Mirënjohje, Durham! Ti meriton më shumë nga ne për fisnikërinë tënde sublime!

Mirënjohje, Durham! Ti meriton më shumë nga ne për fisnikërinë tënde sublime!

 Por, fatkeqësisht, edhe pse para dy muajsh ajo pati 80 vjetorin e vdekjes dhe qe rasti për një gjë të tillë, kjo nuk u bë. Nuk u tha as edhe një fjalë nga ata që duhet ta thoshin dhe që paguhen për këtë punë(!)…

  

 

Zylyftar HOXHA

 

Ajo ka bërë shumë për Shqipërinë. Kur themi shumë! Shumë! Por edhe në mos, mjafton vetëm një rast, një akt i saj i veçantë dhe simbolik që ajo të nderohet dhe respektohet si heroinë, kur në ditën e pushtimit fashist më 7 prill të vitit 1939, në moshën 76-vjeçare, me një tabelë kartoni varur në qafë ku shkruhej “Larg duart nga Shqipëria”! “Ndihmoni Shqipërinë”! – protestoi e vetme për orë të tëra para Ministrisë së Jashtme Britanike, veprim që e përsëriti ditë me radhë, aq sa i detyroi autoritet e larta angleze t’i kushtonin asaj vëmendje dhe, ndoshta-ndoshta ndikoi në rishikimin e qëndrimit të tyre.

 

 

 

Durham, lindur në Londër, e kishte vizituar për herë të parë Ballkanin më 1900, kur tashmë ishte në fund të tridhjetave dhe udhëtimi u dëshmua si pikë kthese në jetën e saj.  Publikoi shtatë libra dhe në një numër gazetash shkrime për rajonin, përfshirë raportet për Luftën e Parë Ballkanike. Vrojtimet e saj shpeshherë ishin të mprehta. Ajo ishte njohëse e Serbisë dhe e Malit të Zi, por dashuria e saj për Shqipërinë ishte mbisunduese.

 

 

 

Me pikëpamjet e saj përparimtare dhe karakterin e pavarur, Durhami ishte një hap para kohës në shumë aspekte, duke u qëndruar të tjerëve, sidomos shqiptarëve të vuajtur, në krah përherë si motër gjaku.

 

 

Ne dhe Durham

 

 

Veprimtaria e Edit Durham në Shqipëri dhe për Shqipërinë si udhëtare, si artiste, si etnografe, si antropologe, si shkrimtare dhe si humaniste është e madhe dhe e veçantë. Për afro një gjysmë shekulli ajo lidhi fatet e jetës saj me fatet e Ballkanit dhe veçanërisht të Shqipërisë.

 

 

 

Veç veprimtarive të tjera të karakterit politik, social e  shkencor, ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët “Shqipëria e Epërme”, e shkruar në vitin 1909, është më e njohura dhe më e arrira. Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore. Është për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën “Njeriu” (Man) e bëri atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror te Antropologjisë.

 

 

Me mendje të ndritur dhe gjeneroze, ajo kuptoi me shpejtësi shpirtin e shqiptarëve. Pa frikë dhe kompromis, ajo i tregoi botës dhe ligjeve të saj për ato që kishte mësuar. Shqiptarët nuk e kane harruar dhe nuk do të harrojnë kurrë këtë angleze. Në malet e Shqipërisë, që ajo i njohu shumë mirë, lajmi për vdekjen e saj në atë kohë bëri bujë te të njohurit e shumtë, por edhe te ata që kishin dëgjuar për të.

 

 

 

 “Ju që më dhatë bukë, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet”

 

 

Nga shënimet shumta dhe vlerësimet të Edith Durham për Shqipërinë dhe shqiptarët do të veçonim këtë paragraf nga libri i saj “Shqipëria, brenga e Ballkanit”.

 

“Unë kisha besuar tek shqiptarët, ata e meritonin fatin europian që po ndërtojnë me kaq vrull sot. Ju që më dhatë bukë dhe shtroje, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet. Zotat e kishin bekuar atë truall ku konservimi i ca vlerave humane është sekreti.

 

 

Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. Ekzotizmi i tyre gati, gati natyror, tejkalon herë herë modernitetin sipërfaqësor. Atje ajri maleve e deteve është tjetër ajër. Gjuha shqipe ka një muzikë ndryshe.

 

 

Fjala mirë se erdhe del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Europa pa Shqipërinë dhe shqiptarët do të ishte e paplotësuar në identitetin e saj të historisë së lashtë dhe asaj moderne. Ballkani pa konsideruar e mirëkuptuar shqiptarët është pa identitet dhe pa të ardhme!

 

 

Edhe në universin e frymës ndjehem e respektuar nga shqiptarët e tokës dhe të qiellit, jam mes tyre si ata, shqiptare që vijon të eci atyre hapësirave epike dhe humane pa u lodhur, jam në besë të tyre”.

 

Mirënjohje, Durham!

 

 

Përveç bukurive natyrore të vëndit dhe botës shpirtrore që karakterizonte shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët në veçanti, asaj i bëri përshtypje patriotizmi dhe dashuria për liri. Ata luftuan gjithmonë për të mbrojtur të drejtat e tyre pa i rënë në qafë askujt. Konsiderata për popullin shqiptar duket në vlerësimin e saj se “nga të gjithë popujt e Ballkanit, ai del gjithnjë mbi të tjerët”.

 

 

Kjo mike e shtrenjtë që mbrojti çështjen shqiptare dhe e bëri të njohur në opinionin ndërkombëtar, u ndesh më vështirësi të mëdha gjatë misionit të saj humanitar, bëri sakrifica të pashëmbëllta, të cilat duhen vlerësuar dhe përjetësuar të paktën me gritjen e një busti në një nga qytetet e Shqipërisë si një protagoniste dhe luftëtare direkte “shqiptare”. Pasi kështu nderojmë më shumë veten tonë se vetë atë!…