisë.

 

I pari i regjistruar rregullisht i familjes Gramsci, ishte Nikola, i lindur në Plataci në vitin 1765. Ai vendosi të niste një karrierë ushtarake. Në fillim shkoi në Cosenza për t’iu përgjigjur thirrjes ushtarake. Vendosi të qëndronte në ushtri dhe të transferohej në Napoli duke u bërë pjesë e Armatës së Re Maqedone të ngritur nga Ferrante d’Aragona.

 

Në moshën 55 vjeç, atë e gjejmë të regjistruar në kryeqytetin napoletan me gradën e “zv.shefit të Regjimentit Leopoldo” në garnizonin e Gaeta-s.

 

 

Hulumtimi mbi origjinën e familjes Gramsci në Itali është i vështirë.  Nga analiza e dokumenteve të Gjendjes Civile të Arkivave të Shtetit në Cosenza dhe në Arkivat e Seksionit Civil të Shtetit, mbiemri Gramsci del i pranishëm vetëm në territoret e bashkësive arbëreshe të vendosura në veri të Kalabrisë.

 

 

Tashmë është konfirmuar nga një seri dokumentesh të shkruara arkivore që rrënjët e familjes së Antonio Gramsci gjenden në Plataci.

 

 

Hulumtimi është bazuar në një punë të konsiderueshme paraprake, e cila zgjati rreth dy vjet, kryesisht në arkiva, duke shfletuar regjistrat e lindjes, të martesës dhe të vdekjes së të gjithë 21 komuniteteve italo-shqiptare në krahinë, duke përfshirë fraksionet e tyre përkatëse.

 

 

U shfrytëzuan më shumë se 37.000 çertifikata të vdekjeve. Cili ishte rezultati? Komunitetet që kanë mbiemrin Gramsci (me variante të Gramisci – më të përhapura – dhe më të rralla: Gramesci, Gramis) ishin si vijon:

 

 

ACQUAFROMOSA:

 

Kola Gramishi, së bashku me përfaqësues të tjerë të familjeve shqiptare morën koncesionin për rindërtimin e komunitetit të Acquaformosa në vitin 1501. Akti ruhet në Arkivin e Vatikanit, Kodi Vatikani latin 14.386 F. 9 ss.

 

Çuditërisht nuk ka gjetje të mëtejshme për praninë e Gramsci ose Gramisci në komunitet.

 

 

CASTROREGIO:

 

Këtu ekziston vetëm një rast. Duhet të theksohet se shqiptarët e ardhur, fillimisht iu shmangën martesave me vendasit, për të shmangur lidhjen me tokën e re, në dëm të ëndrrës së një kthimi të menjëhershëm në shtëpi.

 

Anna Gramishi, 38 vjeç, lindur në Castroregio në 1795 nga prindër të panjohur, vdekur në 1817 (çertifikatën e vdekjes e gjejmë me datën 12.3.1817)

 

 

CIVITA:

 

Në këtë komunitet prezantohet mbiemri Gramis / Grams, i cili mund të jetë një transkriptim lokal i mbiemrit Gramshi. Por gjithashtu mund të supozohet të jetë një transkriptim i gabuar i mbiemrit Dramis / Dramë, mbasi është shumë më i përhapur në të gjithë zonën e shqiptarëve të Pollino.

 

Margherita Gramis, e viteve 70, e lindur në Civita në 1742 nga prindër të panjohur, vdekur në vitin 1812 (çertifikata e vdekjes është e datës 13.7.1812)

Antonio Gramis, 57 vjeç, lindur në Civita në 1760 nga prindër të panjohur, vdekur në 1817 (çertifikatën e vdekjes e gjejmë të datës 23.11.1817)

 

Maria Grams, gruaja e Crisostomo Mortato (mbiemri rezulton nga akti i vdekjes së djalit të saj Tomaso i lindur në Civita në vitin 1768 dhe vdekur në vitin 1810 në moshën 42 vjeç – certifikatë vdekjeje e 15.10.1810)

 

 

————-

 

Marrë me shkurtime nga gazeta  DITA.

Autori është shtetas italian, qytetar arbëresh, anëtar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve  të LANÇ të Popullit Shqiptar