Ymer Minxhozi: Sentenca filozofike dhe aforizma humori mbi aktualitetin shqiptar

Ymer Minxhozi: Sentenca filozofike dhe aforizma humori mbi aktualitetin shqiptar

 

 

Ymer Minxhozi është një emër i njohur i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare.  Është autor i mbi 20 librave me ese, satirë, shënime udhëtimesh dhe kujtime.

 

 

Pasi ka mbaruar studimet në Moskë për gazetari në vitet ’50, ai ka qenë korrespondent i shtypit shqiptar në Kinë dhe vendet e Azisë Juglindore, e më pas ka drejtuar gjatë jetës së tij për shumë vite revistën “Shqipëria e Re”.

 

 

 Minxhozi ka qenë prezent  dhe aktiv me shkrimet e tij edhe pas viteve’90, kohë gjatë të cilës ka botuar vëllimet: “Avokati i djallit – fjalë fluturake”, “Borë e zezë”, “Shansi i humbur”, “Era e mykut”, “Ditari i tre kontinenteve” etj.

 

Zgjodhëm për “Orakujt e Tomorrit” nga një libër i Ymer Mindinxhozit disa sentenca filozofike me nuanca humori të krijuara prej tij, që pasqyrojnë situatën aktuale te ne.

 

 

Le të jenë këto thënie brilante, si një homazh kujtimi për publicistin e njohur, i cili është ndarë nga jeta para tre vjetësh

 

***

 

– U vranë me njëri-tjetrin për pronë, por toka për të cilën ishin grindur nuk ishte as për dy varre.

 

– Rend do të thotë të mos bësh atë që do, e, megjithatë, rendin e duam.

 

– Unë kurrë s’do merrja rryshfet, në qoftë se s’do të kishte njerëz të ma jepnin.

 

– Ujkun e qethnin që të vinte mend, ai thoshte: – shpejt se më ikin dhentë!

 

– U dashuruan marrëzisht dhe u martuan. Sapo u iku marrëzia, – u ndanë.

 

– U futa në listën e të persekutuarve politikë, sepse më graduan me vonesë.

 

– U bënte shoqëri shkrimtarëve të shquar, duke menduar se talenti është grip.

 

– Të vërtetën në fillim e fshehin, pastaj i vihen ta kërkojnë.

 

– Shkencëtar është ai njeri që i përshkruan sendet e njohura nga të gjithë, me fjalë të panjohura nga askush.

 

– Shqipëria do të bëhet si Zvicra, atëhere kur zviceranët do të pranojnë që ekonominë e tyre ta drejtojnë shqiptarët.

 

– Shiu qe aq i fortë sa të gjithë derrat u lanë dhe të gjithë njerëzit u bënë me baltë.

 

– Sikur të lindte dielli në mes të natës, ne do të shihnim shumë gjëra që s’do dëshironim t’i shihnim.

 

– “Skllavëri e përjetshme”: Kur isha fëmijë prindërit më detyronin të ha. Tani që u rrita më detyron gjyqi të ushqej prindërit.

 

– Sa më i lartë posti zyrtar, aq më i shumtë në numur është far e fisi.

 

– Stjuardesës së re i pëlqen puna në aeroplan, sepse atje janë burrat të lidhur.

 

– Sytë nuk janë vetëm për të parë. Ato janë edhe për t’i mbyllur.

 

– Si drama ashtu edhe tragjedia, para se të dalin në skenë, luhen në prapaskenë.

 

– Secili njeri është një botë më vete. Prandaj dhe s’ka një botë për të gjithë.

 

– Roja i vinte vërdallë magazinës për të parë se mos afrohej ndonjë vjedhës. Kur s’kishte të tillë, vidhte vetë.

 

– Rreziku i të qënit e bukur është se mund të mjaftohesh me aq dhe të mbetesh budallaqe.

 

– Para se të trokisni në derën time, ju lutem fshijini këpucët të porta e fqinjit përkarshi.

 

– Pa arritur të ambjentohemi me këtë botë, vjen koha për të shkuar në tjetrën.

 

– Pemët vdesin më këmbë, në qoftë se nuk i presim.

 

– Paradoks: Vetëm duke lundruar kundër rrymës, mund të arrihet tek burimi.

 

– Pushimet familjare janë vazhdim i luftës midis bashkëshortëve, në një territorr asnjëanës.

 

– P-ja midis gërmave (për çudi) doli e para, si rëndësi: Para, Pronë, Pushtet, të tjerat numroini vetë!

 

– Në qoftë se dëshironi t’i shisni mollët e krimbura, i shpallni ato të ndaluara.

 

– Nusja e shpreh gëzimin e martesës duke u veshur me fustanin e bardhë, ndërsa dhëndëri me kostumin e zi.

 

– Në qoftë se dëshiron të biesh në sy, fshiu.

 

– Karvani le të lehi, qentë shkojnë përpara.

 

– Kush fillon të vjedhë me vonesë, përpiqet të kompesojë edhe kohën e humbur.

 

– Kalimi nga një parti në tjetrën bëhet sipas ligjit të La Vuazerit: “Asgjë s’humbet, asgjë s’krijohet, çdo gjë transformohet”

 

– Kur gjuha nuk ka turp, turpërohen ata që e dëgjojnë.

 

– Në koshin e plehërave të historisë, gjithmonë ka vende vakante.