Demir Staravecka, komandanti i trim i Çetës së Parë Partizane të Kolonjës, tradhëtar?!… Mirë, babai, po ne, fëmijët e tij pse të përjetonim ferrin përsëgjalli?!…
Rrëfimet rrënqethëse të Qamil Kanxhës, djalit të Demir Staraveckës, për persekutimin e burgimin e tij, vrasja e së motrës dhe vdekja e së bijës, ku nuk shkoi asnjë njeri në varrim…
Kastriot Caka
Një ndër ata që i ka prirë këtij fisi dhe ka bërë histori në familjen Kanxha është komandanti i Çetës së Parë të Kolonjës, Demir Staravecka, njeriu që luftoi pa reshtur, pa e kursyer asnjëherë as jetën për interesat e larta të Atdheut, por që më në fund iu mohua çdo meritë.
Kam njohur personalisht Qamilin, djalin e madh Demir Stravekës. Kam biseduar gjatë me të dhe me të thënat e tij dhe materialeve të tjera arkivore kam bërë edhe një libër për këtë familje.
Nëse sot bëj këtë shkrim për familjen e Demir Staraveckës në “Orkujt e Tomorrit”, e bëj si një homazh për Qamilin, që është ndarë para 5 vjetësh nga jeta me brengën e madhe, jo se vuajti aq shumë, por që nuk e kuptoi njeri vrasjen e të atit, vdekjen e vajzës së tij dhe më vonë vrasjen në rrethana shumë të dyshimta të motrës së tij së tij, burgun që po hiqte dhe vuajtjet e një fisi të tërë.
Qamili, djali i Demirit
Qamili me ardhjen e Demokracisë la Staraveckën e tij të dashur, vendin ku lindi dhe jetoi një jetë të tërë, me të mirat dhe të këqijat e saj dhe u vendos në qytetin e Durrësit. Ai la mbas një fëmijëri të vuajtur, la pas një brengë të madhe që nuk e shijoi dot jetën si fëmijët e tjerë, nuk u shkollua lirshëm, nuk qeshi dhe qau si të tjerët, nuk u gëzua e luajti si të tjerët.
Ai një gjë të tmerrshme dhe të rëndë e mësoi që fëmijë, që ishte jetim, që s’kishte baba, që babanë ia kishin vrarë, ndonjëherë shkarazi i dëgjuan veshët edhe fjalë të mira për babain e tij, se ishte i zoti në Luftë, se babai i tij ndihmonte të varfrit, se babai i tij kishte qenë trim dhe i shkolluar, se babai i tij që në atë kohë kishte kulturë perëndimore, se ai kishte studiuar në disa universitete, se ishte dhe diplomat në Turqi dhe Francë.
Pikërisht këto dhe shumë të tjera, Qamili, djali i vogël 4 vjeçar që mbeti jetim, i dëgjonte në mënyra të ndryshme, por edhe nga nëna e vet apo nga të afërmit. Jo të gjithë njerëzit e shikonin me sy të keq djaloshin, kishte nga ata që i shprehnin keqardhje dhe mirësi, por ishin të pafuqishëm përpara forcës së pushtetit dhe nuk mundën t’i jepnin dot asnjë mbështetje.
Qamili, biri i luftëtarit, sa vinte e rritej, rritej si fëmijë pa andralla të këqija, rritej pa mllefe, për vetë natyrën që kishte. Ishte i dashur dhe i qeshur si dielli, i pafajshëm sa s’ka më, dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Por me kalimin e kohës jeta e tij po turbullohej.
Ai filloi të kuptojë, se tani jeta po bëhej e vështirë. Edhe pse dojntetë ishatelarg mllefeve, donte të shihte punën e tij , por ishte e pamundur.
Një ditë atë e futën në burg, fshati u detyrua nga frika të ngrinte duart lart në gjyq dhe ta dënonin me 2 vjet burg(!).
Në burg i vjen lajmi i tmerrshëm se vajza i kishte vdekur, se gruaja, që për të ka qenë një mbretëreshë, e lë vajzën të vdekur dhe bashkë me 2 -3 shoqe venë e hapin varrin. Motrën ia rrëmbeu një oficer Sigurimi dhe kur e pa pisk, se mund ta lironin nga detyra, e vrau dhe e solli në fshatin e tyre, Staraveckë, me pretekstin se ishte vetëvrarë(!).
Po kush vallë do të jepte shpagim për këtë gjë? Kush vallë do ta mbështeste Qamilin djalin e vetëm të asaj shtëpie? Por Qamili ky burrë me eshtër ia doli, nuk u përkul, nuk u ligështua, zhbiroi çdo ligësi dhe padrejtësi, duroi, këmbënguli, punoi pa pushim, shpalosi vlera, e detyroi edhe armikun ta bënte mik.
