Folklor: Frazologji popullore nga zona e Çepanit, Skrapar (1)
– Ai (ajo) është prej atyre që thonë të bjerë shi vetëm në arën time; (që shikon vetëm interesin e vet personal e nuk çan kokën për askënd tjetër);
-Behar, ta bëftë; (lloj urimi, që ka kuptimin të shkoftë mbarë kjo punë që ke nisur);
–Botën e qerdhes ai që i merr gjërat ngadalë (arrin atë të mirë që kërkon vetëm kur nuk nxitohesh, por arsyeton, para se të veprosh);
–Ç’e deshe derën nga Muzhaka, mirë e kishe nga Rogu;(përse e ndryshove mendjen; përse e bëre këtë ndërrim…etj);
– Ç’i deshe tre qè, mirë i kishe dy; (ç’t’u desh kjo punë?, përse e bëre këtë?);
– Défosun edhe kjo punë! (mos u duktë edhe kjo punë”)
– E po ai tri koqe në majë ka! (lloj vlerësimi për njeriun e pa pjekur që nuk gjykon e arsyeton thellë);
– Është njeri me një okë mend (njeri i zgjuar);
– Është burrë katërqind derhem; (është njeri me mend, i ditur dhe i dëgjohet fjala);
– Hem qeros, hem fodull; (Edhe i varfër në pasuri e mendime, edhe shet mend);
– Hëm dhi e krimbur, hëm bishtin përpjetë (e njëjta si me lart);
– Hu më shkon e lloz më vjen; (nuk je i zoti për një punë të mbrodhtë);
– I rri macja më bisht; (e ka punën në rregull);
– I kërceu damari i ballit; (u nxeh së tepërmi, u bë nevrik);
–I polli macja në kamare (i ka rënë një hall i madh);
– I polli kau (u hap dera e fatit dhe i erdhën të mirat);
–I vajti squfur gjëja e malli; (gjithçka që bëri iu dëmtua);
–I vinin shtatë vërr e një hazër! (u tmerrua prej frikës;kur dikush ka frikë i shpëtojnë edhe pordhët);
– Ai është njeri që po ta kesh mik të prish punë, e po ta kesh armik, të ha munë (është i pazoti);
-Ai është: kush e mbjell mos e korrtë! (është njeri moskokçarës dhe shumë indiferent);
-Ai tani po ngul e shkul hudhra; (ka kohë që ka vdekur);
– I vuri saçin ore shyqyr i qoftë! (lutje-ankesë Zotit, për klimën shumë të nxehtë e thatësirë në verë);
– I ka shkarë ledhi (e ka lënë mëndja);
-I bje fyellit (cylës) me një vrimë!( bën të njëjtën gjë, bëhet i bezdisur);
– Mos u vardis si dhelpra pas koqeve të dashit ! (mos ki shpresë, për çka nuk arrihet);
-Më mirë djepia thatë se shejtani brenda;( nuk ke se çfarë e do një fëmijë të prapë!);
-Mjaft tani, se e bëre ujem! (me sa the e me sa bëre, e përzieve kaq keq sa nuk e mer vesh se çfarë është);
-Mos e prish jahninë për një qepë; (për një gjë të vogël nuk prishet miqësia, shoqëria, muhabeti);
– Njeriu sa të jetë gjallë duhet të çalltisë, (njeriu duhet të ketë gjithnjë inisiativë në jetë);
-Po të bredhësh hu më hu, një hu do të të hyjë në…!( Lëvizjet dhe punërat duhet t’i bësh më lezet dhe efektivitet e jo kuturu se të vijnë të papritura të rrezikshme);
– Pesë pordhë, gjashtë grosh! (s’na the gjë për të qenë);
– Ruaju nga koka e vogël se ajo ka marrë më qafë koka të mëdha; (porosi për djemtë, të jesh gjithnjë i ndershëm dhe i moralshëm, të kesh pushtet mbi vetveten);
– S’ka insan pa noksan; (Nuk gjen asnjeri që të mos ketë në zakon, huq, ves,);
– T’u shoftë binaja! ( lloj mallkimi, u çfarosësh; përdorej edhe për të treguar habi për një bëmë të guximshme);
– Ta bëftë diell! (lloj urimi, për të vajtur puna mbarë);
– Vëri një gur e një plis! (mbylle këtë problem me kaq, mos e trazo e ngacmo më tej).
Mblodhi: Ilmi S. Qazimi