Ana tjetër e “Plakut të Butkës”, si poet e vjershëtor

Ana tjetër e “Plakut të Butkës”, si poet e vjershëtor

 

 Sali Butka lindi në fshatin Butkë të Kolonjës, në vitin 1857, në një familje të madhe me origjinë të hershme nga Frashëri i Përmetit, të cilët janë njohur me mbiemërin Aliçkaj, ishin shpërngulur nga trojet e tyre aty rreth vitit 1630 dhe u vendosën në Butkë të Kolonjës.

 

 

Një familje e madhe, por e thjeshtë filloi të ndihej e të merrte emër në të gjithë zonën Kolonjë, Përmet, Korçë e Skrapar, kur i biri i Tahirit, Saliu, u lidh me çetat që u ngritën në fillim të shekullit të 20-të kundër Turqisë.

 

 

Sali Butka ishte ishte anëtar i Komitetit të Manastirit “Për Lirinë e Shqipërisë”. Në dhjetor të vitit 1905 Bajo Topulli, në fshatin Butkë, në shtëpinë e Sali Butkës, ku u formua çeta e parë kombëtare dhe u shpall fillimi i kryengritjes së armatosur.  Në vitin 1907, qeveria turke e futi në burg Sali Butkën dhe i dogji shtëpitë. Më pas i vranë edhe të vëllanë, Selman Butkën.

 

 

Por Sali Butka nuk u tërhoq në asnjë moment. Festoi, gëzoi dhe mbrojti  Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Qeverineë e Ismail Qemalit. Me çetën e tij mori pjesë në shumë luftime gjatë Luftës së Parë Botërore.

 

 

Aktivitetin më të madh në këtë kohë e pati në Skrapar, ku bashkëpunoi me çetat e Servet dhe Mahmut Zaloshnjes, Lace Backës, Sulejman Spatharës, Tefik dhe Tajar Vëndreshës.

 

 

Plaku, pasi i mbaroi të gjitha, u kthye më në fund në shtëpi, në Butkë, filloi të ngrinte shtëpitë nga themelet pasi i kishte djegur greku. Mori pjesë në Kryengritjen e Fierit, pas dështimit të së cilës u dënua, por atëherë e kishte dënuar Perëndia, ishte plakur shumë dhe e falën.

 

Kur u kthye, pajtoi dy oparakë t’i skalisnin gurin e varrit, ua ktheu dy hërë, deri sa gjeti karar.

Vdiq më 20 tetor 1938.

 

 

Në rreshtat e mësipërm bëmë një prezantim tangent të veprimatrisë së tij si luftëtar, por profili i tij nuk do të ishte i plotë pa anën tjetër njerëzore, si poet e vjershëtor, që të paktën sot pak e njohin si të tillë.

 

 

Dikur në kohën e e vet, vjershat e tij njiheshin gjerësisht në popull, madje shumica e tyre edhe këndoheshin. Shumë prej tyre dhe mësoheshin përmendësh dhe këndoheshin në dasma dhe gostira krahinën e Kolonjës, Korçës, Skraparit, Përmetit, Beratit, Strugës e më gjerë.

 

 

Edhe sot e kësaj dite bëjnë jetë aktive këngë të tilla si “Të erdhi një letër nga një holandez, o Gani medet medet”, “Ke tre vjet në Komitet”, “Qëllimi“, “Ngeu Abdyl bej nga varri/ se t’u mbarua qëllimi/ të shikosh Adriatikn/Hidhi sytë nga Perëndimi”, “Mësimi në çetë” dhe “Një natë dimri” etj.

 

 

Më poshtë po japim dy vjersha të tij, që janë kthyer në këngë, elegji për djalin e tij, dëshmor, “Vajtim për Gani Butkën” dhe vjersha epike “Të zgjojmë vegjelinë”

 

Të zgjojmë vegjelinë 

 

 

O vellezër Kolonjarë

Mysliman e të krishterë,

Gjithë jemi shqipëtarë,

Në mes tonë s’ka të tjerë

 

 

Ne veë nje gjuhëzë kemi.