Sjellja e tij ishte shembullore, sepse u përmbajt, e mbajti dëshpërimin, zemërimin dhe mynxyrën një jetë të tërë brenda shpirtit. Ky njeri i vuajtur duke qenë i zoti arriti, jo vetëm t’i afroheshin njerëzia, por dhe ta respektonin.
Me punën dhe zotësinë e tij, e bëri jetën më të mirë se të tjerët, rriti dhe edukoi një tufë fëmijësh, jo me mllefin, por me dashurinë për jetën dhe me ndjenjën e paqes dhe mirëkuptimit.
Ishte pikërisht Qamili ai që nuk i tregoi gishtin asnjë njeriu, as gjoksin edhe kur lufta me vdekjen mbaroi, as atëherë që ai kishte të drejtën t’u kërkonte shpagim për vuajtjet që i kishin sjellë, por përkundrazi ai u mësoi fëmijëve rrugën e drejtë, atë të njeriut që mbart vetëm vlera njerëzore dhe jo armiqësi.
Në vitet që Qamili jetoi në Durrës ishte një nga njerëzit e nderuar dhe të respektuar, ishte ai që me sjelljen e tij dhe vlerat që kishte, kur mbylli sytë erdhën dhjetëra e qindra njerëz për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Familja e Qamilit sot është një familje e nderuar që ka shumë miq e shokë, jo vetëm ata nga Skrapari por nga gjithë Shqipëria. Djemtë e tij: Fatmir Kanxha, Kastriot Kanxha, Armando Kanxha, Sokol Kanxha, Vladimir Kanxha, Krenar Kanxha dhe vajza Flutura Kanxha, tashmë janë bërë me familje, kanë fëmijë dhe jetojnë të lumtur.
Fëmijët e tyre: Xhensila, Erjona, Florjani, Joana, Vulla, Danieli, Anjeza, Brunilda, Ermira, Dionisi, Ledjona, Keoleni, Noemini, dhe Dajana e vogël, mësojnë nëpër shkolla, mësojnë shumë mirë, për të ecur në gjurmët e të parëve të tyre, që me dijen e tyre dhe mençurinë kanë bërë histori. Ata kaq duhet të dinë që rrjedhin nga një familje e nderuar e Qamil Kanxhës (Staravecka), që me kohë kanë luftuar si evropianë dhe perëndimorë.
Djemtë e Qamilit në Durrës me punën e tyre kanë bërë emër të mirë, edhe në fushën e biznesit, njerëz të thjeshtë, të dashur, të sjellshëm dhe komunikues në shoqëri. Familja e tij ka pasur dhe ka shumë miq e shokë.
Në Staraveckë ka pasur lidhje gjaku me Ferit Sinanin, Sani Sinanin, Fari Halilaj, Riza Halilaj, Ahmet Balën, Mustafa Halilaj, Riza Halilaj, Ismail Halilaj, Hajdër Sinani si dhe shumë e shumë miq të tjerë në rrethe. Ftohtësia dhe largesa që qëndronte në ato vite, midis tyre dhe Qamilit, jo se kishin gjë me të, por ishin pasojat e sistemit.
Kështu bënte dhe Qamili, ngrihej që në mëngjes, shkonte në punë, mbyllte gojën, ulte kokën, korrigjonte veten në çdo moment, se çdo gjë mund t’i merrej për keq dhe pastaj e priste dera e burgut.
Kështu ishte dhe jeta e familjes Kanxha; e lodhshme, e vuajtur, tronditëse, por më në fund një rreze drite buron nga qielli dhe ngroh e ndriçon këtë familje. Demir Staravecka, vdiq shpejt, gjë që nuk pati mundësi të linte kujtime, sepse vepra e tij nisi në luftë dhe mbaroi në luftë.
Ndryshon shumë jeta e luftëtarit tjetër Xhelal Staravecka që është bërë një libër shumë voluminoz për faktin se Xhalali jetoi deri në vitet ’70, në mërgim dhe i shkroi në qetësi të plotë kujtimet e jetës së tij.
Demiri pati një jetë “furtunë” dhe u fik në një ditë mes krismave të atyreve që ai i kishte urdhëruar dhe komanduar!…
Demiri, luftëtar i çetave të Luftës së Parë Botërore
Do kishte qenë ndryshe po të kishte qenë gjallë, sepse të vërtetat, peripecitë, dhe gjithçka që e fundosi atë, do ta kishte sqaruar vetë, ndërsa ai i mori me vete të gjitha dhe nuk pati prova dhe dëshmi aq bindëse sa të kthjellonte këtë enigmë që vjen akoma vërdallë dhe nuk thuhen ca të vërteta.
Familja do ishte ajo që do gërmonte dhe do të pyeste më tepër për fatin e babait të tyre, të këtij njeriu që e kaloi jetën në luftë, mes krismave të plumbave dhe një ditë u fik duke ia përbaltur gjithçka të mirë.
Por ishte e vështirë në ato vite që i biri Qamili, të gërmonte për të vërtetat e babait të tij, sepse ta mbyllnin gojën dhe shkoje shumë shpejt në burg, prandaj atij iu desh të heshtte dhe të përballonte, persekucionin, burgun dhe mundimet e tjera një jetë të tërë.
Qamili ishte njeri me kurajë, i zoti, i zgjuar dhe i guximshëm që shpesh revoltohej, ngrinte zërin dhe përleshej me dashakeqët. Babai, njeriu që të ka bërë kokën nuk mohohet kurrë edhe si ta ketë fundin, ndaj Qamili e thoshte me krenari që ishte biri i Demirit, sepse Demiri kishte qenë komandant në luftë dhe njerëzit flasin për trimëri.
Situata të tilla kritike i kanë vuajtur shumë njerëz, dhe janë të dhimbshme, fatkeqe, më shumë për faktin se njeriu një jetë ka dhe është mëkat që t’ia privosh atë, t’i mbyllësh dritën dhe ta zhytësh në errësirë. Kohërat kanë kaluar dhe frika tani është vrarë, por kjo familje ka mbetur kaq paqësore, tek përcjellin mesazhet e paqes në komunitetin ku jetojnë dhe në gjithë hapësirën shqiptare me imazhin e paqes dhe mirësisë.
Qamil Kanxha (Staravecka), rrëfehet para vdekjes: “Sistemi kishte ligje të ashpra. Lufta e klasave ishte një gangrenë e madhe, po të guxoje të flisje mbi ty do të binin telashe të mëdha, pasojat binin mbi të gjithë familjen dhe fisin. Edhe pse babai ynë Demir Staravecka, sakrifikoi një jetë të tërë në luftë për interesa e Kombit, por një ditë u harruan të gjitha, u shpall armik e tradhtar dhe familja jonë jetoi një kalvar vuajtjesh pa fund në vitet e monizmit. Atë e kishte zënë plumbi nga mbrapa kokës dhe nuk kishte njeri të merrej me të vërtetën. Atë e mbuloi dheu dhe kjo histori u harrua. Babai la 4 fëmijë, Mejtimen që u vra në vitin 1951, Trëndafilen, Nazimenë që e vrau rrufeja në vitin 1946 dhe mua që më la 4 vjeç.
Shtëpia e Demir Staraveckës, babait tonë, ka qenë mikpritëse dhe ka ndihmuar Luftën në atë periudhë kur Demiri ishte Komandant i çetës së Kolonjës. Aty vinin e rrinin nga 6 muaj vajzat e Petrit Dumes. Vetë Petrit Dumja dhe Josif Pashko kanë ngrënë bukë në shtëpinë tonë. Ndërsa unë u rrita me një hije që më ndiqte pas.
Qamili mes djemve dhe nipërve të tij
Meritat e familjes tonë i kanë ditur të gjithë, thoshte Qamili, mirëpo, një zemërim i Demirit, një ikje nga çeta mbasi ai kishte krijuar një histori më vete me luftën, nga opinioni dhe sistemi që ishte në fuqi, mbahej mend vetëm një ikje e Demirit nga çeta, që kjo ndodhi në fund kur vendi ishte në prag të çlirimit.
U harrua gjithçka, Lufta, u harrua që në shtëpinë tonë ka qenë strehuar Misioni Anglo- Amerikan, por u propagandua se kjo shtëpi ka njollë në biografi, madje nuk do vajtur as për një sebep.
Me ndryshimin e sistemit dhe me ardhjen e Demokracisë familja jonë ndryshoi, u vra frika dhe çdo gjë e keqe që na ndiqte pas, fituam lirinë e fjalës, njerëzit shprehen lirshëm dhe për babanë tonë, shprehen për meritat që ai ka pasur, që herë herë vinte dhe jetën e tij në rrezik.
E, megjithatë njerëzit e ndershëm nuk e harrojnë këtë fakt, ne kemi sot shumë miq që na duan e i duam, sepse e dinë të vërtetën – thoshte Qamili, një vit para se të vdiste.