Të gjithë tok jemi rritur

Grekë e bullgarë s’jemi;

Pse të rrojmë të sfilitur?

 

 

Zihuni dorë për dorë

Hiqeni shpresën e botës!

Të mos rrojmë si të gjorë,

Që t mos na bien kokës

 

 

Të mos rrimë më në gjunjë,

Se na mbuloi padija,

Të varfër dhe në gjumë

Rrojmë mu si bagëtia.

 

 

Turp për ne që këto ditë,

Të pimë helm kaq të hidhur;

Burra, djem, mos kini frikë,

Të mos rrini duarlidhur!

 

 

E mira jone sot duket:

Për të zgjuar vegjëlinë,

Ta bëjmë shkollën siç duhet.

Të mësojmë ata që s’dinë.

 

 

Dituri për të fituar,

Kombin tonë ta ndriçojmë

Të punojmë pa përtuar

Dhe nga zgjedha ta lirojmë.

 

 

Le ta forcojmë për jetë

Bashkimin vellazërinë

Të luftojmë, vëllezër vetë

Të shpëtojmë Shqipërinë

 

 

 Butkë, Kolonjë, 8 Prill 1909

 

 

 

Vajtim për Gani Butkën

 

 

Malet e Gramozit qajnë

E një zi të madhe mbajnë

Qajnë Gani Kapedanë

Dit’ e zesa që u-ndanë.

Ata male kush i shkelte,

Veç Ganiu me shokët delte

Kundra armikut qendronte

Ndë shi, në erë, në bor’ lëftonte.

Po qan dhe qafë e Kazanit,

Pyjet dhe shelgjet e Stanit,

Drur’ e gurë po vajtonjë

Gani Butkën s’e haronjë.

Trimn’e bukur kordhëtarë

Që i vij dyfegu mbarë.

Katër vjet nat’ edhe ditë

Armiku s’të la të qetë,

Nuk’u prëhe, nuk’u lodhe

Me pushkë në dorë mbarove.

E paske jetën të pakë;

Na dogje zemrën si flakë.

Njëzet e tri vjet kalove,

Shpirtin na e përvëlove.

Ti vdiqe shumë i gëzuar,

Do të jesh i pa haruar.

Re dëshmor për Shqipërinë,

Për kombin për mbretërinë.

Fat’ i Shqipëris’ i shkrëti,

U-nxi që kur iku Mbëreti.

Fat i zi, o fat i shkretë,

Kështu na ndave për jetë.

Vallë mos tha Perëndia,

Që të heqim të këqia?

Bukur bëtë ju që vdiqtë,

Që s’i pranuat të liqtë.

I kulluar gjakthi juaj,

Që nuk u derth për të huaj,

Po për kombin dhe atdhenë,

Nuk’ kursyet vetëhenë!

Qaj pa qaj Kolonjë plakë,

Për ata djem si luanë

Që i kanë shokët të rallë,

Dëshmorë për Atdhenë ranë.

Vallë a dot’i përmëndin

A do t’i kërkojnë shpagë?

A ka djem t’u zenë vëndin

Për këto të mbëdha plagë?

Mos haroni shkakëtarë,

Shumë shtrënjt dot’u koshtonjë,

Ky shpagim s’mbetet pa marë.

Ka të tjerë djem Kolonja,

Ka dhe nga vise të tjera,

Që e duan Shqipërinë,

Burra trima e të vlerë,

Që s’harojnë dashurinë,

Të gjithë trathëtorët,

Në Shqipëri, s’munt të rrojnë.

Ku do të futen të gjorët!

O, ju trima Kolonjarë

U qan Shqipëri’e tërë.

Për ju që ishit të parë

Për luftërat që kini bërë,

Gjith populli u-lavduronjë

Edhe në gojë u mbajnë;

Me lote shumë u vajtojmë

Për sot që kemi nevojë.

Po pusho moj zemra ime

Mos derth lot me psherëtime.

Të shpëtonjë njerësia

Se i humbi Robëria.